Aktualitet

Enkeleda Hoxha, gjyqtarja që hap qelat e burgjeve për Doklen…

Shkruar nga Liberale
Enkeleda Hoxha, gjyqtarja që hap qelat e burgjeve për Doklen…

Reldar Dedaj

Lirimi i parakohshëm nga burgu i disa prej emrave më të lakuar të botës së krimit në vendin tonë, n’a kujtoi edhe njëherë tjetër diçka të njohur, por të harruar prej vitesh, e cila nisi përsëri të notonte në erë: frika. Ishte një frikë e veçantë, fare e ndryshme nga ato që përftonin sëmundjet, kusarët, fantazmat apo vdekja: frika prej drejtësisë. Protagonistët e disa prej bandave më famëkeqe, të dënuar për disa vrasje, janë edhe njëherë të lirë përmes vendimesh të dyshimta të një gjykatëseje. Ajo është Enkeleda Hoxha, gjyqtare në Gjykatën e Krujës, e cila liroi nga burgu së fundmi dhe "trurin" e bandës së Durrësit, Endrit Dokle me pretendimet se ai vuan nga sëmundje depresive dhe ku pjesën e mbetur të dënimit prej pesë vitesh do ta shlyej në shërbim prove. Vendimet e kësaj zonje n’a sjellin në vëmendje idenë se tragjizmi i kësaj bote qëndronte edhe tek fakti se njeriu duhet të mbrohet edhe nga mbrojtësi i tij, i cili duke e futur në strehëzën e vet, sigurisht që i’a merr lirinë dhe mund t’a dhunojë njësoj, në mos më keq, se ata që do të ishin konsideruar si rrezik prej të cilit duhej të mbrohej.

E ndodhur përballë kësaj dileme absurde, shoqëria, instiktivisht, në një farë mënyre, dashurohet me agresorin e parë, të egër, por sidoqoftë të sinqertë në dhunimin e tij dhe psikologjikisht nis të krijojë afeksion për të, duke e përbuzur ndihmën dalzotëse. Vendimet e kësaj gjyqtareje n’a kujtojnë një rrëfim për një shoqëri ku shumëkush është në shërbim të atyre që dhunojnë. Është rrëfim mbi prirjen për të dhunuar dhe prirjen për t’u nënshtruar. S’mund të kuptohet ndryshe një afeksion aq i madh nga të rinjtë për njerëzit e botës së krimit, duke i shtuar gjithë kësaj edhe ndihmën e gazetarëve të kronikës dhe oraret e gjata të emisioneve të darkës, ku personazhe të tilla trajtohen si njerëz të botës së filmit dhe jo si qenie të botës së krimit, a thua se s’është një botë e tillë fare degraduese, skandaloze dhe vrastare. Mjerisht, duke e heshtur këtë fenomen, n’a vijnë kriminelët. Ata nuk vijnë vetë. Kriminelët i gjejmë në mesin tonë. I formësojmë me heshtjen tonë, me frikën tonë, me qyqarinë tonë, me korrupsionin tonë, me adhurimin tonë, me verbësinë tonë. E krijojmë vetë kriminelin brenda ose jashtë shtëpisë.

Gjyqtarja Hoxha, e cila ende s’e ka kaluar procesin e vetingut, njihet për lirimin nga burgu edhe të kriminelëve të tjerë. Ajo liroi nga burgu Ilir Pajën, i njohur me nofkën “Ufo”-ja në kërkim ndërkombëtar dhe i akuzuar për disa vepra penale të kryera në territorin italian, mes të cilave edhe vrasje me dashje të mbetur në tentativë në bashkëpunim, rrëmbim dhe mbajtje peng të personit dhe marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura, por edhe i njohur për arratisjet spektakolare nga burgjet gjermane e italiane. Ndërsa ndaj tij shteti gjerman kishte dhënë dënimin për vrasje, Gjykata e Krujës vendosi ta lironte. Gjyqtarja Hoxha ka liruar me vendim të saj edhe Genc Tafilin, i akuzuar si bashkëpunëtor në vrasjen e kolonelit Arben Zylyftari, duke kryer vetëm 17 vite nga 25.

Në harkun kohor të dy viteve, vendimet e gjyqtarëve për të liruar disa prej emrave të njohur të botës së krimit, protagonistë në disa prej bandave më famëkeqe, duket se përforcojnë bindjen e kryeministrit Rama mbi organizatën kriminale brenda sistemit të drejtësisë, të njohur si “KÇK”. Kreu i qeverisë, i cili u nis nga prokurori i Durrësit Arian Ndoja për të akuzuar prokurorë dhe gjyqtarë, që nuk e kanë kaluar ende vetingun dhe të vetëdijshëm se nuk do e kalojnë, po përfitojnë ç’të mundin përmes motos “Kap ç’të kapësh” japin vendime, sipas Ramës, skandaloze. Përmes paketës “Anti KÇK”, do të thoshte kreu i qeverisë, jo vetëm që do të merren masa disiplinore për gjyqtarët dhe prokurorët përpara se të dalin para vetingut, por edhe ndaj të fortëve, të liruar me vendime të dyshimta, ndaj të cilëve do të merren masa deri në konfiskimin e pasurisë nëse nuk do ta justifikojnë.

Pavarësisht kësaj kronike, pa dashur t’i kthehemi metaforës së lartpërmendur rreth dalzotësit dhe dhunuesit, kush është kush, muajt e fundit maxhoranca ka folur shpesh ndaj organizatës “Kap ç’të kapësh”, ku kreu i grupit parlamentar Taulant Balla e quajti pjesë të saj gjyqtarin Sallaku që pushoi çështjen ndaj Lulzim Bashës, por ende s’kanë reaguar ndaj vendimit të gjyqtares Hoxha e cila liroi me kusht një të dënuar me burgim të përjetshëm. Dy vjet më parë, Bashkia e Durrësit do të lëshonte një dokument për Lul Berishën, ku ai do të kryente shërbimin e provës apo punën në komunitet pranë bashkisë në fjalë, ndërsa kryebashkiaku Dako do të thoshte se e kishte lëshuar dokumentin, siç kishte bërë edhe me qytetarë të tjerë, ndërsa ishin edhe 30 të burgosur që kryenin shërbimin e provës me punë vullnetare, pranë Bashkisë Durrësit.

Ndonëse PD ka deklaruar shpesh se drejtësia në vend, por edhe Reforma në Drejtësi, është e kapur nga Edi Rama, nuk ka pasur reagime zyrtare ndaj lirimeve të elementëve të rrezikshëm të botës së krimit megjithëse pas daljes nga burgu të Lul Berishës mediat raportuan atëkohë se kreu i selisë blu kishte realizuar mbledhje të jashtëzakonshme me strukturat e partisë, në Durrës.

Vendimet e kësaj gjykatëseje janë një gërvishtje e lehtë në sipërfaqe dhe jo depërtim i thellë në shtresat e plota të këtij fenomeni, që na josh dhe na frikëson për të shkuar më thellë. Për t’iu kthyer për të fundit herë metaforës së përmendur në krye të këtij shkrimi është rrëfimi mbi mungesën e kufirit (ose për praninë e një kufiri të shpifur) ndërmjet dhunuesit dhe dhunuesit potencial. Sepse atje ku mbaron krimi e fillon shteti dhe ku s’ka kufi të dallueshëm, po veçse një shkrirje dramatike e të frikshme mes palëve.

Bashkëpunimi i krimit me partitë politike për të kapur votën, kapja e votës për të kapur shtetin, kapja e shtetit për të vjedhur shqiptarët, vjedhja e shqiptarëve për t’u pasuruar, pasurimi i politikës dhe mafias për të mbajtur pushtetin, sjell bashkëpunimin e këtyre dy sferave me njëra-tjetrën. Dhe, e gjithë kjo histori ka një tregues të qartë tek rekordet kriminale të këtyre emrave dhe lirimi i parakohshëm i tyre nga gjykatat./Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH