Editorial

Erdogani dhe "pallati mbretëror veror" me 300 dhoma: Zemërim në Turqi

Shkruar nga Liberale
Erdogani dhe "pallati mbretëror veror" me 300 dhoma: Zemërim

Monicca Sargentini

Qarkullojnë për të parën herë fotografitë e selisë së “sulltanit”, ndërsa gruaja e tij kërkon racionimin e ushqimeve.

Plazhi privat është i bardhë, deti një ëndërr, vila që ngrihet pak më tej, për të thënë pak është luksoze: 300 dhoma mbi një truall prej 85 mijë metër katrore, në gjirin Okluk Cove në rrethin Marmaris, në bregun jugor të Turqisë, njëra ndër më të zgjedhurat e Vendit.

Mendjemadhësia e Rexhep Tajip Erdoganit, të paperëndueshmit president turk, nuk ka të sosur. Mbas “pallatit të bardhë” në kryeqytetin Ankara, një kompleks me më shumë se njëmijë dhoma, arriti “pallati veror”, i ndërtuar në vëndin që mirëpriste selinë e pushimeve të ish presidentit Turgut Ozal. Një tjetër vend banimi po ndërtohet në qytetin Ahlat, në rrethin Bitlis.

Gjithçka me harxhet e taksapaguesve, natyrisht, që në një periudhë të një krize ekonomike të fuqishme, tregojnë se nuk u pëlqen aspak madhështia presidenciale. Nëse mbahet parasysh se Zonja e Parë, Emine Erdogan, ka ftuar popullsinë të pakësojë racionet e ushqimit në pjata për të shmangur shpërdorimet në një çast të vështirë për Vendin, mund të kuptohet lehtë se përpara një pallati të kushtuar 640 milion lira turke (rreth 62 milion euro), para të marra nga buxheti presidencial, të hapen polemika.

Rezidenca verore është përuruar më 2019, por fotografitë kanë qarkulluar vetëm tani, kur arkitekti turko-belg, Sefik Birkiye ideatori i mbivilës i ka publikuar në sajtin e tij web. Pamjet janë marrë pastaj nga gazeta e opozitës Sözcü dhe janë bërë pronësi e përgjithshme. Veprimi i profesionistit sigurisht nuk i ka pëlqyer presidentit mbasi ka parë zemërimin që është ngritur. Sidoqoftë Birkiye është shumë i vlerësuar nga Erdogani që e kishte zgjedhur për të projektuar Pallatin presidencial të Ankarasë.

Ngrenë krye edhe mjedisorët sepse zona i është nënshtruar një shpyllëzimi masiv për të ndërtuar edhe pesë godina të përmasave të ndryshme që duhet të strehojnë personelin, veç një piste për helikopterë, kurse një hapësirë prej 10.966 metër katrorë është mbushur me rërë e çakëll të veçantë duke u kthyer në një plazh vetanak.

Jeta nuk është e lehtë edhe për banorët e zonës të detyruar t’i nënshtrohen rregullave të rrepta të sigurisë. Gjiri i Okluk Cove shpesh i ndalohet anijeve të peshkimit kur presidenti shkon në vilën e tij verore. Mbikëqyrja shtohet kur vijnë për vizita kryetarë Shtetesh a qeverish të huaja, siç ka ndodhur për kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe presidentin azer Ilhan Aliyev.

“Corriere della Sera”

Përktheu Eugjen Merlika

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH