Koment

Elegji për brezin tim

               Publikuar në : 10:47 - 15/02/20 Eugjen Merlika

“…Nga luftërat vijmë, në luftëra shkojmë…”- Ismail  Kadare

Eugjen Merlika

“Në gjysmën e ecjes së jetës sonë, u gjenda në një pyll të errët…” kështu fillon një nga kryeveprat e letërsisë botërore. Po të perifrazojmë këto vargje, por në kah të kundërt, më duket se sjell idenë e atij ndryshimi të madh, që erdhi në jetën tonë në vitin 1991, një vit më vonë se në të gjitha Vendet e tjera. Kjo vonesë dëshmonte prapambetjen tonë në krahasim me të tjerët. Ndërsa të tjerët kishin vënë si synim rindërtimin e shoqërisë , nëpërmjet tejpamjes, ne derdhnim lot për vdekjen e tiranit dhe harxhonim dyzet milionë dollarë për të ngritur piramidën e tij mes Tiranës. Ndërsa të tjerët hapnin kufijtë e i lejonin qytetarët e tyre të kërkonin fatin në botën e lirë, ne shtangeshim para skenash vandalizmash homerike të tërheqjes zvarrë të kufomave të të rinjve, “faji” i vetëm i të cilëve ishte se kishin tentuar të kalonin kufirin. Ndërsa të tjerët, të vetëdijshëm për dështimin e pashmangshëm të sistemit komunist, mundoheshin me të gjitha mënyrat të përfitonin nga përvoja dhe ndihma e Vendeve të pjesës tjetër të Evropës, ne e kthenim mbrapsht ofertën e gjermanit Shtraus për kredi e kërkonim armë…”Ne nuk jemi as Lindje as Perëndim” deklaronte atëherë Kryetari bizantin i Shtetit shqiptar, që “shquhej” për “modernizimin” e Vendit nëpërmjet tufëzave dhe arëzave.

Nga largësia e viteve duket më qartë absurditeti, në të cilin jetuam. Çdo epitet për të karakterizuar atë është i pamjaftueshëm. Në fund të shekullit të njëzetë, njerëz që të zinin radhën në mesnatë e t’a ruanin atë deri në mëngjes, për të marrë një litër qumësht, besoj se nuk ka patur as në vendin më të varfër të Afrikës. Ne bashkëjetonim me varfërinë skajore të tregut e tonën, me nenin 55 e internimet dhjetravjeçare, me sulmet kundër antenave të televizorëve e kundër shpendëve të “tepërta” të fshatarëve, me demaskimet “revolucionare” para kolektivave e ankthin para çdo punonjësi të Sigurimit e na dukej se gjithçka ishte normale. Aq shumë ishim mësuar me të keqen, kaq shumë na kishte hyrë në palcë, saqë na ishte errësuar arsyeja e na ishin zbehur shqisat.

Kështu arritëm deri në vitin e ndryshimit të madh, për të cilin ne i mbetëm përsëri borxhli historisë dhe ndërgjegjes sonë. U desh vrulli dhe forca e të rinjve të Shkodrës, Kavajës, Tiranës, studentëve të Universitetit etj., pra të një brezi tjetër, të bijve tanë, që t’i jepnin grushtin e fundit një kufome që kutërbonte, por që mundohej të qëndronte duke ndërruar maskat. Por ajo rini, që u ngujua në grevat e urisë në qytetin Studenti e gjetiu, nuk kishte as përgatitjen, as përvojën për të marrë në dorë drejtimin e një Shteti të ri, në një gjendje katastrofale e në një rrugë të pashkelur më parë. Periudhën kalimtare nga një sistem i dështuar në një tjetër, që kishte dhënë prova të mjaftueshme rezultatesh e qëndrueshmërie, në popuj të zhvilluar e të lirë, do t’a mbarështonim përsëri ne.

Ishte prova e së vërtetës, rasti i fundit që koha, si në një tabaka të argjendtë, na servirte për të përmirësuar përfytyresën, për të ndrequr gabimet, për t’u shkëputur kryekëput nga një e shkuar pa lavdi. Ishte një barrë e rëndë, por dhe një pikësynim tepër fisnik e i bukur: të rimëkëmbnim Atdheun tonë, t’a çlironim përfundimisht nga vargonjtë e komunizmit e pasojat e tij, nga mungesa e lirive, nga varfëria, nga shkëputja prej botës, nga prapambetja proverbiale, nga dhuna, gënjeshtra, pabesia e krimi të istitucionalizuara në pushtet. Duhej të ngjallnim shpresën në një të ardhme më të mirë, të nisnim ecjen e ngadaltë, të vështirë por dhe të sigurtë drejt një objektivi të përbashkët me shumë popuj të tjerë, drejt pjesëmarrjes në Bashkësinë Evropiane. Për të sendërtuar këto synime madhore, që do të ndërronin rrjedhën e historisë për një popull të drobitur, siç ishte populli ynë, duhej një mendësi tjetër, jo ajo me të cilën me ose pa dashje ishim brumosur ne. Klasa politike duhej të kishte kurajën dhe largpamësinë e duhur të vinte në jetë një seri reformash rrënjësore, që do të prisnin gjithë urat me sistemin e lënë pas krahëve. Koha e re kërkonte një përveshje të përgjithshme të mëngëve, kërkonte punë, mund e sakrifica të reja. Nuk kishte asnjë shkop magjik që, me një të rënë, do të sillte mirëqenien.

Mirëqenia, që përbënte një nga ëndrrat shekullore të shqiptarëve, duhet të arrihej si rezultat i vënies në jetë të parimeve të tjera, të rregullave të tjera, të ligjeve të tjera. Mirëqenia do të vinte dalëngadalë, hap mbas hapi të ndërtimit të një shoqërie tjetër, në të cilën, Shteti i plotfuqishëm që drejtonte çdo lëvizje të individit, që nga djepi deri në varr, duhej të hiqte dorë nga një pjesë e funksioneve e t’ua kalonte këto qytetarëve të tij. Kjo nuk do të thoshte se roli dhe rëndësia e tij pakësohej, por ndryshonte fushë veprimi. Ky Shtet, që nuk duhej njëjtësuar më me partitë politike, duhej të ishte garanti i një objektivi tepër të rëndësishëm: t’u siguronte gjithë qytetarëve të tij mundësi të barabarta në nisjen e startit drejt mirëqenies, në një Vend të lirë, por në të cilin ligjet, që rregullojnë jetesën në bashkësi, duhej të ishin e, mbi të gjitha, të respektoheshin nga të gjithë.

Shteti duhej t’u kthente qytetarëve jo vetëm liritë e mohuara për pesëdhjetë vite, por dhe pasuritë e shtetëzuara padrejtësisht, nga një regjim kusarësh. Ai duhej të gjente rrugët më të frytshme për të vënë në shfrytëzim gjithë pasuritë e mundëshme të Vendit, nëpërmjet një strategjie të menduar mirë e të zbatuar po aq mirë. Ai duhej të vlerësonte e të ndante  me kritere të ndershme e të drejta atë pasuri të trashëguar nga homologu i tij i mëparshëm, pasuri që ishte baraz me djersën dhe mundin e gjysmë shekulli pune të papaguar të shqiptarëve nga kapitalizmi shtetëror komunist. Ai duhej të shpërblente veçanërisht ata, që në këtë pasuri kishin ndihmesën e tyre, nëpërmjet viteve të gjata të punës së detyruar pa shpërblim, si pasojë e dhunës së Shtetit proletar. T’i kthente kësaj pjese të popullsisë, jo vetëm me fjalë, dinjitetin e nëpërkëmbur, t’i njihte me sinqeritet peshën e vuajtjeve të saj, të kthente në të shpresën e t’i siguronte mundësitë lëndore për t’u ndjerë barabar me të tjerët, ishin nga të parat detyra, që viheshin para kujtdo që pretendonte të printe ecjen drejt një shoqërie, të bazuar mbi vlerat e larta të qytetërimit.

Këto ishin përparësitë që duhet të kishte në rrugën e tij Shteti demokratik e së bashku me to, reformimin e tij, krijimin e institucioneve të reja, futjen e një mendësie tjetër në to. Kjo mendësi e re, që dalëngadalë do të pushtonte gjithë mjediset, do të ishte baza e krijimit të një shoqërie civile që, nga ana e saj do të shprehte një klasë politike, të denjë për emrin e të aftë për t’a drejtuar atë shoqëri drejt synimesh gjithnjë e më lakmuese. Por si i realizuam neve këto detyra, që papritmas koha na vuri në tryezë? A qemë në gjendje t’i përgjigjeshim sfidës së madhe të fundit të shekullit?

Pa mohuar një sërë arritjesh të rëndësishme si liria, në kuptimin e gjerë të fjalës, nisma private, mërgimi e ndonjë tjetër, më duket se synimet e tjera nuk qemë në gjendje t’i kapim, madje as të hyjmë në rrugën e drejtë që çon në sendërtimin e tyre. Kuadri politik i vendit, faktor përcaktues në zhvillimet e mundëshme kaloi nga një skaj në tjetrin. Kishim dikur një parti shtet dhe uria gjysmë shekullore për to na çoi sot në një numër të stërmadh, disa dhjetëra në një Vend me tre milion banorë, një paradoks i vërtetë. Nuk mohohet se dhe në Vende të tjera, me sistem parlamentar, ka shumë parti, por kjo gjë nuk është një dobi për to e një arsye për t’u marrë shembull nga ne. Në Vendet që peshojnë sot në botën e zhvilluar, gjejmë një bipolarizëm politik, që përfaqësohet nga dy parti të fuqishme ose, në ndonjë rast  në dy blloqe partish. Këto dy parti ose dy blloqe shprehin dy mënyra të ndryshme të të konceptuarit të shoqërisë e të drejtimit të saj, kanë dy programe të ndryshme e çdo katër a pesë vjet dalin para zgjedhësve, për të marrë votëbesimin e qeverisjes. Kush fiton qeveris, kush humbet kontrollon dhe përgatitet të qeverisë.

Në Shqipëri teorikisht dy grupimet kundërshtare janë të pranishëm, por praktikisht, ndryshimi mes tyre dhe lufta e mprehtë politike nuk ka në qendër, të konceptuarit e ndryshëm të modeleve të zhvillimit, por lakminë e pakufi për të zënë pushtetin. Ky synim është i lidhur krejtësisht, jo me dëshirën për të sendërtuar në të mirë të Vendit ato gjëra që kundërshtari nuk i bëri, por me krijimin e mundësive të përfitimit vetjak, familjar, farefisnor e të rrethit të përkrahësve e simpatizantëve. Si pasojë e kësaj mendësie Shteti, që duhet të ishte garanti i mundësive për të gjithë, është kthyer në një vegël të një grupi, që në çfarëdo mënyre merr drejtimin e tij. Klientelizmi është bërë kriteri bazë i funksionimit e korrupsioni, karburanti që e vë në lëvizje. Alternanca e pushtetarëve shërben për të vazhduar “luftën e klasave” deri në nivelet më të ulta të administratës shtetërore, gjë tepër e dëmshme, mbasi nuk lejon formimin e asaj strukture të përhershme të Shtetit, që është shtylla kurrizore e tij e që, në teori, duhet të formohet duke pasur si të vetmin kriter meritokracinë.

Në dhjetë vjet Shteti demokratik qeveritë e parlamentet e kuqe apo blu nuk vendosën të kthenin pronat pronarëve të ligjshëm, nuk krijuan në kohë kuadrin e duhur ligjor për thithjen e kapitaleve të huaja, të domosdoshme për daljen nga palëvizshmëria gjysmë shekullore. Ata nuk qenë në gjendje të siguronin funksionimin normal të Shtetit të së Drejtës, nuk krijuan modelet e institucioneve të pavarura, vazhduan të qeverisin nga sekretaritë e partive, kaluan stafetën tek njëri tjetri për ligje iliberale, shpërblyen me copa letre pa vlerë jetët e marra apo të gjymtuara të viktimave të komunizmit, kontribuuan në shkatërrimin e shtetit dhe imazhit të vendit më 1997, etj. Këto dy forca politike madhore të Shqipërisë drejtohen nga përfaqësues të Brezit tonë, të formuar moralisht e intelektualisht në shkollat e regjimit më dogmatik të Lindjes komuniste, të mbrujtur me mendësinë stataliste e populiste, të paaftë të konceptojnë e të shtjellojnë një strategji afatmesme e afatgjatë, për të nxjerrë Vendin nga bataku.

Paaftësia për të shfrytëzuar shortet e demokracisë, shpërdorimi në mundësitë që krijon ajo për të shprehur pikëpamjet dhe opsionet politike, pamundësia për të hartuar strategjitë e taktikat e duhura ekonomike-politike bindëse, rezultative e në pajtim me veçantitë e Vendit e kërkesat e kohës, vërtetojnë katërçipërisht se klasa politike shqiptare nuk është në lartësinë e detyrave të saj. Pasojat e këtij përfundimi pasqyrohen në gjendjen e Vendit që, megjithë ndonjë rezultat makroekonomik si monedha,  fatkeqësisht paraqet një mungesë të madhe përsa i përket zhvillimit të gjithanshëm e të ekuilibruar ekonomik, konsolidimit të Shtetit ligjor, imazhit të përgjithshëm dhe treguesit të besueshmërisë, sidomos mbas ngjarjeve tragjike të vitit 1997. Sot Shqipëria , me ose pa të drejtë, hyn në radhën e vendeve problematike për kontinentin, quhet qendër trafiqesh të paligjshme nga më të ndryshmit. Me këto kredenciale ajo paragjykon marrëdhëniet e saj me botën e sidomos me Evropën.

Sfidën, që koha na vuri para, ne nuk qemë në gjendje t’a përballojmë. Dështuam në misionin tonë për të ndërtuar një Shqipëri bashkëkohore dhe konkurruese mbi gërmadhat e socializmit. Problemeve të vjetra, të trashëguara nga pesë shekuj zgjedhë turke e gjysmë shekulli sprove komuniste, i shtuam të tjera, ose së paku nuk qemë në gjendje t’i parandalojmë. Më kujtohet një mbasdite festive, për një përvjetor të gazetës “Liria” në pallatin e kongreseve. Më kanë mbetur në mëndje fjalët e një veterani të burgjeve politike dhe të antikomunizmit: ” Shqipërisë sot i duhen dymijë idealistë”. Ndofta shifra ishte tepër e madhe, ndofta ajo nuk i përgjigjej as popujsh shumë më të mëdhenj e më të zhvilluar se i yni, por pohimi ishte i shenjtë. Ne nuk qemë në gjendje t’i përgjigjeshim kësaj kërkese parësore të Vendit tonë, në një çast tepër të brishtë për të ardhmen e tij. Ishin vitet e para të demokracisë, ishim ende në kohë për të rimarrë rrugën e drejtë, të cilën, sigurisht, ata qindra idealistë do t’a kishin bërë më të lehtë. Ata nuk u dukën në skenë, ose më saktë nuk patën forcë t’a pushtojnë skenën. Koha dhe të tjerët i thyen dhe ata të paktit që u munduan të qëndrojnë e të luftojnë me të vetmen armë të idealit, ndershmërinë. Asgjë për t’u habitur, historia e botës është e mbushur plot me shembuj të tillë…

Ky shkrim daton vitin 2000, atëherë kur pa për herë të parë dritën e botimit. Kishin kaluar vetëm dhjetë vite që ishte tjetërsuar sistemi e ato pyetje me të cilat ballafaqohej mendimi apo përsiatja për të vërtetën, ishin aty e prisnin përgjigje. Zhgënjimit të dhjetë viteve të para, në të cilët shpresat nuk ishin shkimur plotësisht për të ndërtuar shoqërinë e lirisë e të mirëqenies, sot i a ka zënë vendin një tjetër tablo, në të cilin brezi im ka dalë në rolin e vëzhguesit, dyfish kritik ndaj vetes. Nëse në gjysmë shekullin e regjimit ai nuk qe në gjendje të bënte asgjë për të ndryshuar ecjen drejt greminës, në këto tridhjetë vjet, duke pasur në krye të Shtetit e të politikës disa nga anëtaret e tij krahas edhe bijve që duhej të merrnin stafetën e ecjes përpara, sheh me hidhësirë në gojë se, me gjithë ndryshimet e mëdha të kryera, përsëri Shqipëria nuk është aty ku kishim menduar se do t ‘ishte kur nisi rrugëtimin e saj n ‘epokën mbas komuniste.

Gjatë këtyre viteve Shqipëria zgjodhi rrugën drejt Perëndimit dhe shoqërive të tij të hapura, u bë anëtare e NATO-s, ka dy dhjetëvjeçarë që troket në dyert e Evropës, nuk është më një bunker i mbyllur në mjerimin e vet, por një Vend i hapur, nga i cili shumë qytetarë të saj janë larguar për të ndërtuar jetën gjetiu, në anë të ndryshme të botës së madhe. Megjithatë zhgënjimi vazhdon t’a shoqërojë brezin tim, sepse brengat vazhdojnë të jenë bashkudhëtare të tij deri në frymën e fundit.  Atyre që lanë Atdheun në kërkim të një jete më të mirë, larg tij, nuk i u ndanë mundimet e vështirësitë, për t’u kthyer në  shërbëtorë e shërbëtore, duke gëlltitur në heshtje lotët e hidhur të një dinjiteti shpesh të lënduar. E ndjenë ajrin e lirisë, i cili u kishte munguar gjithë jetën. Por vetëm liria nuk mjaftonte, sado e çmuar të mbetet ajo gjithmonë, për të përballuar një jetë që fillonte nga hiçi, mbasi e gjithë puna e bërë deri në atë kohë ishte shumëzuar me zero. Tani shumëve prej tyre u mungon atdheu, familja e zgjeruar, shokët, miqtë, mjedisi shqiptar edhe se koha e ka ndryshuar me shpejtësinë e vetëtimës. I pushton çdo ditë malli për vendlindjen, edhe se politika e kronika shqiptare, nëpërmjet mediave të përditshme, nuk u a bëjnë atë shumë tërheqëse. Megjithatë zemra mbetet e lidhur me atë Vend, me kujtimet e rinisë, me dëshirën për t’u prehur përgjithmonë në tokën e tij.

Me dhimbje kalon ditët brezi im i mbetur në Shqipëri, duke luftuar çdo ditë me vështirësi të theksuara ekonomike e jetësore, i velur tej masës nga premtimet e pambajtura të atyre që i drejtojnë ka tridhjetë vite, që vazhdojnë çdo ditë t’i përrallisin me mrekullitë që do të “sjellin”, nëse do t’u japin votën. Shumë prej tyre kanë bijtë jashtë, përmallohen për nipat e mbesat që rriten atje, që me vështirësi flasin shqipen, sepse mësojnë në gjuhët e huaja. Por në thellësi të zemrës gjyshet e gjyshët janë të kënaqur për t ‘ardhmen e atyre mbesave e nipërve, që mund të gjejnë rrugën e tyre në Vendet ku studiojnë e nuk i shkon në mëndje t’i ftojnë të kthehen pranë tyre, sepse “Shqipëria nuk bëhet”. Në këtë shprehje të shkurtër ndoshta është kyçi i shpjegimit të dramës shqiptare. Humbja e besimit në t ‘ardhmen e Vendit, në mundësinë për secilin që me punë të ndershme të ndërtojë jetën e tij, të familjes e të japë ndihmesën për zhvillimin e shoqërisë, ndoshta është një ndër të këqijat më të mëdha me të cilat përballohet sot shoqëria shqipfolëse. (vijon në numurin e ardhshëm)/Gazeta Liberale

Tags: , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back