Aktualitet

Ekstradimi i Shimshek në Turqi/ 9 eurodeputetë, letër Ramës

Shkruar nga Liberale

Një grup eurodeputetësh i janë përgjigjur nismës së deputetes së Parlamentit Europian, Ramona Strugariu, duke i dërguar një letër kryeministrit Edi Rama për rastin e turkut Selami Shimshek, të cilit i është refuzuar e drejta për azil në Shqipëri.

Në letrën e tyre, 9 deputetët i bëjnë thirrje Ramës se Shimshek konsiderohet nga Ankaraja si anëtar i një organizate terroriste, për shkak se është pjesë e lëvizjes së Fetullah Gylenit, dhe se familja e tij ka shprehur shqetësimin se jeta dhe liria e tij mund të jenë në rrezik në Turqi.

Sipas eurodeputeëve, refuzimi i azilit i është bërë Shimshekut për shkak të një teknikaliteti, pasi nuk është apeluar brenda afatit prej 15 ditësh. Ata kërkojnë sqarime në lidhje me këto detaje dhe i kujtojnë Shqipërisë detyrimet ndërkombëtare që rrjedhin nga pjesëmarrja në Konventën e Gjenevës për Refugjatët, e nënshkruar në vitin 1951, e cila specifikon se një person nuk duhet të kthehet në një vend ku i kanoset jeta dhe liria.

Ata kujtojnë gjithashtu se respektimi i të drejtave të njeriut është një kusht për anëtarësimin në BE.

“PE ka qenë mbështetëse e fortë e Shqipërisë në përpjekjet për t’iu bashkuar BE-së, ndaj jemi tepër të shqetësuar për pasojat e rënda që mund të sjellë përsëritja e këtyre shkeljeve për rrugëtimin e Shqipërisë në BE”, thotë letra e nënshkruar nga nëntë eurodeputetët, kryesisht nga partia “Grupi i Rinovimit të Europës”.

Këtë muaj, Komisioni për Azilin dhe Refugjatët i refuzoi Shimshek të drejtën për apel, duke lënë në fuqi vendimin e Drejtorisë së Azilit dhe Shtetësisë pranë Ministrisë së Brendshme, e cila vendosi që ai të dëbohet nga Shqipëria.

Ky rast është i ngjashëm me atë dëbimit të turkut tjetër Harun Çelik, i cili u ekstradua nga Shqipëria pa iu dhënë e drejta e apelimit. Më pas raportua se Çelik u burgos në Turqi, i akuzuar si mbështetës i klerikut Fetullah Gylen.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH