Aktualitet

Erasmus Day 2021 në Kolegjin Profesional të Tiranës

Shkruar nga Liberale

KPT vjen me një përmasë të re, atë të ndërkombëtarizimit

Prej tre vitesh Kolegji Profesional i Tiranës e ka kthyer në traditë pjesëmarrjen në Ditët Erasmus duke organizuar aktivitete të ndryshme që kanë në fokus ndërkombëtarizimin dhe zgjerimin e bashkëpunimeve profesionale dhe akademike.

Ky vit erdhi me një risi, pasi KPT i zhvilloi Ditët e Erasmus në formën e një workshopi, me temë “Fuqizimi i brezit të ri nëpërmjet aftësive digjitale dhe mobilitetit". Në një aktivitet të organizuar në ambientet e Kolegjit, me pjesëmarrjen e drejtuesve dhe stafit akademik, përfaqësues nga Bashkia Tiranë, partnerë nga fusha e biznesit dhe industrisë dhe partnerë të projekteve ku KPT është shpallur fitues, disa prej të cilëve u bashkuan nëpërmjet platformave online, u fol mbi  ecurinë dhe mbarëvajtjen e projekteve, objektivat kryesore dhe benefitet e marra prej secilit.

Deri tani, KPT është pjesë e 5 projekteve të mbështetura nga Bashkimi Europian, me partnerë brenda Shqipërisë dhe jashtë saj, ndërsa më shumë se kurrë fokusin e ka në zgjerimin e bashkëpunimeve, për të ofruar më shumë mundësi për studentët dhe stafin e vet.

Rektori i KPT-së, Prof. Dr. Luan Karçanaj vlerësoi pjesëmarrjen në këto projekte si një mundësi për zhvillimin e mëtejshëm profesional, por edhe nxitjen e hulumtimeve shkencore.

“Kjo është një punë e madhe natyrisht dhe ne jemi në rrugën e drejtë. Pandemia solli një normalitet të ri në të cilin, gjejmë plot sfida dhe mundësi. KPT vjen me një përmasë të re: atë të ndërkombëtarizimit. Puna dhe përkushtimi i stafit, është përkthyer në 5 projekte të rëndësishme ku KPT është pjesë: Moduli Jean Monnet, projekte të Erasmus + në ndërtimin e kapaciteteve në arsimin e lartë dhe projekte në skemën pilot të mobilitetit për arsimin profesional. Patjetër që ka shumë punë për të bërë, po dhe dëshira dhe përkushtimi janë po aq të mëdha dhe unë jam i bindur që jemi në rrugën e duhur! Pjesëmarrja në projekte është edhe nxitje, që krahas procesit mësimor të zhvillohen edhe kërkime shkencore, aq të nevojshme dhe që i shërbejnë institucionit, aq sa edhe shoqërisë. Pjesëmarrja e studentëve në projekte po ashtu është nxitje për përfshirje dhe aktivizim më të madh”, u shpreh Karçanaj.

Koordinatori i modulit Jean Monnet në KPT, “Përqafimi i Axhendës Dixhitale të BE -së: Sfidat dhe Mundësitë e Transformimit Dixhital në Shqipëri”, Dr. Erjon Curraj, ndau me pjesëmarrësit mendimet e tij mbi fuqizimin e rinisë nëpërmjet aftësive digjitale në vend duke marrë në konsideratë reformat kryesore të digjitalizimit në BE. Dr. Curraj theksoi nevojën për të adresuar hendekun në aftësimin digjital, duke u fokusuar në digjitalizimin gjithëpërfshirës dhe ndikimin e  përmasën e tij në arsim, krahun e punës dhe të drejtat e njeriut.

Moduli Jean Monnet në KPT ka si qëllim zhvillimin e një kurrikule module inovative dhe njohuri të ekspertizës profesionale mbi Axhendën Dixhitale të BE-së dhe sfidat dhe mundësitë e lidhura për Shqipërinë në mesin e komuniteteve të studentëve. Po ashtu nëpërmjet projektit synohet rritja e dialogut mes profesionistëve të rinj në sektorin publik dhe privat, shoqërisë civile dhe mediave.

Znj. Kleina Kasanai, Drejtor i Përgjithshëm në Agjensinë Kombëtare të Rinisë, si i vetmi institucion shtetëror që zbaton politikat rinore, duke folur për rininë shqiptare në këtë dekadë të re, vuri theksin te puna, arritjet dhe angazhimi i AKR me brezin e ri dhe fuqizimin e tyre e mundësitë për bashkëpunimin.

Znj. Faola Hodaj, Drejtoreshë e Inovacionit në Bashkinë Tiranë, u ndal te arritjet konkrete në sektorin e inovacionit, te aplikacionet e larmishme që afrojnë bashkinë me qytetarin dhe qasjen dhe mbështetjen e të rinjve në inovacion.

Takimi vijoi me prezantimin e dy projekteve të rëndësishme të KPT në lidhje me mobilitetin e studentëve dhe stafit. Në një lidhje me ZOOM nga Italia, Ilaria Perin, ENAIP Net – lider i projektit, foli ndër të tjera, mbi mundësitë që ofron MoVET per hartimin e strategjive të ndërkombëtarizimit falë partnerëve nga vendet BE dhe praktika të studenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në vende të BE.

Për ta përforcuar më shumë rëndësinë që projekti MoVET ka në ndërtimin, rritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve institucionit, forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit dhe mobilizimin e studentëve dhe stafit akademik, Jola Osmënaj, në rolin e Përgjegjëses së Zyrës së Karrierës në KPT, prezantoi rolin që KPT ka në këtë projekt.

Pedagoge Enxhisa Shurdha prezantoi projektin  “Connected through mobility”, një projekt i shtrirë në 3 vjet e gjysëm. Synimi i këtij projekti është të forcojë lidhjen mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Europës Qendrore. Ai implementohet nëpërmjet praktikave afatshkurtra dhe afatgjata të studenteve në vende të ndryshme te Europës qëndrore, si dhe trajnimeve të akademikëve.

Pjesë e bashkëbisedimit u bënë edhe drejtues të sipërmarrjeve të ndryshme në Shqipëri, të cilët ofruan mbështetjen e tyre të mëtejshme për zhvillimin e praktikave për studentët, punësimit të tyre, ofrimin e ekspertizës në përmirësimin e kurrikulave mësimore, në mënyrë që t’i përgjigjen tregut me profesionalizëm sa më të lartë.

KPT po tregon se do të vazhdojë me sukses në rrugën e nisur drejt ndërkombëtarizimit, shkëmbimeve të studentëve dhe stafeve, për t’u njohur me praktika të reja.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH