Aktualitet

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Protesta pa bilanc

Shkruar nga Liberale
EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Protesta pa bilanc

Ervis Iljazaj

Protestat politike në Shqipëri janë konsideruar në shumicën e rasteve si një demonstrim force nga partitë politike sa herë që duan të arrijnë një qëllim të caktuar. Mirëpo, pothuajse asnjëherë  ato nuk e kanë arritur qëllimin pavarësisht se në bulevard  e kanë provuar forca të ndryshme, të majta apo të djathta. Për një arsye shumë të thjeshtë. Sepse protestat, ato politike, ndryshe nga ato qytetare, janë mjeti më i thjeshtë i të bërit politikë dhe jo më i vështiri siç mendohet zakonisht. Faktet e kanë treguar këtë. Në këtë kuptim, ka një mitizim të tyre, i cili nuk përputhet me realitetin politik.

Edhe kësaj here, po të shikojmë protestat që po zhvillon ‘’Rithemelimi’’ dhe, të ngremë pyetjen se cili është bilanci i tyre në fund të ditës, do të shikojmë se ato janë pa bilanc dhe pa asnjë rezultat.

Zakonisht, kur zhvillohet një protestë ka disa pritshmëri mbi të cilat bëhet dhe një bilanc i tyre.

Për shembull, objektivi mund të jetë sensibilizimi i shoqërisë për një çështje apo kauzë të caktuar. Problemi qëndron se kauza e kësaj proteste nuk ka në qendër të saj hallet e qytetarëve, por hallet e politikës. Retorika e protestës bazohet tërësisht në çështje të cilat kanë të bëjnë me raportet me Amerikën, gjyqet e FBI-së apo gjeopolitikën botërore. Larg të qenit problematika që shqetësojnë vërtet qytetarët shqiptarë, sigurisht që ajo nuk do të marrë vëmendjen e duhur për tu kthyer në një kauzë të interesit publik që sensibilizon njerëzit.

Objektivi i dytë mund të jetë largimi i qeverisë. Por të gjithë janë të ndërgjegjshëm se me këtë rrugë ky nuk është një rezultat i mundshëm. Protestat politike të zhvilluara në Shqipëri nuk ja kanë dalë asnjëherë të largojnë një qeveri nga pushteti. Të vetmet që mund ta arrijnë këtë gjë janë protestat qytetare, por ky është një diskutim tjetër.

Nëpërmjet protestave mund të synohet, për shembull, rritja e konsensusit popullor rreth një partie të caktuar. Por edhe në këtë drejtim asgjë e re nuk duket në horizont. Protestat e Rithemelimit janë reduktuar në protesta të disa militantëve që paraqiten përpara Parlamentit. Dhe, fryma e saj nuk ka dalë përtej radhëve të tyre dhe të depërtojë në masën e gjerë të shoqërisë. Ky nuk është një objektiv aspak i lehtë, ose më saktë, është një objektiv që arrihet me mjete të tjera dhe jo me protesta politike.

Gjithashtu, nëpërmjet protestave mund të synohet sensibilizimi i aleatëve ndërkombëtarë të Shqipërisë për një çështje të caktuar. Por opozita e drejtuar nga Sali Berisha është një opozitë e cila është totalisht e izoluar. Që nga 6 Marsi e sot, kjo gjendje nuk ka ndryshuar. Përkundrazi, është shtuar dhe një non grata për të nga Britania e Madhe. Deri më sot, mund të thuhet se kjo lëvizje nuk ka asnjë aleat ndërkombëtar, pa të cilët suksesi politik bëhet i vështirë, pothuajse i pamundur.

Së fundmi një protestë mund të bëjë që qeveria të zmbrapset nga një vendim i caktuar. Mirëpo, duke parë arrogancën e kësaj qeverie dhe e kryeministrit, edhe kjo gjë duket një iluzion. Ne kemi të bëjmë me një Kryeministër, i cili nuk përmbush detyrën e tij kushtetuese, atë të dhënies llogari përpara Parlamentit, sa herë që ky i fundit e kërkon. Kryeministri jonë mendon se Shqipëria është një republikë kryeministrore dhe jo parlamentare. Megjithatë, kjo është një teme që kërkon një diskutim me të gjerë se sa një artikull publicistikë.

Për të gjitha këto arsye, mund të dilet në konkluzionin se i vetmi objektiv që i ka mbetur protestave të Rithemelimit, është legjitimimi i Sali Berishës në krye të punëve të opozitës. Si të thuash, është një protestë me rreze të shkurtër veprimi. Fatkeqësisht, nuk po kalon dhe nuk mund të kalojë dot përtej këtij synimi për shumë arsye. Beteja po zhvillohet se cila do të jetë opozita zyrtare dhe jo për rrëzimin e qeverisë. Jemi një nivel larg garës normale për pushtetin./Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH