Analizë

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Gjykata duhet t'i japë fund komedisë për logon e PD-së

Shkruar nga Liberale
EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Gjykata duhet t'i japë fund komedisë

Ervis Iljazaj

Tashmë që zgjedhjet lokale po afrojnë dhe vendi po shkon në një betejë politike shumë të rëndësishme për të ardhmen e demokracisë shqiptare, aq me tepër kur zgjedhjet e fundit lokale ishin monopartiake, çështja e përkatësisë së logos së Partisë Demokratike, duhet të marrë sa më shpejt zgjidhje përfundimtare.

Shtyrja e këtij procesi ligjor nuk mund të vazhdojë pafund , për arsye se kemi të bëjmë me partinë më të madhe opozitare dhe një parti me histori të rëndësishme për Shqipërinë. Është absurde të mendosh që gjykatat shqiptare e trajtojnë këtë çështje si çdo çështje tjetër të “zakonshme”. Përkatësia e logos, e një nga dy partive më të rëndësishme të politikës shqiptare, duhet të jetë prioritare për çdo gjykatë për hir të garantimit të garës politike dhe lirive politike që janë thelbësore për një demokraci.

Në të kundërtën opozita futet në zgjedhjet lokale me një disavantazh të madh politik në raport me pozitën, gjë e cila deformon totalisht garën politike. Është e paqartë dhe e vështirë të gjesh justifikime për shtyrjen e një procesi gjyqësor për një çështje të tillë që përbën një interes publik kaq të rëndësishëm.

Në këtë pikë ku ka arritur kjo çështje, mund të thuhet që është kthyer në një komedi të cilës gjykata duhet t’i japë fund, duke qenë se palët brenda të djathtës që e pretendojnë atë, nuk arritën dot, për pothuajse një vit, t’i japin një zgjidhje politike.

Nuk ka rëndësi se çfarë vendimi jep gjykata, rëndësi ka që të dalë me një të tillë sa më parë për të krijuar kushtet e nevojshme politike dhe shoqërore për zgjedhje të ndershme dhe të barabarta.

Është e qartë se fraktura politike që u krijua me përjashtimin e Sali Berishës nga Lulzim Basha është një ndarje që nuk mund të ngjitet më. Tashmë brenda votuesve të djathtë ekzistojnë dy palë. Një berishiste dhe një anti-berishiste, pa hyrë në debatin se kush ka mazhorancën, pasi për drejtësinë shpesh herë kanë rëndësi e drejta dhe jo shumica. Gjykatat nuk numërojnë njerëz, ato vendosin për zbatimin e ligjeve dhe procedurave.

Në këtë kuptim, ajo çfarë ka mbetur nga kjo parti është fakti nëse do të jetë përgjithmonë parti e Sali Berishës, apo atë logo do ta kenë njerëz të ndryshëm prej tij.

Megjithë përpjekjet për bashkimin e demokratëve, përpjekje, e cila duket se është e pasinqertë dhe e pamundur, tashmë mund të thuhet që ekzistojnë jo vetëm një e djathtë, por disa të tilla. Ndoshta është më mirë kështu. Nuk ka asnjë gjë të çuditshme që një spektër politik të përfaqësohet nga disa rryma të ndryshme, qoftë edhe parti të ndryshme. Beteja dhe mania për të pasur logon e një partie është një betejë e cila nuk sjellë as vota më shumë, as vota më pak.

Sigurisht, logoja ka rëndësinë e saj, por nuk të bënë as fitues e as të fuqishëm politikisht. Ka mjaft forca politike jashtë Shqipërisë që e kanë ndryshuar emrin e partisë, logon apo edhe vizionin shpesh herë dhe kanë ditur të  mbledhin konsensus popullor.

Gjithsecili, nga dy pjesët e Partisë Demokratike, ka të drejtën themelore për të ditur se me çfarë logoje zyrtare do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale. Kjo gjë duhet të ndodh sa më shpejt për të krijuar qartësi politike në një garë demokratike. Këtë të drejtë duhet ta garantojnë gjykatat shqiptare.

Gjyqi për çështjen e logos së Partisë Demokratike, nëse shtyhet pa kuptim më tej, padyshim që mund të krijojë tensione politike dhe shkon në favor vetëm të shumicës në pushtet në mënyrë pothuajse arbitrare dhe nuk i shërben një klime të qetë politike. Nuk mund të mbahet peng përkatësia e logos së Partisë më të rëndësishme të tranzicionit shqiptar. Ajo përfaqëson sensibilitete, histori dhe grupe shoqërore të cilat kanë nevojë për një shpjegim dhe vendim sa më shpejt dhe sa më të drejtë. Çdo vonesë, është padyshim një turp i drejtësisë dhe politikës shqiptare./Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH