Strukturë ndërkombëtare për Reformën Zgjedhore, hetime të menjëhershme për shitblerjen e votave dhe referendum. Ishin këto kushtet e opozitës jashtëparlamentare, të artikuluara dje në tryezën e OSBE-së, para se përfaqësuesi i saj ta braktiste atë. Pas kushteve nga parlamenti gjerman për çeljen e negociatave, PD dhe aleatët po i forcojnë edhe më shumë kërkesat e tyre, duke mos hequr dorë edhe nga largimi i Ramës si kryeministër, duke i kthyer sytë nga zgjidhja ndërkombëtare jo vetëm për krizën politike por edhe për zgjedhjet
Që Reforma Zgjedhore të hynte në brazdën e diskutimeve dhe më pas të miratohej duke përfshirë të gjitha palët politike, siç kushtëzonin dy ditë më parë grupet parlamentare të koalicionit qeverisës gjerman për çeljen e negociatave, do të thoshte automatikisht edhe zgjidhje e krizës politike. Ulja dje e PD-së në tryezën zgjedhore të organizuar nga përfaqësia e OSBE-së në Tiranë, u duk si një hap i opozitës jashtëparlamentare drejt dialogut. Qoftë edhe vetëm për Reformën Zgjedhore! Qoftë edhe vetëm në nivel teknik, siç ishte kujdesur të bënte me dije më herët selia blu, për të qartësuar mbështetësit e saj dhe qytetarët se ky nuk qe një pranim i vendit në Komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore e as hap dialogu, porse përgjigja e një ftese ardhur nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë dhe ambasadori Borchardt. Vetëm pak minuta pas nisjes së tryezës u kuptua se Partia Demokratike po kryente kortezinë ndaj ndërkombëtarëve, ndërsa përfaqësuesi i saj, Iv Kaso, ndau mesazh politik.
Ashtu siç kreu i PD-së ishte shprehur pak ditë më parë, duke i dhënë rëndësi Reformës Zgjedhore por duke vendosur si hap parësor vullnetin politik për zgjidhjen e krizës, edhe Kaso artikuloi para të pranishmëve në tryezë, përfaqësues të maxhorancës, opozitës parlamentare dhe trupit diplomatik se duhej jo vetëm vullnet politik, por edhe një mekanizëm konkret për ndarjen e politikës nga krimi.
“Kapja e shtetit nga krimi përmes përfshirjes së individëve me rekorde kriminale apo me lidhje me krimin e organizuar, në Kuvend, në Qeveri, në pushtetin vendor, në funksione të larta apo funksione kyçe të administratës publike dhe organeve ligjzbatuese, përbën një kërcënim të rëndë për integritetin dhe funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike dhe për vetë sigurinë kombëtare”, do të shprehej Kaso, ndërsa iu referua edhe kreut të Komisionit të Reformës Zgjedhore, Gjiknuri, emri i të cilit doli nga përgjimet e dosjes “184”, se ishte në konflikt interesi me zgjedhje të lira e të ndershme dhe me reformën e vërtetë Zgjedhore. Po ashtu Kaso, në emër të opozitës së Bashkuar e quajti jo legjitim Komisionin për Reformën Zgjedhore, ndërsa anëtarët e opozitës së re, si jo përfaqësues të opozitës, të cilët nuk mund të përcaktojnë rregullat për pjesëmarrje në zgjedhje, partive politike opozitare.
Maxhoranca dhe vetë kryeministri Rama kanë përsëritur disa herë ftesën ndaj PD-së për Reformën Zgjedhore, kur kreu i qeverisë gjithnjë ka theksuar zgjedhjet e vitit 2021, duke mos lëvizur nga qëndrimi i tij se nuk do të largohet nga detyra dhe maxhoranca nuk do të pranojë zgjedhje të parakohshme. Por disa muaj më parë nga foltorja e Kuvendit, kryeministri do të thoshte se nëse do të që kusht i BE-së për çeljen e negociatave, do ta miratonin Reformën me deputetët e opozitës së re. Edhe pse nuk qe kusht nga KE, i cili rekomandoi çeljen e bisedimeve pa kushte, është tashmë një nga nëntë pikat e vendosura nga deputetët gjermanë përballë një “Po”-je me kushte më 18 tetor.
Kërkesa kryesore e opozitës së bashkuar, siç bëri me dije Kaso dje paradite, ishte ngritja e një strukture të posaçme ekstraparlamentare për të realizuar reformën zgjedhore. “Opozita e Bashkuar propozon që procesi të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë (OSBE/ODIHR, BE, SHBA, etj.), një përfaqësues i Parlamentit monopartiak dhe një përfaqësues i Opozitës së Bashkuar. Produkti i dakordësuar nga kjo strukturë, pasi i nënshtrohet konsultimit me publikun, nëpërmjet formave dhe metodave që mundësojnë marrjen e mendimit të qytetarëve, miratohet pa ndryshime” , do të thoshte Kaso, duke përdorur gjuhën e opozitës, e cila prej djegies së mandateve e cilëson njëpartiak parlamentin, ndërsa shpërfilli opozitën e re, të cilët do të dilnin të indinjuar nga salla ku zhvillohej aktiviteti.
Kaso theksoi kërkesa të tjera të opozitës së bashkuar si hetimet e menjëhershme dhe të plota për shitblerjen e votës. Duket se PD dhe partitë aleate po u mëshojnë edhe më shumë kushteve të tyre, duke marrë krah edhe nga rezoluta e parlamentit gjerman ditën e martë për ndjekjen penale të autorëve të shitblerjes së votave. Që tryeza e djeshme të mos i linte vend dyshimeve për kompromise nga ana e PD-së, Kaso theksoi se qeveria aktuale nuk ofron asnjë garanci për ndarjen e shtetit nga partia apo politikës nga krimi. Opozita e bashkuar nuk ka lëshuar pè në kushtet e saj të panegociueshme, duke i qëndruar bindjes për largimin e Ramës si kryeministër dhe okrijimin e një qeverie tranzitore që do të përgatiste terrenin për zgjedhje të lira e të ndershme. Duke përdorur raportin e fundit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit, opozita e bashkuar artikuloi se gjykatat janë jo funksionale dhe nën presionin e qeverisë e po ashtu organet e zbatimit të ligjit nuk i kryejnë dot funksionet për shkak të kontrollit nga qeveria. Për PD-në dhe aleatët duket se nuk janë të mjaftueshme zgjedhjet, ndërsa Kaso propozoi edhe rikthimin e referendumeve që hequra nga Kodi Zgjedhor, që prej vitit 2000.
Ajo që Kaso artikuloi para se ta braktiste tryezën ishte gjithçka që ambasadori Borchardt këshilloi të mos diskutohej në konferencë, për ta mbajtur atë vetëm në nivel teknik dhe jo me mesazhe politike.
I palumtur me situatën e krijuar dhe mosprodhimin e një rezultati, qoftë edhe të vogël, mikpritësi i tryezës, do të shprehej se njerëzit po humbasin mundësitë që u ofrohen. Së pari, Reforma Zgjedhore shihet me rëndësi nga ndërkombëtarët për procesin e integrimit europian dhe kalimin në fazën e parë të konferencës së anëtarësimit pranverën e ardhshme, por edhe një mundësi për opozitën jashtëparlamentare të ulet në tryezë për të përcaktuar rregullat e lojës që do ta kthenin në sistem, më shumë se gjashtë muaj jashtë. Propozimit të PD-së, Borchardt do t’i përgjigjej shkurt “Nuk e qeverisim ne këtë vend. Ne nuk jemi këtu të zgjedhur nga ju. Por, ne, sigurisht, e mbështesim vendin”, do të thoshte ai, i cili përmes kësaj tryeze bëri një ulje të palëve politike. Edhe ambasadori i BE-së, Soreca, më herët ka folur për rëndësinë e Reformës Zgjedhore dhe nisjen e dialogut mes palëve pikërisht nga kjo reformë.
Në nisje të konferencës, që pritej të ishte siç shpresonte Borchardt nisja e procesit të dialogut të mëtejshëm, edhe ambasada e ShBA-së në Tiranë e përshëndeti vendimin e partive opozitare për të dërguar përfaqësues në tryezën e Reformës Zgjedhore si edhe takimin e Bashës me aleatët një ditë më parë. “Përpjekjet e tij demonstrojnë udhëheqësi të vërtetë mbi një çështje thelbësore për forcimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara mbështesin miratimin e reformave të nxitura nga ekspertët zgjedhorë të OSBE/ODIHR në mënyrë që Shqipëria të mund të zhvillojë zgjedhje që janë të lira nga shtrëngimi, trysnia politike dhe blerja e votës. Populli shqiptar nuk meriton asgjë më pak se sa kjo”, thuhej në njoftimin e ambasadës amerikane, që për herë të parë pas zgjedhjeve të 30 qershorit përshëndetën rolin konstruktiv të liderit të opozitës, të cilit para zgjedhjeve iu bë thirrje e drejtpërdrejtë se do të mbante përgjegjësi nëse do të kishte pengim të procesit zgjedhor nga mbështetës të opozitës. Edhe ambasadori gjerman, Peter Zingraf e cilësoi tryezën e parë për reformën zgjedhore si hap në drejtimin e duhur, megjithë debatet që pati.
“Tryeza e sotme e organizuar nga OSBE dhe Kuvendi i Shqipërisë është një hap i parë i rëndësishëm i një dialogu gjithë-përfshirës dhe bipartizan, për t’i dhënë reformës zgjedhore një shtysë të re”, do të shprehej ambasadori Zingraf, ndërsa përshëndeti të gjithë aktorët që morën pjesë në tryezë. “Kjo tregon gatishmërinë, për të marrë përgjegjësi për të ardhmen e Shqipërisë”, tha ai duke theksuar edhe njëherë rëndësinë e Reformës për ecurinë e Shqipërisë në integrimin europian. Edhe ambasadori Soreca, theksoi nevojën për dialog ndërpartiak për adresimet me shpetësi të rekomandimeve të ODIHR dhe kapërcimin e situatës aktuale politike.
Megjithëse përfaqësuesi i opozitës jashtëparlamentare e cilësoi si njeri me konflikt të pastër interesi me zgjedhjet e lira, kryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, e cilësoi tryezën si sinjal dialogu. “Mesazhi doli i qartë se PD ka vijuar interesimin. Ne duhet të kërkojmë dialog nga të gjitha palët. Vetë Parlamenti ka marrë parasysh edhe elementin e opozitës jashtëparlamentare. Ndërkombëtarët janë pjesë e këtij procesi dhe jam i bindur se edhe pjesëmarrje PD është shenjë pozitive”, u shpreh Gjiknuri duke përsëritur se është i gatshëm të rishohë pozicionin e tij si kryetar i komisionit të posaçëm të Reformës, nëse PD bëhet pjesë e tij. Për kërkesën e opozitës për një strukturë të posaçme ekstraparlamentare me ndërkombëtarë për Reformën Zgjedhore, Gjiknuri do të thoshte se mekanizmat jashtë parlamentit janë të vështirë, pasi reforma do të votohet në Kuvend.
Ndonëse trysnisë së opozitës i është bashkuar edhe rezoluta e grupeve parlamentare CDU/CSU dhe SPD të Bundestagut , kryeministri Rama gjithaq nuk duket se është zmbrapsur.
Strukturë ndërkombëtare dhe përkthyes në gjuhë të huaj për t’u marrë vesh me shqiptarët, kryeministri Rama deklaroi dje nga ShBA, se nuk ka për ta pranuar kurrë. Kryeministri Rama theksoi rëndësinë për kalimin e të gjitha ndryshimeve në ligjin zgjedhor që kanë brenda të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR, për të marrë kështu një datë për konferencën e parë të anëtarësimit. Ashtu si opozita, edhe kryeministri ka shprehur koherencën e qëndrimeve të tij, duke ia kthyer presionin opozitës jashtëparlamentare se për miratimin e Reformës Zgjedhore nevojitet vetëm parlamenti. “Pjesa e parë, përmbushja e këtij kushti dhe garantimi i një ligji zgjedhor që ka brenda të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe pjesa e dytë t’i japim kohë vetes që të diskutojmë për të gjitha aspektet e tjera dhe të dëgjojmë të gjitha kontributet, të gjitha idetë”, është shprehur Rama nga Asambleja e OKB-së, në Nju Jork, duke theksuar edhe njëherë rëndësinë për të miratuar Reformën sipas rekomandimeve, ndërsa pjesa tjetër e diskutimeve, të cilën e cilësoi jo të domosdoshme, mund të bëhej në një moment të dytë. “Për pjesën e parë nuk ka nevojë për opozitën joparlamentare. Por besoj se opozita joparlamentare nuk është kundër. Janë rekomandime që janë si e bardha mbi të zezë. Kjo duhet Shqipërisë tani. Nuk i duhet as PS-së, por Shqipërisë”, është shprehur kryeministri, ndërsa kreu Basha vetëm dy ditë më parë u shpreh se PD do të bëjë gjithçka është e mundur që Shqipërisë t’i çelen negociatat, edhe pse kushtet e vendosura nga gjermanët i cilësoi si dështim të qeverisë Rama. Megjithëse Rama thekson se rekomandimet e ODIHR mund të kalojnë me votat e parlamentit, opozita parlamentare ka kërkuar ndryshim të sistemit zgjedhor, ndërsa kryetarja e grupit parlamentar demokrat, Rudina Hajdari ,është edhe bashkëkryetare e Komisionit të Reformës Zgjedhore.
Kryeministri është ndalur edhe tek pika tjetër e kushteve, që qeveria e tij duhet të plotësojë deri në konferencën e parë të anëtarësimit, për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, duke shprehur se vetingun nuk e bën qeveria dhe se është proces i monitoruar nga ndërkombëtarët.
Ndoshta pikërisht përfshirjen dhe monitorimin e ndërkombëtarëve ka pasur parasysh PD dhe opozita e bashkuar ndërsa dolën me propozimin e tyre të fundit për t’i përfshirë ndërkombëtarët në Reformën Zgjedhore. Sipas kreut të PD-së, ata që janë subjekt i hetimeve penale, janë në konflikt interesi me Reformën Zgjedhore, ndërsa në konferencën për mediat e quajti Komisionin e Reformës Zgjedhore pa legjitimitet.
Kryedemokrati u ndal edhe njëherë tek vullneti politik për zgjidhjen e krizës, ndërsa zbuloi se në qershor ka qenë kryeministri Rama që ka refuzuar angazhimin e faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës, ndërsa PD ka thënë po. Përfshirja e ndërkombëtarëve deri në nivel të Reformës Zgjedhore, vjen si ndryshim kursi ku vetëm disa kohë më parë Basha do të shprehej se zgjidhja nuk do të vijë nga jashtë. Por një parashtresë e aleatëve të tij, përfshinte nevojën për dialog për zgjidhje të krizës me prezencë të ndërkombëtarëve.
Por edhe pse kanë kërkuar hapur një strukturë të posaçme me ndërkombëtarë, që të mund t’i besojnë Reformën Zgjedhore me të cilën do të luajnë më pas vetë partitë politike, duke nisur nga zgjedhjet e ardhshme, përfaqësuesi i PD-së do ta braktiste tryezën, ku të pranishëm ishin edhe ekspertë ndërkombëtarë të ODIHR. Tashmë që kartat u hodhën në tavolinë, ka pak mundësi për blof dhe do ta vijojë lojën pa kompromise ai që ka dorën fituese. /Gazeta Liberale