Ervis Iljazaj
Si shumë shqiptarë të tjerë kam pasur eksperiencën time dhe të familjarëve të mi me rinovimin e pasaportave dhe letërnjoftimeve me kompaninë koncesionare. Mund të them se shërbimi është totalisht automatik dhe efikas. Kam vajtur dhe kamë mbaruar punë pa qenë nevoja të flisja me dikë, pa qene nevoja të bëja forcime shtesë, por thjesht duke ndjekur procedurat të cilat janë të qarta dhe me një kosto të përballueshme, kam pasur pasaportën në xhep. Sigurisht, asnjë shërbim nuk është perfekt dhe, ka nevojë për përmirësime, por mund të thuhet se koncesioni i pasaportave në Shqipëri konsiderohet një histori suksesi.
Ka debat dhe mund të diskutohet për përmirësimin e kostove, përfitimeve të kompanisë apo teknikaliteteve të tjera, por nga kjo të deklarosh ashtu sikurse bëri Ministri i Brendshëm “se ministria do të marrë kontrollin e pasaportave biometrike” është një kthim mbrapa dhe në një farë mënyre një vendim i pakuptimtë.
Problemi është se Qeveria nuk diskuton problematikat e këtij koncesioni dhe t’i përmirësojë, por thjesht në mënyrë pothuajse ideologjike kërkon ta shtetëzojë, ashtu sikurse ka qenë vite më parë.
Besoj, shumëkush kujtohet se kur ky shërbim ofrohej nga shteti, për të marrë një pasaportë duhet të njihje dikë, të takoje një polic që shpesh herë ishte militant, apo edhe raste korruptive me para në dorë për të marrë një shërbim që të takonte me ligj dhe ishte e drejta e kujtdo.
Nëse kjo gjë ndodh, shqiptarët do të kenë të bëjnë përsëri me disa punonjës administrate militant partie, të cilët kujtojnë se e kanë në dorë, nëse mund ta japin një shërbim apo jo dhe, jo detyrimin që kanë për të të shërbyer në kohë dhe mënyrë efikase. Dhe nuk kanë faj, sepse shpesh herë atë vend pune se kanë me meritë, por me militantizëm.
Fakti që një koncesion për një shërbim, sigurisht me problematikat e tij, por që në përgjithësi ka funksionuar më së miri, kërkohet të shtetëzohet ka të bëjë me mentalitetin e kësaj qeverie.
Ka disa kohë që qeveria e ka kthyer etatizmin në nivele alarmante në ekonomi dhe shërbime. Për shembull, ka krijuar një polici private shtetërore, një absurditet që ka kontradiksion logjik që në emërtim, apo ka krijuar shkollën shtetërore të drejtorëve për shkolla, ku shteti në vend që të jetë rregullator formon drejtorë shkollash, kur në të vërtetë kjo detyrë i përket institucioneve të tjera. Imagjinoni që një person, i cili ka mbaruar studimet në Oxford nuk mund të bëhet drejtor shkolle, nëse nuk ka ndjekur shkollën e drejtorëve të shtetit shqiptar. Dhe, raste të tilla ka pafund.
Ajo që po ndodh është centralizimi gjithmonë e më shumë i pushtetit politik, duke bërë të mundur që qeveria të kontrollojë çdo element të ekonomisë, shoqërisë dhe shërbimeve dhe duke bërë që gjithmonë e më shumë jeta e qytetarëve të varet nga politika dhe jo nga aftësia dhe meritokracia e tyre.
Ndër të tjera, edhe në ato raste ku shteti shqiptar ka dhënë shërbime me koncesione në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, e ka bërë pa garë, në mënyrë korruptive dhe abuzive, që në vetvete është dhe kjo një shenjë e arbitraritetit të shtetit dhe abuzimin që sjell ai. Mirëpo, duke qenë se shumë koncesione janë bërë në mënyrë korruptive, është krijuar ideja se ato janë një instrument i keq për ekonominë. Ndërkohë që, nëse ato zhvillohen me garë dhe sipas ligjit, janë një impuls i madh për zhvillimin ekonomik.
Për të gjitha këto arsye, kriza e ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare, nuk është aspak kriza e kapitalizmit, por e etatizmit.
Ata që luftojnë kapitalizmin si e keqja më e madhe dhe ofrojnë më shumë shtet, ende nuk e kanë kuptuar që kriza është pikërisht e këtij të fundit. Akuzojnë shtetin shqiptar si të korruptuar dhe ndërkohë ofrojnë akoma edhe më shumë shtet! A nuk ka shenja mjaftueshëm për të kuptuar se më shumë shtet, do të thotë më shumë pushtet dhe më shumë pushtet, do të thotë më shumë korrupsion?!
Për të gjitha këto arsye, kriza e ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare nuk është aspak kriza e kapitalizmit, por e etatizmit.
Prandaj për të pasur një shtet të mirë, na duhet një shtet i vogël që të mundësojë garën, lirinë ekonomike dhe kapitalizmin në Shqipëri, atë të vërtetin./Liberale.al/