Kryesore

Emrat e rinj dhe kritikët e mbetur jashtë

               Publikuar në : 10:15 - 19/07/21 liberale

PD ka bërë të ditur emrat e 300 anëtarëve, që do të jenë në Këshillin Kombëtar të kësaj force politike për 4 vitet e ardhshme. Në listën fituese nuk janë Edit Harxhi, e cila ishte një prej kandidateve për kryetare të PD, dhe Arben Ristani, ish-Sekretar i Përgjithshëm i PD-së.

Partia Demokratike ka publikuar dje emrat e 300 anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar, të cilët u votuan gjatë së shtunës në Kuvendin e Partisë. Në lista vihet re mungesa e ish-sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Arben Ristanit, si dhe ish-kandidates për kryesinë e PD, Edith Harxhi. Të shumtë janë emrat e rinj që spikasin, duke nisur nga Marash Logu, juristi që ka përfaqësuar Partinë Demokratike në KAS, te djali i të ndjerit Sokol Olldashi, Glauk Olldashi.

Të tjerë të përzgjedhur janë dhe kandidatët të cilët nuk arritën të merrnin një mandate deputeti në zgjedhjet e 25 prillit, si futbollisti Gentian Muça, apo moderatorja Oriela Nebiaj. Anëtar i Këshillit Kombëtar është zgjedhur dhe Andi Lila, ish-futbollisti i Kombëtares, i cili ka shfaqur hapur mbështetjen e tij për demokratët në zgjdhjet e fundit. Anëtarët e rinj do të caktojnë dhe kryetarin e ri të Këshillit Kombëtar, post që aktualisht mbahet nga Bujar Nishani. Në listë është edhe deputeti Agron Shehaj, i cili kandidoi për zgjedhjet e kreut të PD në qershor. Ai të shtunën kishte parashikuar të mbante një fjalë në Kuvendin e PD por u tërhoq dhe u largua nga Kuvendi.

Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të ri Kombëtar të partisë. Ai shprehet se anëtarët kanë besimin e demokratëve dhe përgjegjësinë për të luftuar çdo ditë pranë qytetarëve dhe shtoi se ata janë e vetmja shpresë për shqiptarët që kërkojnë ndryshim.

“Mirënjohje për delegatët që në Kuvendin Kombëtar përfaqësuan demokratët anembanë Shqipërisë. Suksese Këshillit Kombëtar të përzgjedhur! Keni besimin e demokrateve dhe demokratëve dhe përgjegjësinë për të luftuar çdo ditë pranë qytetarëve, për shqetësimet e vogla dhe të mëdha të familjeve shqiptare, për të kapërcyer bashkarisht vështirësitë dhe për të qenë zëri i tyre përballë çdo padrejtësie.Sfidat që kemi përpara janë te mëdha, por vullneti dhe vendosmëria jonë po ashtu.

Këshilli i ri, i hapur për më shumë zonja dhe zonjusha, më shumë të rinj dhe të reja, do të jetë një urë bashkëpunimi me shoqërinë, për të ndërtuar së bashku një Platformë Qytetare për Demokracinë, sepse ne jemi e vetmja shpresë për shqiptarët që kërkojnë ndryshim.”, shkruan Basha.

Platforma

Në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi masakrën zgjedhore si përgjegjëse që demokratet nuk erdhën dot në pushtet as më 25 prill. Në fjalën e tij 60 minutëshe, Basha bëri me dije se misioni i tyre do të jetë platforme qytetare që do të paraqitet në Parlament e që do të ketë si synim reformën zgjedhore, kushtetuese dhe territoriale. Gjatë fjalës së tij, Basha pati mesazhe për socialistet, por dhe për kritikët demokratë që i ndan në dy kategori, ata që mbështetën PD dhe ata që punuan për Ramën.

Gjatë fjalimit në Kuvendin Kombëtar Basha propozoi edhe një platformë Qytetare për Demokracinë, ku sipas tij duhet të bashkëpunojnë të gjitha grupet shoqërore që kërkojnë ndryshim. “Ndërtimi i kësaj platforme do të ketë në themelin e saj rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend. Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha grupet shoqërore: Intelektualë, studentë, pedagogë, sipërmarrës, artistë, gazetarë, profesionistë, fermerë,  të rinj e të reja që kërkojnë kthimin e normalitetit në vend”, deklaroi ndër të tjerat lideri demokrat.

Marku

Me tone të ashpra dhe kritike deputeti i zgjedhur demokrat Mark Marku iu drejtua dje Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike. Ai kërkoi që të bëhet një analizë e thellë për humbjen e zgjedhjeve të 25 prillit dhe të ndryshohet strategji. Sipas tij situata në të cilët ndodhet PD sot është dramatike, ndërsa nuk i kurseu kritikat edhe për organizimin e Kuvendit. Marku e cilësoi Kuvendin Kombëtar një teatër absurd, që nisi dhe përfundoi pa përfunduar diskutimet e drejtuesve politikë.

“Ky Kuvend mblidhet në një moment dramatik për PD dhe shoqërinë shqiptare. Për mua është një situatë dramatike. Pritje, dhe të gjithë prisnim që 25 prilli të sillte ndryshim. Në fakt ndodhi e kundërta. Në vend të ndryshimit sot kemi një regjim më të përforcuar, me një shumicë solide votash. Kjo erdhi kryesisht, siç thuhet dhe në analizën e zgjedhjeve, qeveria e Edi Ramës u angazhuar në një operacion masiv të blerjes së votës. Me punën e jashtëzakonshme të PD në qarkun Lezhë, ne arritëm të fitonin 33 mijë e 96 vota. Rezultat ky i përkthyer në mandate 4 nga 7 që ka. Morëm një rezultat shumë të mirë. Madje edhe më të mirë se rezultati i vitit 2009, pasi kam qenë kandidat për deputet. Duhet të ketë një qasje nga PD që të jetë fituese në qendrat e mëdha urbane. Duhet të ndryshojmë strategji, taktika, fushatën. Por kjo është histori që duhet diskutuar”. Duke e konsideruar PD në pikën më kritike të saj dhe propozimet e Bashës që nuk sjellin asgjë të re, Marku u shpreh se duhet një strategjie  re që pas 4 vjetësh të mos themi që na vodhën sërish. Sipas tij PD po shndërrohet në një dekor të regjimit.

“Për herë të parë në historinë e pluralizmit, PD nuk arriti të vijë në pushtet, pas dy mandateve të qeverisë tjetër. Sot PD ka marrë një numër të madh votash. Ka një numër më të madh deputetësh në parlament. Iu bëj thirrje që ta mendojmë këtë. PD është në pikën më kritike të saj, pavarësisht rezultatit. Pse? Sepse kundërshtari ynë politik me këto zgjedhje, është shndërruar në regjim politik me rrezik të lartë. Anëtarësia e PD, opinioni publik, mendoj se kanë pritshmëri tjetër nga ajo që po bëjmë ne sot. Mënyra se si po përballemi në këtë Kuvend, është jashtë kontekstit ku ndodhemi. Nëse ne nuk kapin kohën politike, nëse s’jemi në kohë politike, ne rrezikojmë që pas 4 vitesh të mblidhemi këtu dhe të themi; “na vodhën prapë”. “Ose masakër zgjedhore”. Duhet të mendojmë seriozisht që mos të na vjedhin sërish. Na kanë vjedhur një herë, nuk bëhet fajtor i vjedhur për vjedhësin. Kur të vjedhin për herë të dytë, e ke një farë faj. Kur na vjedhin dy herë shtëpinë, e ke pak fajin dhe ti, se ke lënë bravën hapur. Duhet të mendojmë më seriozisht. Ky kuvend do të prodhojë për fat të keq…pasi u mbyll pa filluar. Madje dhe diskutimet tona janë qesharake, se po flasin pasi janë mbyllur votimet. Nisi procedura dhe po bëhet votimi. Teorikisht nuk duhet të flisja. Ndihem i fyer, për mënyrën se si u zhvillua diskutim, pasi ti mbyll Kongresin dhe bën votimin, dhe unë diskutoj këtu. Është teatër absurd. Por nuk prish punë, le ta luajmë këtë teatër absurd”.

Ristani: Nuk patën kurajon të analizojnë veten

Një prej kritikuesve më të ashpër të Lulzim Bashës në PD, ish-sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Arben Ristani, e cilëson Kuvendin e djeshëm të PD-së si një fshehja nga e vërteta të lidershipit demokrat.  Ristani shkruan në Facebook se drejtuesit e PD-së analizuan vjedhjen e kundërshtarit dhe jo veten duke fshehur të vërtetën.

“Drejtuesit e PD zhvilluan dje “Kuvendin”, për të analizuar vjedhjen e kundërshtarit, duke mos gjetur forcën, kurajën dhe përgjegjshmërinë, për të analizuar veten. Fshehja nga e vërteta me metodën e Strucit, nuk do i çoj larg. Vendi ka nevoje ulëritëse për opozite të vërtete dhe alternative te besueshme”, ka shkruar Ristani.

 7 orët e Kuvendit Kombëtar të PD-së ditën e djeshme u karakterizuan nga një mesazh: Qeveria vodhi zgjedhjet e 25 prillit.

Basha tha  edhe një herë se 25 prilli ishte një masakër zgjedhore, ku paratë e drogës dhe të krimit u përdorën për të blerë vota.

Basha tha se 25 prilli nuk ka lidhje me demokracinë, por me gjithë këtë masakër zgjedhore, PD doli me kokën lart. Më tej kreu i PD-së shtoi se ato nuk përdorën mjetet dhe modelin e Edi Ramës, duke mos hequr dorë sipas tij nga mjetet e ndershme.

Kujtojmë se Ristani ishte mes 600 emrave në garë për një vend në Këshillin e ri Kombëtar.

 

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back