Ervis Iljazaj
Megjithëse eksponentët e Koalicionit Bashkë fitojmë mundohen që mos ta përmendin fare rezultatin e saj në zgjedhjet lokale në Kukës, humbja e thellë që pësuan nuk ndryshon aspak. Sa do strategji të komunikimit të përdorin bashkë me rrethin e tyre mediatik të fuqishëm për ta fshehur të vërtetën e hidhur, Kukësi është aty, oshtin më fort se kurrë për domethënie në politike që mbart, e cila është vazhdimësi e zgjedhjeve të 14 majit. Koalicioni Bashkë Fitojmë i udhëhequr nga Sali Berisha nuk është shumicë në shoqërinë shqiptare.
Madje rasti i Kukësit tregon edhe më shumë. Votat për të sa vijnë e tkurren. Ky tashmë është një realitetit politik i pashmangshëm, i pandryshueshëm dhe më të gjitha gjasat i patjetërsueshëm.
E megjithatë, askush nga ata që e rrethojnë liderin e tyre historik, nuk ka guximin të artikulojë publikisht përgjegjësinë tij për rezultatet që sa vijnë e zvogëlohen. Kësaj herë, nuk ishin fuqinë të përmendin as manipulime dhe as vjedhje votash, pasi rezultati ishte aq i thellë sa do të ishin tërësisht të pabesueshëm. Kësaj herë, duket sikur e kanë pranuar kokëulur dhe të pafuqishëm për të bërë asgjë, të vërtetën politike e cila është aty, sa do të mundohen ta fshehin.
Fshehja e një realiteti politik, nuk e ndihmon opozitën shqiptare , përkundrazi, do ta çojë atë edhe në humbje më të thella se sa ajo e Kukësit. Diskutimi, hapja dhe analiza është ajo që e ndihmon opozitën të gjejë rrugën e humbur tashmë.
Problemi është se, për shumë kohë grupimi i Berishës ja kanë faturuar humbjet përçarjes së opozitës apo bashkëpunimit të pjesë tjetër me qeverinë. Një linjë politike e cila është ngritur e gjitha mbi një gënjeshtër, duke ndërtuar alibinë e pafuqisë politike. Rasti i Kukësit tregon pikërisht ë kundërtën. Këtë herë opozita në Kukës ishte e bashkuar , me një kandidat. Madje komisionerët e partisë zyrtare u vendosën në shërbim të kandidatit të Koalicionit Bashkë Fitojmë.
Edhe më shumë se kaq, kësaj herë koalicioni Bashkë Fitojmë e triumfojë me të madhe afrimin e disa deputetëve me në krye Gazment Bardhin nën lidershipin e Berishës si bashkim të opozitës. Madje disa prej tyre tryezën e përbashkët të deputetëve e konsideruan si zgjidhjen e problemeve të saj dhe si një ditë të shënuar.
Por me sa duket, ‘’Bashkë’’ rezultuan edhe më pak. Për një arsye shumë të thjeshtë. Ai ishte një bashkim i ndërtuar mbi interesa personale dhe aspak mbi parime dhe moralin politik. Interesa të cilat në politikë janë legjitime, por shpesh herë nuk përputhen me interesat e qytetarëve.
Në këtë kuptim, opozita mund të heshtë për Kukësin, por përgjegjësia e saj për rezultatin nuk mund të fshihet dhe as largojë nga perceptimi tashmë i rrënjosur në opinionin publik , se kjo është një opozitë jo fituese. Dhe ky është dëmi më i madh që po i shkaktohet demokracisë në Shqipëri. Ideja e ngulitur gjithmonë e më shumë se kjo lloj opozite nuk është fituese.
Nuk mjafton të qënurit në opozitë për të ndihmuar demokracinë në Shqipëri. Opozita nuk është një status moral në vetvete. E rëndësishme është se çfarë opozite!? Të marrësh monopolin e të qenurit në opozitë me Edi Ramën nuk të jep automatikisht fitoren. Çështja është si të jesh një opozitë fituese!?. Dhe për këtë askush nuk flet.
Madje opozita nuk është as çështje numrash, por çështje kauzash. E gjithë retorika e opozitës gjatë këtyre kohëve ka qenë retorike sasiore dhe aspak cilësore. Është diskutuar pa fund mbi numrat, mbi pakicën dhe shumicën, por asnjëherë mbi cilësinë e argumenteve dhe cilësinë e opozitës.
Dhe nëse do të vazhdohet kështu, duke ikur nga realiteti dhe e vërteta, opozita do të jetë gjithmonë e më pak opozitë jo vetëm në cilësi, por edhe në sasi.