Kryesore

Ende fillimi, për Reformën në Drejtësi

               Publikuar në : 09:36 - 25/11/21 liberale

Jo vetëm pastrimi i sistemit nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Ambasadorja Yuri Kim thotë se arrestimi i politikanëve të korruptuar është vetëm fillimi i Reformës në Drejtësi. Ajo bëri thirrje për institucione të pavarura, ndërsa vlerësoi arritjet e vitit 2021. Mesazhi i saj për politikanët e korruptuar vjen në një kohë kur PD kërkon ndryshime kushtetuese, të njohura si Vetingu i Politikanëve, që deri më tani nuk ka pasur mbështetje nga diplomatja. Në këtë vit të pestë të Reformës, kërkohen të tjera ndryshime kushtetuese, që lidhen me zgjatjen e mandatit të organeve të Vetingut

Suadela Ballliu

Një ditë pasi Ambasada e Shteteve të  Bashkuara të Amerikës hodhi një vështrim në  pesë vitet e Reformës në Drejtësi dhe progresit të saj – të pranuar si i ngadaltë dhe i dhimbshëm- ambasadorja Yuri Kim theksoi edhe qëllimin e fundmë, që është arrestimi i politikanëve të korruptuar.

Ndërsa maxhoranca, por edhe vetë ambasadorja amerikane, kërkojnë shtyrjen e afatit të mandateve për organet e vetingut, procesi i  pastrimit të sistemit po ecën me ritme të ngadalta. Megjithatë, për Yuri Kim, Reforma ka nisur t’i japë efektet. Në një takim në Ministrinë  e Brendshme, ajo tha se  me pastrimin e sistemin gjyqësor, ka nisur të japë efektin se pandëshkueshmëria nuk ekziston.

“E vetmja mënyrë për të luftuar krimin korrupsionin është të kemi institucione të pavarura. Policia, prokurorët gjyqtarët dhe politikanët duhet t’i rezistojnë korrupsionit”, tha ambasadorja Kim. Duke bërë një rezyme të arritjeve për vitin 2021, ajo tha se nga largimi i gjyqtarëve të korruptuar deri tek arrestimi i politikanëve, Reforma në Drejtësi  ka arritur shumë. “Ky është vetëm fillimi, në po shohim një epokë të re. Ekziston ndjesia se pandëshkueshmëria mundet”, do të shtonte ajo.

Kohë më parë ajo publikoi arritjet e Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion e madje u shkoi vizitë të papritur në zyra prokurorëve të posaçëm. Shpesh ambasadorja ka theksuar mesazhin se “askush nuk është mbi ligjin”.

SPAK ishte edhe fryti i parë i Drejtësisë në reformim, nga i cili priten rezultate domethënëse që lidhen me ndëshkimin e zyrtarëve të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar. Një nga hetimet e para, edhe të lajmëruara më herët se të ngrihej Struktura, ishte ai ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, i dënuar më vonë me dy vite burg nga GJKKO. Po ashtu, SPAK drejtoi hetimet dhe çoi në pranga kryebashkiakun e Lushnjës, me akuzat për korrupsion në një tender. Megjithatë, ambasadorja Kim duket se përcjell mesazhe të forta për politikanë dhe zyrtarë të niveleve më të larta. Përmes mjetit të DASH të përcaktimit publik “non grata”, ambasadorja u ka bërë thirrje të gjitha palëve politike që të mos sjellin në Parlament,  individë të përcaktuar për arsye të lidhur me korrupsion domethënës. Fillimisht ajo iu drejtua kryeministrit Rama, që të qartësonte se nuk ishte aleat me Tom Doshin, kreu i PSD i shpallur po ashtu “non grata” nga Departamenti i Shtetit dhe më vonë i kërkoi Lulzim Bashës të rishikonte listën. Një mesazh ky i drejtpërdrejtë për distancimin e Grupit Parlamentar të PD-së nga Sali Berisha, i shpallur “non grata”  për korrupsion dhe minim të demokracisë,  gjatë kohës që shërbeu si kryeministër i vendit.

Ky mesazh i zonjës ambasadore vjen në një kohë, kur Partia Demokratike ka depozituar në Parlament propozime për ndryshime kushtetuese, të njohura edhe si “Vetingu i Politikanëve”. Demokratët, të cilët kanë rimarrë një ide të vjetër të tyre, të parë  si të paqartë nga Komisioni i Venecias, duke caktuar SPAK si filtri i vetimit të politikanëve. Sipas kryetarit Basha, ky ndryshim kushtetues do të pastronte një herë e mirë politikën nga të korruptuarit, të etiketuar prej tij si “llumi i tranzicionit”. Për t’i bërë jehonë këtij propozimi, Basha nuk i ka kursyer as demokratët, duke pranuar se gjatë qeverisjes së mëparshme të demokratëve ka ish-zyrtarë të korruptuar. Megjithatë, ky propozim nuk ka marrë asnjë reagim nga ambasadorja Kim, e cila ka theksuar se Kuvendi duhet të miratojë zgjatjen e afateve të Vetingut. Edhe kryeministri Rama e ka cilësuar këtë si domosdoshmëri, ndërsa është shprehur se pas adresimit të këtij ndryshimi kushtetues, është i hapur për të dëgjuar kërkesat e opozitës. Megjithatë, demokratët e kanë bërë të qartë se ky nuk është prioritet i tyre në parlament. Basha ka kërkuar më herët një raport mbi performancën katërvjeçare të organeve të Vetingut. Kritika mbi afatet dhe performancën e këtyre organeve,  ka pasur edhe nga vetë socialistët, veçanërisht nga  deputeti Xhafa, i cili ka qenë një nga hartuesit e Reformës në Drejtësi.

Ambasadorja Kim ka vënë në dukje një sërë fenomenesh shqetësuese në vend, si trafiku i  drogës dhe i qenieve njerëzore, duke e cilësuar Shqipërinë një rrugë kyçe të tyre.

“Të rritet transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve , financimi i një force policore të pavarur, ndjekjen e parave të paligjshme, sekuestrimi i pasurive të kriminelëve që tashmë SPAK po e bën, të përmirësojmë sistemin dhe të punojmë së bashku për të hedhur themelet që besimi i publikut të rritet, të forcojmë bashkëpunimin tonë si donatorë dhe miq e partnerë”, tha Kim.

Po ashtu një deklaratë të fortë bëri edhe ambasadori i BE, Luigi Soreca i cili u ndal te krimi mjedisor. Sipas tij të ardhurat nga ky krim janë të krahasueshme me ato nga tregtia e drogës.

Ambasadori i BE Soreca i ka bërë apel Policisë së Shtetit që të fokusohen në luftën ndaj krimit mjedisor.

Ndërsa ministri i Brendshëm Bledi Çuçi theksoi se vëmendje të veçantë do t’i kushtohet pastrimit të parave dhe krimi kibernetik. Në 9 muaj janë sekuestruar mbi 18 milionë euro asete kriminale, tha Çuçi, ndërsa shtoi se buxheti 2022 për Ministrinë e Brendshme është 4 % më i lartë, ku pikërisht mbështetja më e madhe do të jetë për sigurinë rrugore dhe luftën ndaj krimit të organizuar.

Ndërsa Reforma në Drejtësi pret ende të pastrojë të gjithë sistemin, duke i mbushur strukturat me profesionistë të pakorruptuar dhe me dritë jeshilë nga procesi i rivlerësimit kalimtar,  presidenca ka njoftuar hedhjen e shortit për anëtarët e rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Presidenti Meta ka akuzuar shpesh se hedhja e shortit për KED u vonua në fillim të Reformës në Drejtësi, si një përpjekje e maxhorancës për ta kapur atë, ndërsa vetë u përfshi në një betejë publike por edhe ligjore me ish-kreun e KED, Ardian Dvorani, i vlerësuar nga DASH si një prej 12 personaliteteve në botë në luftën kundër korrupsionit. Me kërkesë të SPAK,  GJKKO pushoi çështjen Dvorani, ndërsa presidenca njoftoi se do ta ankimojë.

Megjithë mesazhet e forta të ambasadores Yuri Kim, ajo vetë e ka pranuar se Reforma në Drejtësi ecën ngadalë, është e papërsosur dhe e dhimbshme. Por, siç thekson ajo, ka nisur t’i japë rezultatet. Megjithëse për të dëshmuar të parat fryte të saj, janë dashur plot pesë vite dhe kërkohen gjithaq ndryshime të reja kushtetuese, të paparashikuara në ato të 2016-s.

Reforma në drejtësi në 5 vite, Ambasada e SHBA: Nuk është e lehtë, e shpejtë apo e përsosur

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka mbledhur përfaqësues të shtetit shqiptar që kanë punuar dhe kontribuuar për reformën në drejtësi. Në një postim në “Facebook” ambasada e SHBA bën një rezyme të 5 viteve të kësaj reforme, duke theksuar se progresi duhet të matet edhe nga sa larg kemi arritur në udhëtim.

Më tej ajo deklaron se reforma në drejtësi nuk është e lehtë, e shpejtë apo e përsosur dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara është mirënjohëse për ata që e kanë sjellë Shqipërinë deri këtu.

POSTIMI I PLOTË

Me mbylljen e vitit 2021, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë hedh një vështrim mbi progresin që ka bërë Shqipëria gjatë pesë viteve të para të Reformës në Drejtësi. Progresi nuk duhet të matet vetëm nga distanca deri në destinacion, progresi duhet të matet edhe nga sa larg kemi arritur në udhëtim. Paketa legjislative, duke përfshirë ndryshime të rëndësishme kushtetuese, shënoi një pikënisje për matjen e këtij progresi. Si një reformë gjithëpërfshirëse, Shqipëria zgjodhi të ndërmerrte një plan tërësor për të rivlerësuar integritetin dhe profesionalizmin e anëtarëve të sistemit të drejtësisë dhe promovimin e një kulture të re nëpërmjet ndryshimit të strukturës së institucioneve të drejtësisë nëpërmjet depolitizimit dhe decentralizimit. Përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA u mblodhën së fundmi me disa nga individët e shumtë që punojnë pa u lodhur, çdo ditë, për të zbatuar këto koncepte dhe për ta bërë reformën në drejtësi një sukses. Reforma në drejtësi nuk është e lehtë, e shpejtë apo e përsosur dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara është mirënjohëse për ata që e kanë sjellë Shqipërinë deri këtu.

Vettingu i politikanëve, Kraja kundër kryerjes së këtij procesi nga SPAK                     

Në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit ditën e sotme, po diskutohet propozimi i Partisë Demokratike mbi procesin e vetingut të politikanëve nga SPAK.

Gjatë fjalës së tij në mbledhje, kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja u pozicionua kundër marrjes së një detyre të tillë nga institucioni që ai drejton, pasi kjo do të krijonte një mbingarkesë të punës dhe do të bllokonte qëllimin primar të prokurorisë që është ndjekja penale dhe përfaqësimi i organit të akuzës në gjykatë.

“Në parim jemi pro çdo iniciative që ka si objektivë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kjo është e padiskutueshme. Është fenomen shqetësues, strukturat janë krijuar për ta luftuar, por jam i parimit që lufta nuk duhet të bëhet në një strukturë të vetme në vija të përgjithshme, pasi është e pamundur, duhet e gjithë shoqëria të jetë e përfshirë secili për pjesën e tij. Kjo është parimore.

Në raport me materialin që është përgatitur do shprehem në lidhje me përfshirjen e SPAKU-t në realizimin e kësaj iniciative. Është një procedurë administrative e parashikuar në Kushtetutë për t’u realizuar. Një procedurë administrative që parashikon rreth 200 subjekte që do t’i nënshtrohen këtij kontrolli, dhe është një procedurë administrative që do kohën e saj. Në këto kushte mendoj që me këto kritere duhet ta vlerësojmë në vijimësi.

Kushtetuta parashikon që prokuroria ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në gjykatë, kjo është detyra themelore e prokurorisë, por kryen dhe detyre të tjera. Formalisht kjo është një mundësi për t’i ngarkuar prokurorisë dhe detyra të tjera. Ajo që mendoj është se detyrat e tjera nuk duhet të bllokojnë thelbin e punës së prokurorisë që është ndjekja penale dhe përfaqësimi i akuzës në gjykatë.

Në këtë sens ligji parashikon ngritjen e një sektori në Prokurorinë e Posaçme me prokurorë de një strukturë me vendime kolegjiale, me pak fjalë është një ngarkesë e jashtëzakonshme pune që nëse do të miratohet kështu siç është do t’i shtohet prokurorisë së posaçme. Në këtë sens unë s’do ta vlerësoja jo të përshtatshme përfshirjen e Prokurorisë së Posaçme në realizimin e kësaj detyre’, tha Kraja. /Gazeta Liberale


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back