Aktualitet

Eksportet bien me 17,3 për qind, defiçiti tregtar i muajit Qershor 360 milionë Euro

Shkruar nga Liberale

Në Qershor 2023 eksportet e mallrave arritën vlerën 38 mld lekë, duke u ulur me -17,3 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me -4,0 %, në krahasim me Maj 2023. Importet e mallrave arritën vlerën 75 mld lekë, duke u ulur me -7,5 %, në krahasim me një vit më parë dhe me -6,8 %, në krahasim me Maj 2023. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 37 mld lekë (rreth 360 milionë Euro), duke u rritur me 5,4 %, krahasuar me Qershor 2022 dhe ulur me -9,6 %, në krahasim me Maj 2023.

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 59,2 %, të gjithë tregtisë. Në Qershor 2023, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 75,6 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 50,9 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (29,6 %), Kina (9,0 %), Turqia (7,2 %) dhe Greqia (6,8 %).

Shkëmbimet tregtare, për gjashtëmujorin e parë 2023, me vendet e BE-së zënë 59,3 % të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar - Qershor 2023, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 74,1 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 51,4 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (30,2 %), Kina (7,6 %), Turqia (7,0 %) dhe Greqia (6,8 %).

Në këtë gjashtëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 234 mld lekë, duke u ulur me -7,4 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 439 mld lekë, duke u ulur me -1,6 %, krahasuar me një vit më parë. Defiçiti tregtar arriti vlerën 204 mld lekë, duke u rritur me 5,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022.

Gjatë muajit Qershor 2023, në uljen e eksporteve prej -17,3 %, kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -9,7 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -4,5 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -4,4 pikë përqindje, etj. Ndërsa, pozitivisht ka ndikuar grupi: “Ushqime, pije, duhan” me +4,6 pikë përqindje.

Eksportet, gjatë këtij gjashtëmujori janë ulur me -7,4 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -6,8 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2,2 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -1,0 pikë përqindje,etj. Ndërsa, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Ushqime, pije, duhan” me +2,1 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +0,8 pikë përqindje.

Gjatë muajit Qershor 2023, në uljen e importeve prej -7,5 %, krahasuar me Qershor 2022, negativisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -7,9 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me - 1,0 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -0,9 pikë përqindje, etj. Ndërsa, pozitivisht ka ndikuar grupi: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +4,2 pikë përqindje.

Si gjashtëmujor, importet janë ulur me 1,6 %, krahasuar me gjashtëmujorin e parë 2022. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të importeve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -4,4 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -0,9 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me -0,5 pikë përqindje, etj. Ndërsa, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +4,4 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me +0,7 pikë përqindje.

Në muajin Qershor 2023, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Qershor 2022 janë: Italia (9,4 %), Greqia (40,7 %) dhe Spanja (47,9 %). Ndërsa, vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritje më të madhe, janë: Zvicra (34,8 %), Kina (10,1 %) dhe Ukraina (63,0 %).

Gjatë këtij gjashtëmujori vendet me të cilat Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (10,6 %), Gjermania (30,3 %) dhe SHBA (57,8 %). Ndërsa, vendi me të cilin eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, është: Spanja (67,0 %), Greqia (16,1 %) dhe Maqedonia (12,4 %).

Në muajin Qershor 2023, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur uljen më të madhe te importeve, janë: Italia (6,4 %), Kosova (46,5 %) dhe Rusia (77,3 %). Ndërsa, vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe të importeve, në krahasim me Qershor 2022 janë: Kina (50,6 %), Gjermania (15,2 %) dhe SHBA (48,8 %).

Gjatë këtij gjashtëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Turqia (18,4 %), Greqia (11,9 %) dhe Italia (3,8 %). Ndërsa, vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe janë: Kina (39,7 %), Zvicra (103,1 %) dhe SHBA (49,0 %). /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH