Aktualitet

Ekstremisti që mund të përcaktojë zgjedhjet izraelite

Shkruar nga Liberale
Ekstremisti që mund të përcaktojë zgjedhjet izraelite

Në mes të muajt tetor, gjatë një demonstrate të aktivistëve palestinezë në Jerusalem, një burrë me kostum dhe kravatë nxori papritur një armë dhe ua drejtoi protestuesve, duke i kërkuar policisë izraelite të qëllonte. Më herët, i njëjti person kishte shkuar para disa protestuesve dhe u kishte thënë se ka ardhur “pronari” dhe, për ta konfirmuar një gjë të tillë, kishte rrahur gjoksin.

Në protestat e këtij lloji, policia izraelite shpesh duhet të përballet me një mentalitet ku kërkohet që protestat të shtypen me dhunë. Burri i veshur me kostum dhe kravatë, nuk ishte thjesht një ekstremist, por një lider politik që gazetat izraelite dhe ato ndërkombëtare besojnë se mund të jetë faktori kryesor në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 1 nëntor, këto do jenë zgjedhjet e pesta që mbahen brenda një katërvjeçari në Izrael.

Ai quhet Itamar Ben-Gvir, 46 vjeç dhe është kryetari i Partisë Fuqia Hebraike. Në më pak se një javë, Ben-Gvir mund të shndërrohet në një nga aleatët më të vlefshëm të ish-kryeministrit Benjamin Netanyahu, i cili ka rikandiduar për një mandat të ri duke kryesuar koalicionin e djathtë.

Ben-Gvir hyri në parlament vetëm në vitin 2021, por ka qenë një nga figurat kryesore të së djathtës ekstreme izraelite për vite me radhë. I lindur në një familje laike, në rininë e tij u bashkua me ekstremin e djathtë fetar dhe nacionalist gjatë Intifadës së Parë Palestineze mes viteve 1980 dhe 1990, një kryengritje popullore që shkaktoi shumë dhunë në vitet-1987-1993.

Në 1995 për Ben-Gvir ishte momenti i shkëlqimit. Ai u shfaq në një television izraelit duke tundur triumfues stemën Cadillac të kryeministrit Yitzhak Rabin, i cili po mundohej të vendoste paqen mes izraelitëve dhe palestinezëve, e mishëruar në vitin 1993 në të ashtuquajturën marrëveshje e Oslos, e cila u kundërshtua shumë nga e djathta ekstreme izraelite.

“Ne arritëm te makina e tij, do të shkojmë edhe tek ai”, tha Ben-Gvir në TV. Më 4 nëntor të vitit 1995, Rabin u vra nga një ekstremist i krahut të djathtë në fund të një proteste në mbështetje të marrëveshjes së Oslos.

Në ato vite Ben-Gvir ishte aktiv në Kach, një organizatë ekstremiste e themeluar nga rabini amerikan Meir Kahane, i cili u shpall në kërkim në vitin 1994 për pozicionet e tij raciste anti-myslimane për nxitjen e tij të vazhdueshme për dhunë kundër palestinezëve. Edhe sot ajo konsiderohet një organizatë terroriste nga Bashkimi Evropian.

“Në atë lëvizje gjeta shumë dashuri për popullin hebre, shumë të vërteta dhe shumë drejtësi”, kujton Ben-Gvir disa vite më vonë. Ai vetë kishte qëndrime të qarta dhe të dhunshme e raciste, aq sa u gjykua tepër ekstremist për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak trevjeçar.

Edhe në vitin 2007 ai u dënua për nxitje të racizmit dhe për mbështetje të Kach. Në makinën e tij u gjetën tabela me slogane si “ose ne, ose ata”, “zgjidhja është dëbimi i armikut arab”. Kohët e fundit, Ben-Gvir u zhvendos në Kiryat Arba, një vendbanim izraelit në periferi të qytetit palestinez të Hebronit dhe ka ndërtuar një karrierë solide si avokat që e ka bërë atë jashtëzakonisht të popullarizuar në rrjetet e ndryshme të organizatave të së djathtës ekstreme izraelite.

Në vitin 2016, gazeta izraelite Haaretz e përshkroi atë si “avokatin që mbron ekstremistët hebrenj që kanë hyrë në telashe me ligjin. Lista e klientëve të tij duket si një almanak i të dyshuarve për terrorizëm nacional dhe krime të urrejtjes”. Në fakt përgjatë këtyre viteve Ben-Gvir ka mbrojtur dy persona që ishin përfshirë në vrasjen e një çifti palestinez dhe foshnjës së tyre vetëm 18 muajshe në Duma, në Bregun Perëndimor, në vitin 2015, si dhe aktivistes Bentzi Gopstein, e njohur për drejtimin e një “organizate që kërkon të parandalojë palestinezët dhe izraelitët të zhvillojnë marrëdhëniet mes tyre, qofshin ato personale apo të biznesit.

“Unë nuk e bëj për para”, tha Ben-Gvir për Haaretz. “Në rastin më të mirë mund të mbuloj kostot e benzinës që harxhoj. E bëj, sepse e konsideroj detyrim t’i ndihmoj këta njerëz.

Marrja me politikë ishte thjesht një çështje kohe. Prej dhjetë vjetësh, elektorati izraelit ka lëvizur shumë në të djathtë; si për veprimtarinë politike të Netanyahut, i cili insistoi dhe punoi shumë si kryeministër për çështjen e sigurisë së brendshme, me çmimin e neglizhencës së procesit të paqes me palestinezët, ashtu edhe për polarizimin politik duke tharë elektoratin e të moderuarve, të cilët i ka shtyrë shpesh drejt Netanyahut për mungesë alternative ndaj qendrës dhe të majtës. Vetëm pak vite më parë Netanyahu përjashtoi që Ben-Gvir mund të ishte ministër në qeverinë e tij, duke e konsideruar atë shumë ekstremist. Sot, megjithatë, nuk mund të bëjë pa mbështetjen e tij, nëse dëshiron të kthehet në kryeministër dhe në fakt, disa zyrtarë të Likud, partia e Netanyahut, kanë bërë të ditur se vetoja kundër Ben-Gvir nuk ekziston më.

“Sot, Ben-Gvir është figura më e rëndësishme në Izrael pas Netanyahut”, tha Nadav Eyal, një komentator i njohur politik në izrael. “Ai nuk është vetëm I popullarizuar me elektoratin konservator, por ai po fiton edhe mbështetje në elektoratin që nuk e votonte”, tha ai.

Fakti që kohët e fundit ka hyrë në nivelet e larta të politikës e ka shndërruar atë në një imazh të ri dhe shumë tërheqës për shumë votues. Për t’ju drejtuar një auditori më të gjerë, mjaftoi që të moderonte pak, por vetëm pak, disa nga qëndrimet e tij më radikale.

Reuters vuri në dukje se Ben-Gvir nuk shpreson më për dëbimin e të gjithë palestinezëve nga Izraeli, por vetëm të atyre që nuk i konsideron “besnik” ndaj shtetit të Izraelit (i cili për më shumë se pesëdhjetë vjet ka pushtuar shumë zona të Bregut Perëndimor që shumica dërrmuese e komunitetit ndërkombëtar mendon se i përket palestinezëve). Ben-Gvir, dikur i quajti paradat e komunitetit LGBT+ “të neveritshme”, sot pranon se mund të pranonte faktin se njëri nga gjashtë fëmijët e tij mund të ishte homoseksual, duke theksuar gjithashtu se ligjet e shtetit duhet të udhëhiqen nga një interpretim konservator i normave fetare hebreje./Përgatiti Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH