Krye

Erasmus Days 2021/ Ndërkombëtarizimi, UET mbledh partnerët brenda dhe jashtë vendit

               Publikuar në : 10:22 - 16/10/21 liberale

Ditët e Erasmus 2021 sollën një sërë aktivitetesh në UET me pjesëmarrjen e studentëve dhe partnerëve nga universitete të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Përveç prezantimit të projekteve aktuale, u fol për zgjerimin e kapaciteteve bashkëpunuese

Prej 5 vjetësh Universiteti Europian i Tiranës është pjesë e programit Erasmus, duke hedhur kështu hapa të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit. Gjatë kësaj periudhe, nga Bashkimi Europian janë marrë mbi 1.2 milionë euro grante në formë bursash, për studentët dhe stafin e UET-së. Mbi 350 studentë kanë zhvilluar një apo dy semestër mësim në një universitet europian, ndërsa mbi 250 pedagogë kanë përfituar nga shkëmbimi i eksperiencave, duke prekur auditorët e universiteteve të tjera. Po ashtu, UET është pjesë e 16 projekteve me mbi 150 partnerë, me një fond që kap shifrën prej 2.5 milionë eurove, ndërsa është lider vetëm në projektin e- VIVA.

Në aktivitetet e organizuara nga UET për Erasmus Days 2021 morën pjesë partnerë nga vende të Bashkimit Europian, si Polonia e Spanja, si dhe përfaqësues të universiteteve të ndryshme në vend, nga Tirana, Durrësi, Korça, si dhe nga Gjakova. Rektori i UET-së Tonin Gjuraj e quajti një ditë të madhe, teksa theksoi se ndërkombëtarizimi është një strategji që po shihet me prioritet të madh nga UET.

“Zyra jonë, për projekte dhe partneritet, është duke u përsosur në aspektin e ndërkombëtarizimit. Jemi vërtet krenarë për punën e tyre. Po ashtu, në të ardhmen e afërt, ne do ta vendosim më shumë theksin në ndërkombëtarizimin e kurrikulës. Ne sapo kemi filluar të flasim dhe jemi në fazat e para të negocimit me agjencinë e sigurimit të cilësisë në Mbretërinë e Bashkuar për të pasur riakreditim nga një agjenci ndërkombëtare. Ne do të ndërkombëtarizojmë procedurat që kanë të bëjnë me burimet njerëzore me zhvillimin e kërkimit”, u shpreh Gjuraj, duke nënvizuar sërish se e ardhmja, jo vetëm për UET-në, por për të gjithë universitetet shqiptare është ndërkombëtarizimi.

Prof. Dr. Fatmir Mema, Dekan i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, i cili është partner i UET-së në projektet ndërkombëtare, vlerësoi bashkëpunimin dhe çmoi profesionalizmin, saktësinë dhe ndihmesën që ka gjetur në UET.

“E vlerësoj bashkëpunimin e Fakultetit tonë me Universitetin e Europian të Tiranës, në disa plane. Ne kemi një projekt të fundit bashkëpunimi. Në këtë kuadër do thosha vetëm disa fjalë: profesionalë, të saktë, bashkëpunues, ndihmues. Në çdo kërkesë, jam i sigurt që përgjigjja e parë e plotësimit të kërkesës do të vijë nga UET”, theksoi Mema.

Përfaqësuesi i Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Dr. PhD. Niko Tereza, e cilësoi aktivitetin një mundësi të mirë për të ndarë opinionet mbi projektet më të rëndësishme në të cilat janë përfshirë. Më tej ai u shpreh, se UET dhe Universiteti i Durrësit kanë një histori të gjatë bashkëpunimi, fillimisht nëpërmjet projektit e-VIVA dhe tani me projektin KALCEA, që ka të bëjë me reduktimin e CO2 dhe prodhimin e energjisë nga panelet diellore.

Kur mora pjesë në këtë projekt, ne diskutuam shumë në detaje për këtë çështje. Le të jetë kërkimi i parë, pasi siç e dini, është një çështje shumë e rëndësishme. Në Angli, në 25 të këtij muaji, në një takim 2 javor, do të jetë i pranishëm edhe Presidenti Biden. Ne do të marrim pjesë dhe do të paraqesim hulumtimin tonë për këtë çështje, duke shpresuar që në një të ardhme të jemi pjesë e kërkimit Evropian. Erasmus krijon mundësi bashkëpunimi, duke na ndihmuar të marrim pjesë në këtë problem, të mësojmë të mbajmë dhe të përdorim të mirat e vendit tonë, gjithmonë në drejtimin e duhur”, u shpreh profesor Tereza.

Koordinatori i Zyrës Kombëtare Erasmus në Shqipëri, Oltion Pengu shprehu mirënjohjen për punën e bërë deri tani, duke shpresuar që ky bashkëpunim të zgjerohet më shumë në të ardhmen.

“Të gjithë duhet ta dini se tani ekziston një program i ri Erasmus Plus, që ofron mbështetje dhe financa shtesë, jo vetëm për institucionet e arsimit të lartë, por edhe në trajnimin e arsimit profesional, si dhe në fushën e të rinjve dhe sportit”, nënvizoi Pengu.

Më tej, Drejtori i IT në UET, Agim Kasaj prezantoi arritjet e njërit prej projekteve të implementuara nga UET, DETALIT, i cila ka pasur në fokus kompetencën e aftësimit të studentëve në përpunimin e të dhënave.

“Fokusi i këtij projekti ka të bëjë me rritjen e aftësisë së studentëve për leximin, analizimin dhe përpunimin e të dhënave. Për fat të mirë, sot informacioni nuk ka mungon. Problemi që ndjejnë sot kompanitë, përfshirë edhe UET-në, është aftësia e punonjësve për të përpunuar të dhënat. Sot duhet që çdo punonjës i kompanisë duhet të jetë në gjendje t’i përpunojë ato. Pavarësisht vendit të punës e pozicionit, të gjithë duhet të kemi aftësi të gjejmë, grumbullojmë, pastrojmë e përpunojmë dhe t’i paraqesim që të marrim vendime”, tha Kasaj, i cili ndau certifikatat e aftësimit për të gjithë studentët e trajnuar në këtë projekt.

Në përmbyllje të aktivitetit, drejtuesja e Zyrës së Projekteve dhe Partneriteteve në UET, Ketrina (Çabiri) Mijo, theksoi se ndërkombëtarizimi është një proces i pandalshëm, pavarësisht rrethanave dhe kushteve në të cilat ndodhet një shoqëri.

“Të punosh me një projekt, nuk është vetëm të çosh përpara një detyrë, por të arrish një output me çdo rezultat të mundshëm dhe në çdo kohë. Jam e lumtur të them se ndërkombëtarizimi si proces, si koncept ia del në çdo kohë. Ia doli në pandemi, ia doli edhe post pandemisë, ia del në universitet dhe përtej tij”, u shpreh Mijo. /Gazeta Liberale

Tags: , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back