Dy vëllezër janë arrestuar mbrëmjen e djeshme në Pogradec. Sipas policisë, në lagjen nr. 1, Pogradec, shtetasi Arsen Muço, në gjendje të dehur, ka fyer dhe ofenduar punonjësit e Policisë së Rendit, të cilët ishin duke patrulluar në këtë zonë.
Në momentin kur punonjësit e Policisë do ta shoqëronin shtetasin Arsen Muço për në Komisariat, ai i ka kundërshtuar ata me dhunë dhe nuk i është bindur urdhrit të tyre.
Më pas, përpara ambienteve të Komisariatit ka ardhur vëllai i tij, shtetasi Erton Muço, i cili gjithashtu në gjendje të dehur, ka dëmtuar portën hyrëse të Komisariatit, duke kundërshtuar punonjësit e Policisë.
Gjatë shoqërimit, në bashkëpunim me vëllanë e tij, ai ka dëmtuar orendi të tjera (tavolina dhe karrige) në dhomat e shoqërimit.
Sipas policisë, materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Shkatërrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim.