Nga Erl Kodra
Pasi bëra një kërkim të gjerë se cili është përkufizimi i Çmimeve Letrare, përshkrimi më adekuat ishte:
"Një nderim letrar është një çmim i ndarë për një autor, në shprehje të vlerësimit dhe njohjes, për një libër ose një korpus të veprës letrare. Çmimet letrare shpesh janë të lidhura me një organizatë ose institucion arti, që organizojnë një ceremoni çmimesh për të ndarë vlerësimet. Çmimet letrare zakonisht ofrojnë shpërblime monetare, medalje dhe çertifikata për autorët. Përgjithësisht, ato sponsorizhen nga individë, familje, organizata ose shtëpi botuese".
***
Ndërsa Çmimet më të njohura ndërkombëtare në letërsi, shoqëruar me një përshkrim të shkurtër, janë koto:
Çmimi Nobel për Letërsi, është çmimi më i njohur ndërkombëtar që ndahet çdo vit nga Akademia Mbretërore e Suedisë. Çmimi jepet për një autor të mirënjohur, qëka shkruar vepra origjinale, dhe ka patur një ndikim të madh në letërsi dhe në kulturën globale.
Çmimi Pulitzer për Letërsi ndahet në Shtetet e Bashkuara, dhe nderon veprat më të rëndësishme të letërsisë amerikane në kategori të ndryshme, duke përfshirë romanin, poezinë dhe historinë.
Çmimi Booker: I njohur edhe si "Booker of Man Booker," ky çmim ndahet për romanin më të mirë të shkruar në gjuhën angleze. Është një ndër cmimet më prestigjioze letrare në botë.
Çmimi Goncourt: Ky çmim është i njohur në letërsinë frënge dhe ndahet nga Akademia Franceze për veprat më të rëndësishme letrare në gjuhën frënge.
Çmimi Neustadt për Letërsinë Botërore: Ndahet çdo dy vjet për një shkrimtar të rëndësishëm në letërsinë botërore. Përveç çmimit monetar, fituesi ka mundësinë të punojë në një universitet dhe të ndihmojë në promovimin e letërsisë botërore.
***
Përveç këtyre çmimeve, pothuaj çdo vend i botës ka çmimet kombëtare në letërsi, që lidhen me një institucion (organizatë) kombëtar/e ose me shtëpi botuese të mirënjohura. Në të gjitha rastet, çmimet janë një ndër momentet kyçe që shërbejnë për të nderuar dhe vlerësuar veprën letrare të një shkrimtari ose poeti, në mënyrë që vepra e tij të memorizohet dhe nderohet për bukurinë, thellësinë dhe origjinalitetin e saj.
E nisa me këtë shpjegim të gjatë, për të shenjuar se çmimet letrare dhe nderimi i veprës së autorëve nuk është një trill tekanjoz i shkrimtarëve dhe poetëve, por është një instrument i domosdoshëm jo vetëm për t'i nderuar ata, por mbi të gjitha për t'i shërbyer kulturës kombëtare të një vendi, përmes promovimit të vlerave më të mira letrare.
Letërsia jonë është një letërsi relativisht e re, me fillesat në Shekullin e XIX dhe zhvillim të qëndrueshëm në fillim të Shekullit të XX. At'kohë, ndërgjegja kombëtare u ngjiz përmes gjuhës, poezisë dhe letërsisë. Kjo periudhë u pagëzua si Rilindja Kombëtare, pa të cilën zor se do të kishim shqiptarë dhe Shqipëri. Emrat e rilindasve, duke filluar me Jeronim de Rada, Naim Frashëri, Asdreni, Sami Frashëri, At Gjergj Fishta, Ndre Mjeda etj, tashmë janë gurë themeli për letërsinë dhe kulturën kombëtare në përgjithësi.
Për fat të keq, pas Luftës së Dytë Botërore, letërsia shqiptare dhe arti në përgjithësi iu nënshtrua metodës së realizmit socialist, një metodë që deformoi dhe përçudnoi artin dhe letërsinë brenda kufinjëve shtetëror; kontaktet kulturore me autorë që jetonin jashtë pothuaj u ndërprenë, ndërsa një pjesë e autorëve - ku spikatë emri i At Gjergj Fishtës - u ndaluan plotësisht. Megjithatë, gjatë asaj periudhe pati zhvillime pozitive në letërsi dhe arte, por gjithmonë e kontrolluar nga gardiantët e censurës.
Partia e Punës kontrollonte gjithçka në letërsi dhe arte, në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve, në Teatrin Kombëtar dhe në teatrot e rretheve, në Kinostudion "Shqipëria e Re", në Radio dhe Televizion, në shtëpitë botuese, në shkolla dhe universitet, gazeta dhe revista. Shkrimtarët dhe artistët ishin caktuar nga diktatori Enver Hoxha si "ndihmës të Partisë në edukimin komunist të masave". Kështu, censura mbyti një letërsi të sapo lindur, zhduku nga qarkullimi autorë të mirënjohur, kufizoi mjetet shprehëse të saj, ndaloi përfare rrjedhat letrare botërore, duke sakatuar një ndër artet më të rëndësishme që njerëzimi kishte njohur. Rezultati ishte një katastrofë e vërtetë.
Megjithatë, partisë ia donte puna që të promovonte autorë dhe vepra, por gjithsesi të kontrolluar prej saj. Për inerci, ishte krijuar një sistem vlerash, që pavarësisht kufizimeve, disa vepra dhe autorë të talentuar ia dolën të krijojnë vepra të mira që i mbijetojnë kohës.
Që nga vitet 90 e deri më sot, punët e letërsisë i janë lënë krejtësisht spontanitetit, si të thuash, nga një kontroll total përmes një aparati të stërmadh censurues, në një gjendje të zhvillimit të egër. Me "letërsi" merret kushdo, shkruan kushdo, boton kushdo, promovohet kushdo, del në media kushdo, flasin për gjithçka dhe gjithkënd. Për fat të keq, kjo gjendje nuk është vetëm në letërsi, por gjithandej. A nuk e keni vënë re se me shkencën e Albanologjisë merren një duzinë me inxhinierë, "gjuhëtarë" amator, gazetarë, media dhe portale?
Kritikët e pakët të letërsisë akoma vazhdojnë të shkruajnë për autorët që kanë ikur nga kjo botë, ndërsa letërsia bashkëkohore është mbytur nga qindra mijëra tituj që printohen me para në dorë nga shtëpi botuese që nuk kanë asnjë strukturë redaktuese ose selektive të letërsisë. Me qindra mijëra poet dhe poetesha kanë botuar nga 5, 6 deri në 20 tituj librash, por pa asnjë vlerë letrare. Stoku i frikshëm i një "letërsie" boshe tani po mbytë edhe hapësirën virtuale. Le të shkruajnë se asgjë e keqe nuk i vjen shoqërisë edhe nga ata që kujtojnë se janë poetë dhe poetesha.
Këto ditë po flitet për procedurat e përzgjedhjes së të ashtuquajturit "Poeti Laureat" - një emërim i ngjashëm i huazuar nga disa vende me letërsi të madhe, si Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe - nga Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit (QKLL). Para disa ditësh, poeti Preç Zogaj shprehej se "Poeti Laureat" nuk është një çmim, por një emërim, dhe si i tillë nuk mund të përzgjidhet nga një juri, por duhet të emërohet.
Gjithashtu, me sa di unë, janë disa çmime vjetore që jepen nga Ministria e Kulturës për romanin më të mirë, librin poetik më të mirë, përkthimin më të mirë. Për fat të keq, në të gjitha rastet fituesit janë kontestuar, ose janë kontestuar procedurat ose juria, dhe ç'është më e keqja, në të gjitha rastet fituesit janë përfolur pas krahëve.
Letërsia shqipe është e rëndësishme për kulturën dhe identitetin kombëtar. Nuk ka mjet tjetër më elitar për promovimin e kulturës kombëtare. Në këtë kuptim, letërsia meriton më shumë vëmendje, seriozitet dhe përgjegjësi, sidomos në krijimin e vlerave të vërteta letrare. Por ato nuk krijohem përmes institucioneve anemike, as miqësive.
Krijimi i një "Çmimi Kombëtar në Letërsi" me një emër domethënës, që do t'i jepej një autori të caktuar periodikisht - një herë; në një ose dy vjet - do të ishte hapi në drejtimin e duhur që punët e letërsisë të merren seriozisht. Çmimi do t'i jepej autorit për veprën në tërësi, ose për një vepër të caktuar, përmes një procedure të ngjashme që jepen edhe Çmimet më të njohura ndërkombëtare, si Nobel, Pulitzer, Booker, Goncourt etj. Gjithashtu ky çmim mund të shoqërohet me një shpërblim monetar të konsiderueshëm, që mund të sigurohet përmes ngritjes së një fondacioni. Përvoja botërore është e bollshme në këtë drejtim, dhe ne nuk kemi pse të shpikim asgjë.
Autorët shqiptarë, prozatorë, poetë dhe dramaturgë e meritojnë një Çmim, mbi të gjitha vet letërsia shqipe e meriton një vlerësim të tillë. Serioziteti i një organizimi të tillë periodik do të nderonte autorët, letërsinë, si dhe vet kuptimin dhe ekzistencën e letërsisë. Kultura dhe identiteti kombëtar nuk ngrihet përmes përfoljes, qokave as fjalëve pas krahëve.
Ps: Çmimi Kombëtar i Letërsisë mund të mbaj emrin e poetit NDRE MJEDA.