Kryesore

Enveriada, si kapitull i pambaruar i kodeve homerike

               Publikuar në : 10:09 - 18/01/21 liberale

Ermir Nika

Një libër s’mund të jetë kurrsesi një titull, as edhe vetëm një kopertinë sepse gjithmonë në të shtrihet një kep i pashkelur, ndonëse brigjet e tij i kanë rrahur erërat, shirat dhe në të kanë banuar dikur krijesa, të cilat ndër kohë që përcjellin, bekojnë e nëmin njëra-tjetrën, rrëfejnë vetveten.

Kritika e një libri, aq më tepër e një romani nuk mund të nisë asnjëherë kështu! Gjendur në  rrethanat që dikton përditshmëria, e cila gjithmonë e më shumë po sendërton marrëdhënie virtuale e në masë të gjerë të përcipta, qasja ndaj një vepre sot është një ndër sfidat dhe provat më të vështira për lexuesin dhe përcjellësit apo gjykuesit e tij, në shtresat dhe brezat e ndryshëm që përbëjnë dhe ripërtërijnë shoqërinë e sotme dhe atë të së nesërmes. Kjo, sepse një vepër e shkruar nuk mund të vlerësohet apo të peshohet për vlerën që zë në gamën e madhe të botimeve, vetëm nëpërmjet përshtypjes sipërfaqësore, ashtu siç ndeshim rëndom në kronika apo reportazhe, tek të cilat është tejet e vështirë të njohësh e të veçosh një tipar dallues dhe identifikues për një libër të caktuar.

Kjo parantezë besoj se nuk ka për qëllim të sfidojë asnjë shembull apo situatë që vërvitet në media të ndryshme, madje edhe nëpër tubime tashmë të zakonshme ku analizohen dukuri të artit në përgjithësi dhe mbi letërsinë në veçanti. Aspak. E nënvizoj këtë fakt jo pak të njohur dhe mbizotërues në përditshmërinë tonë, nisur nga një tregues i pamohueshëm, i cili në çdo epokë apo rend social, ka bërë të kuptojmë se jo gjithkush mund të merret me politikë, e për më tepër jo çdokush mund t’i kushtohet krijimtarisë e ndër të tjera, arrin të zotërojë mendimin kritik.

Assesi, nuk mund të merrja përsipër të shkruaja një vlerësim për romanin “Enveriada” të autorit Alfred Peza, pa qëmtuar të shmang së pari prirjen për paragjykim dhe gjykim të përciptë, që shfaqet shpesh e më shpesh. Tek cilido libër, porta për të trokitur tek autori mbetet e vetmja udhë, apo shteg leximi i veprës së tij. Ashtu si kushdo, edhe unë më së shumti Alfred Pezën e kam njohur si gazetar, i cili krijoi një profil të spikatur në median elektronike dhe atë të shkruar dhe më pas në angazhimin e tij politik, duke u përpjekur të japë e të shpalosë përmasën e tij në proceset politike që po kalon vendi ynë. Lidhur me këtë, nuk jam fort i sigurt se në çfarë dimensioni do të jetë roli dhe gjurma e tij në realitetin politik, pasi në këtë prizëm më mungon përvoja e njohjes në detaj dhe busulla e orientimit në dritë-hijet politike. Ajo që shoh me vëmendje, mbetet përpjekja e tij serioze për të shënjuar emrin e tij në kulturën bashkëkohore të shkruar shqipe, si në publicistikë, së fundi edhe në letërsi. Siç po duken bathët, Peza me synimin që po e kthen në përpjekje, dhe përkushtimin që e ndërton nëpërmjet rrëfimtarisë, rreket të ndërtojë zotërimet e veta në këtë vis të sunduar gjithmonë nga elitat. Në këtë ritual, i cili më së shumti i përngjan një dueli ku me gjasë nuk do të ketë as fitimtar por edhe as të humbur, shihet qartë se tashmë ai e ka hedhur dorashkën e sfidës me të tjerët.

Nëse dikush do të nisë të përshkruajë ngjarjet dhe personazhet që janë ngujuar në këtë roman, do të kuptojë së autori nuk bën as edhe përpjekjen më të vogël për të magjepsur kënd. Më se shumti ai shfaqet si një dëshmitar i fshehur në një kënd disi të padukshëm që kërkon të ritregojë ngjarje dhe episode të së shkuarës, në të cilën nuk depërtonte lehtësisht kushdo dhe mbi të gjitha kur pjesa dërmuese e protagonistëve tanimë nuk i përkasin më rrezes dhe perimetrit të kësaj bote.

Romani “Enveriada”, natyrshëm renditet krah tipologjisë së romaneve “Thikat” të Neshat Tozajt, “Vjeshta e ankthit” të Bashkim Shehut apo “Pasardhësit” të Ismail Kadaresë. Në këtë pikë nuk mund të lihet pa nënvizuar fakti se artistikisht vepra më e përkryer sa i përket rrafshit krijues i përket romanit “Pasardhësi” të Kadaresë, pasi shkrimtari në këtë roman, tejkalon dukshëm realitetin dhe e tjerr subjektin në sfera të tjera, në analogji me epoka të tjera të historisë së njerëzimit. Kurse në shembujt e autorëve të tjerë si Tozaj, Shehu apo së fundi Peza, subjekti por edhe struktura romanore e tyre është e mbarsur dendur me realitet dhe përvijim të hemisferave të padukshme të  mbikëqyrjes dhe drejtimit të jetës në këtë cep të planetit. Trilli artistik, më së shumti rreket të krijojë sfond, sesa një realitet të prekshëm. Në vozitjen e heshtur që narratori i bën itinerarit ku zbërthehet subjekti, ngjarjet e njëpasnjëshme dhe fatet e personazheve, të krijohet ideja se njerëzimi ende ka mbetur i ngërthyer në destinin që përcaktojnë kodet homerike, të cilat bartin ngritjen dhe rënien e perandorive që klonojnë në heshtje njëra-tjetrën.  Ndryshe nga autorët e sipërcituar, Peza e shtrin optikën e trajtesës dhe nuk mbetet vetëm në historinë e natës së 18 dhjetorit të viti 1981, ku u gjet i vdekur në rrethana të papritura kryeministri i Shqipërisë Mehmet Shehu. Përkundrazi, autori duke parapëlqyer të mbetet një bashkudhëtar në zonën e rrezikut, guxon të ndërtojë të kaluarën edhe në vitet e mëpastajme, në periudhën e pritshmërive dhe transformimeve të mëdha. Nëpërmjet asaj formule që shpalos Peza për ndërtimin dhe funksionimin e diktaturës, dashur apo padashur ai ka përvijuar edhe atmosferën  dhe linjat mbi të cilat do të ngjizej dhe merrte jetë tranzicioni shqiptar. Për më tepër, në romanin që po më ngas të shkruaj këto radhë, më nervozon jo pak ideja se me anë të një nënteksti të mjegulluar disi, autori i shtyn jo pa qëllim dhe objekt më tej urët, për t’u përqendruar drejt Lindjes. Pikërisht aty ku përflitet nën zë dhe disi në mënyrë spontane, atje në atë provincë të Polonisë, mbledhja e padukshme e krerëve të shteteve të vendeve komuniste, Katovica edhe pse e padukur aspak në tekst.

Kështu, nuk hezitova aspak të zbardhja përpara lexuesit e të renditja disi çrregullt mendimet e mia mbi ketë vepër, e cila është e ndërtuar dhe mezi mbahet nën  një strukturë romanore, por nuk mbetet vetëm në këtë suazë sepse ajo me vetëdije e nëpërkëmb formën e saj, duke kaluar dhe u lexuar edhe si fashikuj të pashkëputura të kujtesës, apo edhe si një dëshmi që njehsohet me trajtën e një antropologjie politike.

Në përfundim, pasi përthyen edhe faqen e fundit të “Enveriadës”, lexuesi përjeton dramën e etërve, aktin e parë dhe të fundit, i cili si për ironi u luajt në prapaskenë me protagonistë të gjallë e të vdekur, hijet e të cilëve po duket se ende trazojnë dhe përcaktojnë vijimësinë e banorëve të grumbulluar disi rastësisht në këtë planet, i cili duket se nuk i përket atyre që ende frymojnë të bezdisur në sipërfaqen e tij. /Gazeta Liberale


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back