Dossier

Enver Hoxha: Kujdes me Kadarenë, nesër do të jetë disident

               Publikuar në : 09:48 - 04/05/19 V Liberale

Raportet e shkrimtarit Ismail Kadare me regjimin e Enver Hoxhës duket se nuk kanë qenë të lehta. Pas publikimit të dokumenteve nga Dashnor Kaloçi nga UET PRESS “Kadare dhe regjimi komunist”, ku për herë të parë, u pa tensioni që ishte mes shkrimtarit dhe pushtetit, emisioni “Opinion” në “TV Klan” ka bërë publike një bisedë sekrete mes Kadri Hazbiut dhe Enver Hoxhës me në fokus shkrimtarin e madh Kadare. Sipas bisedës që po e botojmë më poshtë, duket qartë se Hoxha i trembej famës dhe talentit të shkrimtarit dhe se dyshonte se ai mund të ishte spiun i francezëve. Kjo është arsyeja që shteti komunist i ka refuzuar shpeshherë ftesat nga botuesi francez për të udhëtuar drejt Francës. Vetë Kadareja e ka shprehur nëpër intervista të ndryshme se ajo që e bëri t’i shpëtonte komunizmit ishte lexuesi i huaj dhe fakti që librat e tij ishin përkthyer në Francë. Vetë Enver Hoxha e tregon qartë që nuk donte t’i jepte Perëndimit një disident.

Pjesë nga biseda mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut

Kadri Hazbiu: Drejtim tjetër, mendoj unë, shoku Enver janë funksionarët e ambasadës franceze në Tiranë.

Enver Hoxha: Kush, francezët?

Kadri Hazbiu: Po, edhe francezët mund të jenë futur në punë spiunazhi kundër nesh.

Enver Hoxha: Janë implikuar në këtë çështje?

Kadri Hazbiu: Një herë mundësia është, se lidhjet me foni me Mehmet Shehun, në qoftë se ky ka pasur një aparaturë të tillë duhet t’i mbante me francezët, për arsye se survejimi ka pas frikë që disa herë francezi gjoja për të dëgjuar muzikë, shkonte nga Shën Prokopi. Edhe drejtimi i antenave të radiolidhjes që ne vajtëm i pamë me shokun Ramiz në shtëpinë e Mehmet Shehut, mendoj ka qenë. Një kjo. E dyta, kam frikë se francezët mund të kenë pasur si ndërlidhës dhe Ismail Kadarenë.

Enver Hoxha: Cilin? Ismail Kadarenë?

Kadri Hazbiu: Po, po, Ismail Kadarenë. Nuk e di nëse ju ka rënë juve në sy që shtypu francez tani …

Enver Hoxha: Jo vetëm që më ka rënë në sy, po e pe ç’ka bërë tjetër shtypi francez? Libraria që ndodhet përpara ambasadës sonë në Paris një vitrinë të tërë ia ka kushtuar Ismail Kadaresë. Atje pyetën ambasadorin tonë se çfarë kritike i keni bërë ju Ismail Kadaresë në Lidhjen e Shkrimtarëve? Megjithatë unë mendoj se Ismail Kadareja s’është nevoja t’i bëjë këtu, në Shqipëri, takimet me francezët, se kushedi sa herë ka shkuar ai në Paris, ku është takuar me Fajarin e me të tjerë.

Kadri Hazbiu: Ky është një drejtim i mundshëm, prandaj rrethi i tij mendoj se duhet parë me kujdes, shoku Enver.

Enver Hoxha: Duhet kujdes, duhet Kadri, se ai do të na bëhet nesër një disident, në qoftë se ne do ta lejojmë këtë njeri të vejë në Francë dhe ky do të përpiqet të gjejë shumë arsye për të vajtur. Një nga këto arsye mund të jetë filmi që ka nja pesë vjet që flitet se po përgatitet, kurse në pesë vjet mund të xhirohen dhjetëra filma dhe jo të mos bëhet dot nga ana e francezëve një film si ai për “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”. Ky film është si një tryelë që francezët e kanë ngulur te ne për të varur kapelën e Ismail Kadaresë. Tani na vihet problemi do ta lejojmë ne Ismail Kadarenë të vejë në Francë? Atë e kish ftuar Fajari, gjoja për të shtypur një libër që ka dërguar atje. Po ne nuk e lejuam Ismailin të vente. I thamë përse dëshiron të vesh? Librin francezi e shtypi natyrisht pa e pyetur fare këtë dhe s’kishte pse ta pyeste, po patjetër që e ka thirrur t’i thoshte diçka për Mehmet Shehun.

Kadri Hazbiu: Kështu është, shoku Enver.

Enver Hoxha: T’i thoshte për Mehmet Shehun ç’është gjithë kjo histori, t’i tregonte një çikë për Ministrinë e Jashtme.

Kadri Hazbiu: Mundet që të jetë realizuar edhe ndonjë lidhje nëpërmjet këtij. Në drejtim të francezëve unë kam këtë dyshim shoku Enver që …

Enver Hoxha: Edhe mund të jetë realizuar …

Paranojat e Enverit: Berberi, agjent i jugosllavëve

Ishte koha kur Enver Hoxha kërkonte të shpallte armiq dhe paranojat për spiunim binin mbi këdo. Kjo bisedë e papublikuar më parë mes diktatorit dhe Kadri Hazbiut tregon se si Hoxha aludonte se dhe berberi mund të spiunonte te Jugosllavët. Akuzën se berberi i hotel “Dajtit” bënte spiunazh, Enver Hoxha e lidhte me faktin se ai kishte qenë berberi i Mehmet Shehut. Ky i fundit kur është zhvilluar kjo bisedë, ishte shpallur “mik” e agjent i jugosllavëve.

Pjesë nga biseda

Enver Hoxha: Po, po!

Kadri Hazbiu: Shumë njerëz të tjerë na ngatërrohen atje me berberin.

Enver Hoxha: Shumë njerëz? Mos janë funksionarë të “Dajtit”?

Kadri Hazbiu: Jo funksionarë të “Dajtit”, po janë nga ata që kanë frekuentuar hotel “Dajtin” herë pas here, si Viktor Kushi, Nesti Nasja, Nedini …

Enver Hoxha: Po nuk mund të dimë ne gjë me saktësi më tej për këta njerëz?

Kadri Hazbiu: Po këta kanë vajtur dhe me Feçorin në hotel “Dajti”.

Enver Hoxha: Po dhe me Feçorin mund të venin se edhe Feçori ministër ishte. Megjithatë unë mendoj se më shumë probabilitet ka që rrethi i këtyre njerëzve të jetë një rezidenturë, rezidentura e Feçor Shehut për të marrë kontakte të drejtpërdrejta ose nëpërmjet dikujt tjetër në ambasadën e Jugosllavisë ose të Francës në Tiranë. Feçor Shehu, siç më kanë thënë mua, ka pasur një dhomë të veçantë të vetën në hotel “Dajti”.

Kadriu Hazbiu: Po ka pasur një dhomë ku venin këta njerëz atje për të ndenjur, por edhe për të bërë dreka e darka.

Enver Hoxha: Jo mos e ka pasur sipër këtë dhomë ai, se poshtë te berberi është shumë i hapët ambienti, megjithëse mendoj se ky si berber ishte elementi më i përshtatshëm për të transmetuar mesazhe që venin e vinin, qoftë me gojë, qoftë me shkrim. Me shkrim sidomos kjo ishte një punë shumë më e lehtë për të, për arsye se kur garsoni duke të shërbyer, të sjell pjatat, ka mundësi të të fusë dhe një kartë ndërmjet tyre dhe asnjë njeri nuk dyshon gjë nga ky veprim.

Kadri Hazbiu: Po, po sikur dhe një kamerë televizive të kesh atje, hiç gjë nuk kupton.

Enver Hoxha: Hiç gjë nuk kupton, pastaj kur berberi të rruan edhe me gojë po t’i flasë, kur s’ke ndonjë magnetofon aty afër që t’ia regjistrosh ç’thotë s’merr vesh gjë. Ka mundësi që dhe dokumente të njëfarë madhësie t’i merrte jugosllavi atje. Berberi një material të tillë mund të vinte midis mjeteve të tij të punës, të cilat në këtë rast mund t’i heqë dhe t’i vërë në çantë dhe tjetri që bashkëpunonte me të, merr çantën e tij, vë brenda çantës së vet materialin që këmbën dhe pasi qethet, e merr tok me çantën. Janë mundësitë praktike për të tilla veprime. Berberi duhet të jetë i lidhur dhe me drejtorin e “Dajtit”. Drejtorin e “Dajtit” e kemi njeri të mirë?

****

Enver Hoxha: Berberi i Dajtit erdhi dhe njëherë tek unë, po u thashë që të mos më vijë më të më qethë ky njeri. Vetëm njëherë arriti më erdhi.

Kadri Hazbiu: Tani shoku Enver, kur ju ka ardhur t’ju qethë ju është tjetër punë, por kur kam qenë unë ministër ju keni pasur tjetër njeri për t’u qeshur.

Enver Hoxha: Po përse më erdhi ky, unë nuk e di arsyen …

Kadri Hazbiu: Dokumentet janë shoku Enver, dhe unë e di se ka qenë caktuar një berber tjetër për ju, që rrinte në klubin e ministrisë. Ne këtë e paguanim madje me një mijë lekë më tepër çdo muaj, se rroga e tij në lokalin e ministrisë ishte e ulët, por me qenë se ishte caktuar që ai të përdorej për të qethur shumë shokë të Byrosë Politike, natyrisht kush prej këtyre dëshironte të qethej nga ai, kurse ju ishit një nga ata që jeni qethur me Aliun, Ali e quanin.

Enver Hoxha: Aliu, po, ky ishte. Tani ky ka ikur, më vonë më keni dërguar një tjetër.

Kadri Hazbiu: Më vonë nuk e di se kush iu ka ardhur.

Enver Hoxha: Mua më kanë ardhur gjithsej deri tani katër berberë për të më qethur. Më erdhi fillimisht një berber, në tërë kuptimin e fjalës nuk bënte se i dridhesh dora. Arsyen nuk e di përse, mbase dhe frikë kishte të më qethte apo ishte i impresionuar, këtë s’e them dot, por u thashë shokëve që ky të mos më vinte më. Pas këtij erdhi Aliu. Ky ishte njeri i mirë, më duket se ishte kosovar. “Ku punon ti?”, e kam pyetur njëherë. “Punoj në klubin e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, m’u përgjigj. “Qenka njeri i mirë”, thashë me vete. Por pas disa vjetësh ai u plak, doli në pension, prandaj në vend të tij më dërguan një tjetër, një të ri, tiranas.

Kadri Hazbiu: Edhe këtë tiranasin, më duket e kam miratuar unë.

Enver Hoxha: Edhe ky ishte njeri i mirë. E pyeta njëherë edhe këtë: “Ku punon ti, në klub të ministrisë?” “Unë punoj në klub”, m’u përgjigj ai, “jam në dispozicion dhe shkoj kur më kërkojnë”. “Po mirë i thashë unë, shumë mirë.”

Kadri Hazbiu: Ky punonte në një nga berberhanet e qytetit.

Enver Hoxha: E di unë edhe këtë, se ishte dërguar nga Sigurimi të më qethte. Ishte njeri i mirë. Nganjëherë e pyesja si është tregu, ka zarzavate a s’ka zarzavate, ka vezë, si është furnizimi me bulmet dhe ai m’i thoshte të gjitha. Pas ca kohësh me erdhi një ditë ky miku.

Kadri Hazbiu: Këtë se di unë. Po, nejse, xhanëm ky s’është dyshuar atëherë për njeri të keq dhe mund të vinte.

Enver Hoxha: Jo, po e mbante për të qethur dhe Mehmeti, ishte berberi i tij, prandaj në çantë ku fuste veglat ku vente e rruante këtë “mik” agjent të jugosllavëve, me siguri që fuste atje çdo gjë që i jepte Mehmeti ose ky i sillte Mehmetit. /Gazeta Liberale

(Visited 13 times, 2 visits today)

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *