Aktualitet

Emrat/ Sekuestrohen 31 kg kanabis, arrestohen katër persona

Shkruar nga Liberale
Emrat/ Sekuestrohen 31 kg kanabis, arrestohen katër persona

Katër persona janë arrestuar në Mirëditë, për trafik dhe shitje lëndësh narkotike. Sipas News 24, janë arrestuar shtetasit Fran Gjeta, Gentian Gjeta, Denis Luli dhe Mariglen Jaku, ndërkohë që janë sekuestruar lëndë narkotike, dy automjete si dhe dy aparate celulare.

“2 grupe operacionale nga Policia e Lezhës dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, të angazhuara paralelisht për finalizimin e operacionit antikanabis të koduar “Mashtërkor”. Sekuestrohen 31 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 2 automjete dhe 2 aparate celulare.

Në vijim të operacioneve intensive për goditjen e veprimtarive kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, 2 grupe operacionale me efektivë të Komisariatit të Policisë Mirditë, DVP-së Lezhë dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë organizuar paralelisht punën dhe kanë finalizuar operacionin policor antikanabis të koduar “Mashtërkor”, si rezultat i të cilit janë arrestuar në flagrancë shtetasit: -F. Gj., 63 vjeç dhe G. Gj., 29 vjeç, babë e bir, të dy banues në fshatin Mashterkor, Mirditë; -D. L., 23 vjeç, banues në Pukë dhe M. J., 19 vjeç, banues në Mirditë. Në kuadër të operacionit “Mashtërkor”, njëri grup operacional, ndaloi në Rrëshen, për kontroll, shtetasit G. Gj., D. L. dhe M. J. Gjatë kontrollit, iu është gjetur në një çantë krahu dhe iu është sekuestruar një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis. Njëkohësisht, grupi tjetër operacional ka ushtruar kontroll të imtësishëm në banesat e të arrestuarve dhe konkretisht, në banesën e shtetasve F. Gj. dhe G. Gj. (babë e bir), janë gjetur të ndara në disa qese dhe janë sekuestruar rreth 31 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, si dhe 8 palë gërshërë me mbetje lënde narkotike, të cilat dyshohet se përdoreshin për përgatitjen e lëndës narkotike, me qëllim shitjen e saj”, njofton policia.

Mësohet se, materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprime të mëtejshme, për vepren penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH