Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Rëndësi ka fati i Kosovës, jo fati i Albin Kurtit

Shkruar nga Liberale
EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Rëndësi ka fati i Kosovës, jo fati i

Ervis Iljazaj

Çuditërisht në qendër të vëmendjes të analizës politike pas publikimit të pikave të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë, që edhe pse nuk u nënshkrua ditën e djeshme në Bruksel, ka gjasa që të ndodhë në ditët në vazhdim, u vendos sjellja e Albini Kurtit. Kundërshtarë dhe mbështetës të tij vendosën në qendër të debateve fatin e Kurtit nëse kjo marrëveshje nënshkruhet se sa fatin e Kosovës. Ndërkohë që, marrëveshja ka më shumë rëndësi se sa qëndrimet politike të Kurtit si opozitarë më parë dhe si Kryeministër tashmë.

Shumë analistë politik e gazetarë, në Kosovë dhe Shqipëri, në vend që të analizonin pikat e marrëveshjes dhe se çfarë do të thotë për Kosovën dhe perspektivën e saj ndërkombëtare një marrëveshje e tillë nëse firmoset, u turrën si gjithmonë, që edhe këtë çështje jetike për Kosovën ta përdornin për politikë të brendshme. Më sa duket është karakteristike shqiptare që pushtetin e lidhin me shtetin dhe fatin e këtij të fundit e lidhin me fatin e atij që ndodhet në pushtet.

I deleguari i Departamentit të Shtetit Amerikan disa javë më parë u shprehë  se kjo është një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë dhe jo midis Kurtit dhe Vuçiç. Pikërisht ky është thelbi i gjithë kësaj historie dhe jo qëndrimet e njërit apo tjetrit politikan të Kosovës apo të Shqipërisë.

E rëndësishme është që çështja e Kosovës të marrë një zgjidhje përfundimtare. Përfundimtare pasi koniunktura ndërkombëtare në vitet e ardhshme mund të ndryshojë dhe ndoshta jo në favor të Kosovës. Prandaj, zgjidhja njëherë e mirë e njohjes së shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë duhet të ndodhë sa më shpjet. Sa më shumë kjo çështje zgjat aq më e rrezikshme bëhet për të ardhmen e Kosovës.  Dhe me sa duket nga pikat e marrëveshjes, nëse ato zbatohet ka një njohje de fakto dhe de jure të shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë. Sepse të kuptohemi, njohja e shteti të Kosovës nga ana e Serbisë është më e rëndësishme për të ardhmen e saj se sa shumë njohje të tjera që ajo ka marrë deri më tani në arenën ndërkombëtare.

Sigurisht që Kosovën nga ana e saj do të lëshojë diçka për atë arritur atë që dëshiron. Dhe asocacioni i komunave serbe mund të jetë çmimi që duhet të paguajë. Nuk ka rëndësi nëse kryeministri Kurti ka qenë kundër saj kur ishte në opozitë, e rëndësishme është që ajo të sjellë njohjen përfundimtare të Kovës dhe integrimin e saj të plotë në organizatat ndërkombëtare.

Pavarësisht se e firmos Kurti këtë marrëveshje, edhe pse ka qene kundërshtari më i egër i asocacionit, rëndësi ka qene është në të mirë të Kosovës. E rëndësishme është që kjo marrëveshje do ta nxjerrë nga rreziku i izolimit ndërkombëtar ku Albin Kurti me insistimin e politikave të tij po e fuste Kosovën.

Përsa i përket fatit politik të Albin Kurtit, është e qartë se do ta ndjeke fati i mirënjohur i politikanit radikal apo populist. Radikalët shpesh herë futen në një rreth vicioz nga ku vështirë se dalin dot më. Kur janë në opozitë qëndrimet e tyre janë utopike për të korrur konsensus popullor, ashtu sikurse kanë qenë ato të Albini Kurtit kur ka qene në opozitë. Qedrime të cilat bazoheshin te populizmi dhe emocionet që nuk kanë asnjë lidhje me real politikën dhe diplomacinë. Ndërkohë që kur vijnë në pushtet, radikalët duhet të marrin vendime të cilat janë në kundërshtime me parimet që kanë shpalosur gjatë opozitarizmit. Duke bërë këtë, humbin konsensus nga të gjitha drejtimet.

Në këtë kuptim, fati i politikanëve populist është i ditur. Popullariteti i tyre zgjat shumë pak, aq sa vjen momenti që duhet të bësh llogaritë me realitetin dhe efikasitetin pragmatist të politikës, që e ka në thelb të saj.

Megjithatë, pak rëndësi ka nëse Albin Kurti me sjelljet e tij do të mund të jetë edhe për shumë gjatë Kryeministër i Kosovës. E rëndësishme është që të firmosë marrëveshjen dhe të zgjidhë njëherë e mirë çështjen e Kosovës. Nëse fatin e tij do ta vendosë përpara fatit të Kosovës kjo mbetet për t’u parë. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH