Aktualitet

Ekonomia shqiptare, rruga e mundimshme drejt modernizimit

Shkruar nga Liberale

Kolana UETPRESS- 15 vjet

Titulli: BURSA & TREGU I LETRAVE ME VLERË NË SHQIPËRI

Autor: ELVIN MEKA

Adrian Civici

Në nivelin aktual të zhvillimit të ekonomisë shqiptare në tërësi dhe tregjeve financiare e monetare në veçanti, çështja e zhvillimit të tregjeve të letrave me vlerë, përfshirë këtu dhe bursën, si një element thelbësor për funksionimin e këtyre tregjeve, duket se është e një rëndësie themelore. Pas më shumë se dy dekadash periudhe tranzicioni “nga plani drejt tregut të lirë”, ka ardhur momenti që zhvillimin ekonomiko-social ta shikojmë përtej klisheve tradicionale që e kërkojnë dhe bazojnë atë te zhvillimi sasior, apo ekuilibrat makroekonomikë në përgjithësi, te rritja ekonomike dhe Prodhimi i Brendshëm Bruto, te investimet publike, private dhe IHD-të, te ecuria e kredisë, borxhi i brendshëm apo i jashtëm etj. Përtej këtyre aspekteve thelbësore, në kuadrin e një sofistikimi të domosdoshëm institucional, si dhe në përputhje me krijimin e kushteve optimale të veprimit të tregjeve financiare e monetare, është me shumë interes analiza dhe studimi i mundësive të zgjerimit të tregut të letrave me vlerë, karakteristikat dhe llojet e letrave me vlerë, institucionet financiare që i trajtojnë ato, investuesit institucionalë, segmentet dhe instrumentet e tregjeve monetare, tregjet e kapitaleve dhe derivateve financiare, bursat etj.

Libri “Bursa & Tregu i letrave me vlerë në Shqipëri, – diskutime, analiza, studime, propozime, 1998-2015” me autor Prof. Asoc. Dr. Elvin Meka është një përpjekje e lavdërueshme në këtë drejtim. Duke sintetizuar një eksperiencë shumë vjeçare pune, përkthimesh të autorëve nga më të njohurit në sferën financiare e monetare, studimesh në mjediset bankare, financiare e monetare, e kombinuar me përvojën akademike kërkimore-shkencore e divulgative në UET, E. Meka ka arritur të përgatisë një përmbledhje cilësore të shumë prej etapave të vështira, shpesh të panjohura, që ka kaluar dhe po kalon mjedisi financiar dhe monetar në Shqipëri, në përpjekjet e tij modernizuese. Koha dhe realiteti shqiptar po kërkojnë me urgjencë hapësira e mundësi të reja mobilizimi fondesh e investimesh, në funksion të rritjes ekonomike aq të dëshiruar. Ky libër vendoset pikërisht në këtë kontekst.

Pjesa dërrmuese e materialeve, eseve dhe analizave që janë pasqyruar në këtë libër bazohen në fakte, probleme e situata konkrete në Bursën e Tiranës, banka tregtare, vendime të qeverisë shqiptare, zhvillime menaxheriale e strategjike në korporata të ndryshme, segmente e institucione të tregjeve financiare e monetare etj. Për këtë arsye, trajtimi i tyre analitik në këtë botim të ri të autorit është me interes të veçantë, si për studiuesit, akademikët e studentët, ashtu dhe për vetë ecurinë e këtyre institucioneve. Në mjaft raste, konkluzionet e autorit nuk janë thjesht dhe vetëm teorike, por kanë vlera praktike që mund të merren në konsideratë nga institucionet e interesuara.

Ajo që spikat në mënyrë të dukshme në problematikën e gjerë të këtij libri është veçanërisht problematika e Bursës së Tiranës, që nga debatet e vendimi për hapjen dhe deri te vendimi më i fundit për mbylljen e saj. Autori, në shumë nga faqet e librit, analizon me detaje arsyet objektive e subjektive që bëjnë të domosdoshme funksionimin cilësor të kësaj burse, dilemat dhe sfidat e shumta të saj, rolin që ajo duhej të luajë, si pararendësja e revolucionarizimit të sistemit financiar në Shqipëri, si një treg kapitalesh dhe letrash me vlerë etj. Spikasin, në mënyrë veçantë, analizat për disa nga “rrugët kritike për mirëfunksionimin e Bursës së Tiranës” siç i quan me të drejtë autori, që duket se nuk do lodhet asnjëherë së përsërituri domosdoshmërinë e biznesit dhe ekonomisë shqiptare për një bursë efektive, si streha më e mirë dhe shtëpia e vërtetë e kapitaleve shqiptare.

Lexuesit gjejnë, mjaft mirë të shpjeguara në faqet e librit, rolin e bursës si një treg i përhershëm i letrave me vlerë, si vendtakimi e ballafaqimi i kapitaleve, si vend, ku transaksionet ekzekutohen me kosto minimale, ku çmimet e kapitaleve janë reale dhe transparente, si një vend që i krijon qeverisë dhe firmave mekanizma për emetimin e letrave me vlerë dhe rritjen e kapitalit të tyre në tregun parësor, si dhe mundësi blerje e shitje të tyre në tregun dytësor etj. Në gjithë këto analiza e komente ndihet më së miri nevoja urgjente që ka Shqipëria për të pasur një bursë të vetën, nevojë që nuk justifikon për asnjë çast të vetëm mbylljen e dyerve të kësaj burse në Tiranë.

Gjithashtu, do të shtoja se fokusi i trajtimeve e problematikës së këtij libri zgjerohet edhe me çështje që kanë të bëjnë me emetimin e borxhit qeveritar dhe obligacionet qeveritare, me privatizimet strategjike dhe koncesionet, obligacionet e shoqërive tregtare, si një formë e re e financimit të bizneseve në Shqipëri, obligacionet bashkiake, që duket se po bëhen një domosdoshmëri për t’iu krijuar mundësi financimi këtyre strukturave të rëndësishme të pushtetit lokal, përfshirjen e komunitetit bankar në skemën e financimit të shtresave në nevojë, për diapazonin e ndërmjetësve financiarë të mundshëm në realitetin shqiptar, për ndikimin e politikës monetare në përqindjet e interesit të kredive dhe depozitave bankare, për problematikën e investimeve të kapitaleve jashtë Shqipërisë, për raportet ndërmjet funksionimit të tregjeve financiare dhe klimës së besimit, apo mosbesimit që ekziston te bizneset dhe individët, etj.

Për të gjitha këto arsye, libri “Bursa & Tregu i letrave me vlerë në Shqipëri, – diskutime, analiza, studime, propozime, 1998-2015” me autor Prof. Asoc. Dr. Elvin Meka mund të konsiderohet si një kontribut i autorit në pasurimin e literaturës me fokus financiar e monetar në Shqipëri, mund të vlerësohet si një përpjekje e lavdërueshme për të analizuar e qartësuar një publik të gjerë me një lloj kulture financiare, bankare e monetare që na mungon dhe që në shumë raste dëmton si interesat e konsumatorëve e bizneseve ashtu dhe ato të bankave tregtare dhe, së fundmi, mund të inkurajohet dhe rekomandohet si një literaturë e vlefshme me natyrë didaktike e akademike për studentët që studiojnë në lëndët ose programet dedikuar ekonomiksit, financës, parasë dhe bankave, tregjeve financiare e monetare, menaxhimit të rrezikut, investimet etj. Në shumicën e këtyre eseve dhe analizave ata do gjejnë konkretizime të vlefshme për problematikat e mësipërme.

PJESË NGA LIBRI

Dilema hamletiane mbi zhvillimin e Bursës së Tiranës

Para disa kohësh në disa prej mediave kryesisht të shkruara, u diskutua jo pak mbi çështjen e shkëputjes së Bursës së Tiranës dhe zhvillimit të mëtejshëm institucional të saj. Një interesim i tillë i mediave ishte pasqyrim dhe rezultat logjik i disa lëvizjeve konkrete nga ana e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Financave dhe Privatizimit, Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Bankës së Shqipërisë në këtë drejtim, lëvizje këto që kishin të bënin kryesisht me ridizenjimin e bazës ligjore ekzistuese në funksion të idesë kryesore të shkëputjes praktike të Bursës së Tiranës nga Banka e Shqipërisë. Praktikisht, do të vlerësonim si shumë pozitiv dhe të vlefshëm këto hapa të fundit të institucioneve të sipërpërmendura, si dhe të gjithë opsionet dhe mendimet e shprehura në këto media nga persona të ndryshëm mbi rolin që duhet të luajë realisht Bursa e Tiranës në ekonominë e vendit e mbi rrugët dhe mundësinë e zhvillimit të mëtejshëm institucional të saj.

Megjithatë nga një analizë e të gjithë prononcimeve të lartpërmendura, mund të arrihet lehtësisht në konkluzionet e mëposhtme:

  1. Parimisht të gjithë janë dakord që Bursa e Tiranës si institucion financiar duhet të zhvillohet patjetër institucionalisht në drejtimin e “natyrshëm” që i takon dhe të zërë vendin e saj në sistemin financiar shqiptar;
  2. Është shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që firmat dhe ndërmarrjet e reja private të krijuara pas viteve ’90, të ngrenë kapital apo të listohen në Bursën e Tiranës, kryesisht për shkak të mospërmbushjes së kritereve cilësore të listimit në drejtim të cilësisë përgjithësisht të dobët të të dhënave financiare të raportuara (ekspozimi financiar) dhe mungesës së ekspertimit të këtyre të dhënave nga ekspertë kontabël (auditorë) të pavarur të njohur;
  3. Përpjekjet e komunitetit shqiptar të biznesit (forcat shtytëse nga poshtë-lart) janë thuajse inekzistente në drejtim të lidhjes dhe financimit të bizneseve të tyre nëpërmjet rrugës së drejtpërdrejtë të emetimit dhe shitjes së aksioneve nëpërmjet bursës;
  4. Kultura financiare e publikut në përgjithësi mbi tregun e kapitaleve dhe instrumentet financiare lë për të dëshiruar;
  5. Ekziston një dilemë hamletiane, si nga ana e qeverisë ashtu dhe nga institucionet ndërkombëtare financiare, për të ndërmarrë një hap kritik dhe deçiziv, siç është ai i përfshirjes së Bursës së Tiranës në procesin kompleks të privatizimit të ndërmarrjeve të sektorëve të veçantë, apo ndryshe, ndërmarrjeve strategjike.

Në pikën e fundit kërkojmë të fokusojmë vëmendjen dhe ta trajtojmë më me gjerësi si një pikë që është veçanërisht e rëndësishme dhe ku ftojmë të gjithë për debat.

Gjykuar dhe nga argumentet e përmendura pak më lart, është fakt se zhvillimi i ardhshëm institucional i Bursës së Tiranës (me optimizëm, të paktën deri në një periudhë afatmesme) varet pothuaj tërësisht nga mundësia e përfshirjes së Bursës në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve strategjike. Rrjedhimisht, gjykojmë se të gjithë hapat e mëtejshëm që mund dhe do të ndërmerren për zhvillimin e Bursës së Tiranës është e vështirë ta anashkalojnë një çështje të tillë. Nga ana tjetër, është fakt se dilema e sipërpërmendur është shoqëruar me tone herë-herë dhe mosbesuese mbi aftësinë dhe gatishmërinë e Bursës së Tiranës për t’u bërë pjesë e këtij procesi dhe për t’ia dalë atij me sukses. Argumentimi kryesor i këtij mendimi ka qenë se Bursa nuk është gati, nuk ka (dhe nuk kemi si vend) eksperiencë në këtë drejtim dhe se pengon privatizimi i vetë bursës (kujtoni thënien “Bursa nuk po privatizon dot vetveten!!!”). Dëshirojmë të ripohojmë një fakt të pakontestueshëm që Shqipëria në çdo qelizë të sistemit të ri ekonomik që ka zgjedhur të zhvillojë pas viteve ’90 nuk ka pasur minimumin e eksperiencës dhe traditës. Për më tepër, dhe vetë procesi i privatizimit strategjik që ka nisur, bazohet në një eksperiencë shqiptare tërësisht zero (për sa i përket thjesht privatizimit strategjik). Atëherë, pse duhet të penalizohet privatizimi nëpërmjet bursës sepse nuk ka eksperiencë, kur eksperienca dhe tradita shqiptare është zero për cilëndo formë të privatizimit që aplikohet aktualisht dhe do të aplikohet më vonë për ndërmarrjet e tjera që do të kalojnë në privatizim? Nëse do të sillet eksperienca e vendeve me të kaluar të ngjashme ekonomike dhe politike me Shqipërinë është fakt se jo pak ndërmarrje strategjike e kanë prekur bursën qysh në momentet e para të procesit të privatizimit të tyre (pasi ka pasur dhe strategji qeveritare të mirëpërcaktuara në këtë drejtim).

Eksperienca e huaj flet për opsionin e privatizimit strategjik nëpërmjet bursës (natyrisht jo tërësisht nëpërmjet bursës, por jo dhe privatizim totalisht jashtë bursës). Përfundimisht, mendojmë se duhet gjykuar me një pragmatizëm më të lartë procesi i privatizimit strategjik në përgjithësi dhe nëpërmjet bursës në veçanti. Gjithashtu, për sa i përket çështjes nëse Bursa e Tiranës është apo s’është gati, fillimisht do të dëshironim të sqaronim më poshtë termin “gati” dhe më tej, gatishmërinë e Bursës së Tiranës për të kryer një Ofertë Publike Fillestare (OPF) të mundshme në të, qoftë kjo dhe në mungesë të bankave të investimeve. Sipas një materiali të botuar në Buletinin Ekonomik të Bankës së Shqipërisë, në 17 korrik 2000, kemi paraqitur një skedul (kohor dhe institucional) përgjegjësish, i cili përmbledh detyrat dhe përgjegjësitë e të gjithë institucioneve respektive pjesëmarrëse në një Ofertë Publike Fillestare (IPO).

***

Ndoshta e ardhmja e afërt e Bursës mund të jetë dhe jashtë strukturave të privatizimit, (d.m.th. mundet që asnjë ndërmarrje strategjike të mos privatizohet qoftë dhe pjesërisht nëpërmjet Bursës së Tiranës), ndoshta panorama e sotme ekonomike e vendit mund të japë 100 argumente që të nxjerrë të pavlefshëm rolin e Bursës në procesin e privatizimit strategjik, por shtyrja e zgjidhjes së një problemi në kohë, qoftë dhe problemi i Bursës së Tiranës dhe funksionimit të saj, nuk do të thotë zgjidhje e tij por veç rritje të kostos njerëzore e financiare për ta zgjidhur atë në të ardhmen.

E nëse ky do të ishte “fati” përfundimtar për Bursën e Tiranës, atëherë pashmangshmërisht do të arrihej në përfundimet e mëposhtme:

  1. Shqipëria për një kohë të pacaktuar nuk do të ketë tregtim zyrtar të aksioneve të ndërmarrjeve shqiptare dhe investuesit shqiptarë nuk do të mund të investojnë kursimet e tyre në aksionet e këtyre ndërmarrjeve.
  2. Për më tepër, nuk do të jetë e largët dita kur dhe kapitalet shqiptare do të fillojnë të eksportohen jashtë vendit, pjesërisht dhe për shkak të mungesës së një tregu zyrtar aksionesh dhe mungesë të këtyre aksioneve në këtë treg shqiptar.
  3. Çdo përpjekje e mëvonshme për ta rikrijuar dhe ringritur bursën si strukturë pashmangshmërisht do të kërkonte kosto më të lartë sesa sot.
  4. Nëse pronari SHTET i ndërmarrjeve strategjike është sot i pavendosur dhe nuk bindet për vlefshmërinë dhe besueshmërinë e Bursës së Tiranës në gjithë këtë proces privatizimi, atëherë si mund të bëhet Bursa e Tiranës vend tërheqës për firmat e tjera private në të ardhmen dhe sa mund të shpresojë bursa për t’i pasur ato një ditë të kuotuara në listën e saj zyrtare?
  5. Integrimi i sistemit financiar shqiptar në strukturat financiare europiane nuk do të jetë dhe aq i lehtë, përpos të gjithë problemeve që ai ka aktualisht (kjo nuk do të thotë se Bursa e Tiranës është qendra e sistemit financiar shqiptar, bile një vend të tillë as që e pretendon e s’mund ta pretendojë, por sidoqoftë mungesa dhe mosfunksionimi i një institucioni të tillë nuk është pozitive për sistemin financiar të një vendi).

Nuk do te kishim ndonjëherë një shifër zyrtare të vlerës reale të kapitalizmit të ndërmarrjeve strategjike shqiptare

Sistemi financiar shqiptar do të bëhej tërësisht “pronë” e sektorit bankar dhe do të mungonin pothuaj tërësisht konkurrentët natyralë të tyre, që janë institucionet financiare jobanka dhe investuesit institucionalë si: fondet e investimeve, fondet e pensioneve, bankat e investimeve apo dhe shtëpitë e brokerimit/dealer-ave, që janë investuesit dhe pjesëmarrësit tipikë e të domosdoshëm në tregun e kapitaleve.

Aksionarët ekzistues do ta kishin të vështirë të gjenin blerës për aksionet që do të kërkonin të shisnin në një moment të kohës (funksioni i likuiditetit që siguron bursa, aq më tepër kur kërkohen kaq shumë investimet e huaja) dhe ç’është më e keqja dhe sikur ta gjenin nuk do ta merrnin vesh se sa do të ishte vlera e vërtetë e pasurisë që po shesin. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH