Kryesore

Ekonomia humb bastin

               Publikuar në : 10:57 - 05/11/19 liberale

Qeveria  ka rishikuar me ulje ritmet e rritjes ekonomike për këtë vit në 3,4 % nga 4.3 % në fillim të vitit. Ndikimin kryesor në ngadalësimin e rritjes e kanë dhënë “sektori i energjisë elektrike dhe  “argëtim dhe shlodhje” ku bëjnë pjesë “lojrat e fatit”, të dyja me një efekt minus 1.6 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. 

Qeveria ka rishikuar me ulje rritjen ekonomike për vitin 2019, pas një rënieje të ndjeshme që u regjistrua në dy tremujorët e parë. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, tha dje në parlament, gjatë prezantimit të aktit normativ që rishikon të dhënat kryesore të buxhetit, se ndikimin kryesor në ngadalësimin e rritjes e kanë dhënë “sektori i energjisë elektrike dhe  “argëtim dhe shlodhje” ku bëjnë pjesë “lojrat e fatit”, të dyja me një efekt minus 1.6 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë”.

Prodhimi i energjisë ka pësuar një rënie të fortë gjatë 2019, si pasojë e mungesës së reshjeve, ndërsa ndikimi i “lojërave të fatit” erdhi si pasojë e vendimit të qeverisë për t’i mbyllur ato që nga fillimi i 2019-ës.

Sipas ministres Denaj “pavarësisht një ngadalësimi të rritjes ekonomike në gjysmën e parë të vitit për shkak të disa faktorëve të luhatshëm dhe të përkohshëm, sektorët kryesorë të ekonomisë vazhdojnë të përmirësohen. Konkretisht, sektorët që kanë shënuar rritje të qenësishme pozitive në tremujorin e dytë të këtij viti, me kontribut më të lartë pozitiv, janë industria nxjerrëse dhe ajo përpunuese me 15.6% rritje, industria e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve me 4.4% rritje dhe ajo e produkteve të drurit dhe letrës me 15.6 % rritje. Rritje të qenësishme që varion nga 4.8 në 13.9% pati në pjesën më të madhe të sektorit të shërbimeve, që nga akomodimi dhe shërbimi ushqimor, transporti, komunikacioni, aktivitetet financiare dhe ato të pasurive të paluajtshme”, theksoi ministrja Denaj.

Në tremujorin e parë, Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 2.4 përqind, ndërsa në tremujorin e dytë me 2,31 për qind. Banka e Shqipërisë nga ana e saj, parashikon që të njëjtat ritme të jenë dhe për pjesën e dytë të vitit.

Parashikimi i Qeverisë, dhe pas rishikimit të të dhënave, mbetet më optimist se ai i institucioneve financiare ndërkombëtare. Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi muajin e kaluar se rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të jetë në nivelet e 3 për qind, nga 3,7 për qind që ishte parashikimi i tij i muajit Prill.

Po ashtu dhe Banka Botërore i rishikoi me ulje vlerësimet e saj, nga 3,7 përqind që ishte parashikimi në pranverë, në 2,9 përqind. Sipas Bankës, me zbutjen e efektit shock të prodhimit të energjisë elektrike, rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të përmirësohet, në rreth 3,5 përqind ne dy vitet e ardhshme. Ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar, në këtë pikë është më optimist duke parashikura një PBB prej 4 përqindësh për periudhën 2020-2024.

Ministrja e Financave tha dje në Kuvend se, rishikimi me ulje i rritjes ekonomike do të shoqërohet me një nivel më të ulët të të ardhurave të programuara në buxhetin e këtij viti, por ajo shtoi se buxheti do të ruajë parashikimet e fillimvitit në treguesit e borxhit dhe deficitit buxhetor.

Deri në fund të vitit, qeverisa synon të mbajë deficitin buxhetor poshtë nivelit 2 % dhe borxhin publik rreth 64 % e PBB-së, tha ajo.
Sipas saj, treguesit kryesorë të ekonomisë në tremujorin e dytë kanë pasur ecuri të qëndrueshme. Punësimi është rritur në rekorde historike dhe kredia për ekonominë është përmirësuar.

Qëndrueshmëria fiskale publike dhe konsolidimi fiskal do të vijojnë edhe këtë vit, ndërsa deri në shtator, realizimi i buxhetit mbetet në parametrat e parashikuar, tha Denaj. Ajo shtoi se rimbursimi i TVSH-së është rritur me 40 % më shumë se vitin e kaluar, teksa kontributet nga sigurimet shoqërore janë rritur ndjeshëm.

Sipas saj, ndryshimet në buxhetin e vitit 2019 synojnë kompensimin e zërave të shpenzimeve buxhetore, që u prekën në fillimvitin 2019, për efekt të financimit të Paktit për Universitetin dhe reflektimin e ecurisë optimale të të ardhurave vendore gjatë gjysmës së parë të vitit 2019.
Sipas Denajt, ndryshimet synojnë garantimin e financimit të fondit rezervë të buxhetit të shtetit, në vijim të situatës emergjente të krijuar pas tërmetit të datës 21.9.2019 dhe rritjen e eficencës së përdorimit të burimeve publike për rishpërndarje drejt projekteve të investimeve me progres të mirë deri tani.

Lojërat e fatit

Goditje të fortë i ka dhënë rritjes ekonomike mbyllja e lojërave të fatit, të ardhurat nga të cilat në 2018 ishin 54 milionë dollarë. Të 14 kompanitë e licencuara për këtë aktivitete qarkullonin rreth 150 milionë euro në vit dhe kjo vlerë është “zhdukur” nga llogaritjet e produktit të brendshëm bruto. Ndikim negativ në rritjen ekonomike sipas INSTAT dhanë sektorët e  ekonomisë: Argëtimi, me -0.48%, rënie e ndikuar nga mbyllja e lojërave të fatit, industria nxjerrëse, përpunuese; energjia elektrike, ujë, me  -0.23%, e ndikuar nga rënia e prodhimit të energjisë, degët e ndërtimit me -0.15%, rënie e ndikuar kryesisht nga TAP. Ndërsa po sipas INSTAT efektin më pozitiv në rritje e kanë dhënë: shërbimet, që ndikuan në 0.71% të rritjes, e nxitur kryesisht nga turizmi, me hyrjet e të huajve që kanë shënuar një nivel rekord këtë vit.

Sektorët e tjerë, që ndikuan pozitivisht duke shënuar rritje, janë: administrimi Publik, arsim dhe shëndetësi me 0.42%, bujqësia, pyjet dhe peshkimi me  0.41%

Nuk ka rritje pagash, qeveria do të shlyejë PPP-të

Të ardhurat në buxhetin e vitit të ardhshëm do të jenë 502.6 mld lekë. Projektligji për buxhetin 2020 tashmë ka përfunduar fazën e konsultimit dhe pritet të kaloj së shpejti në qeveri. Nëse e krahasojmë me një vit më parë të ardhurat rezultojnë të jenë vetëm 3.2% më të larta. Edhe pse rritja ekonomike këtë vit u ul, sërish qeveria premton që në 2020 shtesa të shkojë 4.1%. Për këtë vit nuk parashikon fond për rritje pagash ndërsa shpenzimet shkojnë në 532 mld lekë.

Shtesa në paga sipas tabelave të ministrisë pritet të aplikohen vetëm në vitin 2022. Sa i përket pensioneve shtesa do të jetë me një fond prej 2.5 miliardë që duket se i përket vetëm indeksit. Edhe pse ka kursim në këto dy fusha, për koncesionet e PPP shlyerja e detyrimeve është realizuar në 99.3 për qind . fondet për 19 koncesionet do të vazhdojnë dhe në vitin e ardhshëm ku subjektet do të marrin 14.6 miliardë lekë.

Në buxhetin e vitit të ardhshëm një ulje e konsiderueshme parashikohet edhe për investimet.

Sipas tabelave shpenzimet për investime parashikohen 83.7 mld lekë ose 4 mld më pak se një vit më parë . Në fund të vitit 2020 borxhi publik pritet të ulet në nivelin e 62.2% të PBB. Në projektbuxhetin e 2020, burimet e financimit të vetëqeverisjes vendore do të rriten me rreth 5.8 miliard lekë ose 11.4% më shumë se sa ato të vitit 2019.

FMN dhe BB ulën parashikimet më poshtë se qeveria

Banka Botërore parashikoi në tetor që rritja ekonomike e Shqipërisë do të ulet në 2,9% për vitin 2019, nga 3,8% që ishte parashikuar fillimisht. Në raportin e prezantuar, për ekonominë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, BB paralajmëron se rreziqet për rritjen ekonomike janë shtuar. Rreziqe mbeten energjia elektrike, PPP, mungesa e reformave strukturore si dhe kriza politike.

“Presim që kontributi kryesor të vijë kryesisht nga konsumi dhe investimet ndërkohë që deficiti tregtar në energji është shkaktari kryesor i kontributit negativ të deficitit tregtar”, tha Hilda Shijaku, përfaqësuese e Bankës Botërore në Shqipëri.

Më optimiste duken përfundimet e Bankës Botërore për sa i përket punësimit. Papunësia shënoi nivelin më të ulët historik, prej 11,5%, në fund të tremujorit të dytë të, punësimi është rritur me 3,4% dhe pjesëmarrja në forcën e punës është rritur.

“Shqipëria është vendi që ka pjesëmarrjen e forcës së punës më të madhe në rajon, me 60,6% megjithatë ka probleme me papunësinë e të rinjve dhe afatgjatë, çka tregon për dobësi strukturore në vendin e punës. Shqipëria është vendi i dytë me borxhin më të lartë publik, ai vijon të mbetet një objektiv por ritmi i konsolidimit fiskal gjatë vitit 2019 ka qenë më i ngadaltë”, tha gjithashtu përfaqësuesja e Bankës Botërore, duke cituar raportin për Shqipërinë.

FMN

Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ului ndjeshëm parashikimin për rritjen ekonomike të vendit për vitin 2019. Ky projeksion është paraqitur në raportin e fundit të “Pasqyrës Ekonomike Globale, tetor 2019”, ku pritshmëria e mëparshme e FMN-së për një ekonomike prej 3.7 % në Shqipëri, është ulur në vetëm 3 %.

FMN-ja ishte institucioni i dytë në pak ditë, pas Bankës Botërore (BB) që ka rishikuar në rënie pritshmëritë për ecurinë e ekonomisë. Në mënyrë të ngjashme, pak ditë më parë, BB-ja e çoi treguesin e saj në 2.9%, nga 3.6%. Rishikimi në ulje nga të dy institucionet, u bë pasi të dhënat e INSTAT-it për 6 muajt e parë të vitit treguan se rritja reale u përgjysmua, nga mbi 4% në gjashtëmujorin e parë 2018, në 2.2-2.3% në janar-qershor 2019. Përgjysmimi i rritjes si shpjegohet me rënien e prodhimit të energjisë, tkurrjes së sektorit të ndërtimit nga mbarimi i projektit TAP dhe mbylljes së aktivitetit të lojrave të fatit.

Megjithatë, në planin afatmesëm, FMN-ja parashikon një rritje prej 4% në 2020 dhe 2024-n, përkundër pritshmërisë me 3.5% të BB-së. Ndërkohë, Shqipëria pritet që këtë vit të ketë ndër ritmet më të ulëta të zgjerimit ekonomik në rajon, së bashku me Bosnjë-Hercegovinën (2.8%) dhe në të njëjtin nivel me Malin e Zi. Rekordin e mban Kosova me 4.2%, e ndjekur nga Serbia me 3.5%, Maqedonia e Veriut, me 3.2%. /Gazeta Liberale

 

 

Tags: , , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back