Aktualitet

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Çështja Beleri si “grek’’ nuk ekziston

Shkruar nga Liberale
EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Çështja Beleri si

Ervis Iljazaj

Kërcënimet e Greqisë se do të pengojë procesin e integrimit të Shqipërisë në BE për shkak të çështjes Beleri duket sikur nuk kanë shqetësuar aspak Edi Ramën dhe Shqipërinë. Për dy arsye kryesore. E para sepse e di mirë se integrimi i Shqipërisë nuk varet nga Greqia, por nga fuqitë kryesore të Bashkimit Europian. Dhe e dyta, sepse nuk ekziston një çështje minoritare në Shqipëri.

Pikërisht ky është problemi i Belerit. Që nga koha që është në masë sigurie ai është mbrojtur nga mbështetësit e tij si minoritar dhe si “grek’’, dhe jo si një person dhe individ që kërkon liritë dhe të drejtat e tij politike, ndoshta me të drejtë.

Ata që e mbështesin, kanë menduar se duke patur mbështetjen e shtetit grek, do të ishte më e lehtë për të për të kërkuar të drejtat e tij. Në fakt e kundërta është e vërtetë. Duke u mbrojtur si grek , Fredi Beleri po dobëson mbrojtjen e tij juridike si një individ dhe kandidat politik.

Nëse kjo qeveri dhe Edi Rama, e kanë stisur procesin gjyqësor ndaj tij, këtë e kanë bërë si kandidat të opozitës dhe jo ndaj një minoritari grek. Mirëpo opozita, me sa duket ja ka lënë në dorë shtetit grek në dorë për të mbrojtur Fredi Belerin. Ndoshta është e zënë me aksione të tjera më të rëndësishme opozitare, ose ndoshta është thjesht e kompleksuar për faktin se Beleri shihet tashmë nga opinion publik si “greku’’ që do të marrë Bashkinë e  Himarës.

Dhe në këtë kuptim, Edi Rama e ka fituar këtë betejë në opinion publik. Sepse e di fare mirë se vetëm kështu pra, duke u konsideruar Fredi Beleri si ‘’grek’’ mund ta fitojë këtë betejë në aspektin e komunikimit, i cili luan një rol të rëndësishëm edhe në proceset gjyqësore.

Është e qartë se shteti shqiptar ka një 100 mëkate në 33 vite pluralizëm. Por për vetëm një gjë nuk mund ta akuzosh. Që është një shtet i cili nuk respekton të drejtat e minoritarëve, apo se kjo e Himarës është një betejë etnike dhe jo politike. Shteti shqiptar, është ndoshta shteti më respektues i drejtave të minoritarëve në rajon. Dhe këtë nuk e ka bërë sepse është një shtet demokratik, por thjesht për servilizëm ndaj vendeve fqinj, kryesisht Greqisë. Thjesht për faktin se Greqia është një shtet më i fuqishëm se ne, dhe të gjithë politikanëve shqiptar i ka leverdisur të ketë marrëdhënie të mira me të.

Prandaj, çështja e Belerit si grek nuk ekziston. Nëse vërtetë Shqipëria do të kishte një problem me respektimin e të drejtave të minoritarëve, do të ishin vetë  institucionet e BE-së që do të pengonin hapjen e kapitujve në dhjetor. Edhe ideja se në Jug të Shqipërisë po i merren pronat minoritarëve është një tezë që nuk qëndron. Problemi i pronave në Shqipëri është një problem kombëtar këtu e 30 vite. Pronat për interes të një grupi njerëzish i janë rrëmbyer shqiptarëve dhe minoritarëve, pa dallim race, etnie apo feje.

Nëse në këtë histori ka një çështje, është pikërisht çështja e një pushteti autoritar që për interesa të tij bënë çdo gjë, qoftë edhe duke stisur procese gjyqësore. Ose më saktë, pushteti i kësaj qeverie është në vërtetëve një pushtet i korruptuar dhe që ka kapur pjesë të rëndësishme të sistemit gjyqësor, me përjashtim të SPAK.  Në këtë kuptim autoritarzimi i kësaj qeverie nëse ekziston, ekziston si i tillë dhe nuk ka nuanca racore apo etnike.

Të gjithë ata që e mbrojnë Belerin si minoritar apo si grek, nuk po bëjnë gjë tjetër veçse sa po ndihmojnë Ramën dhe këtë qeveri për ta fituar betejën e Himarës. Fredi Beleri është një kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në zgjedhjet e 14 majit, dhe si i tillë duhet mbrojtur. Si një njeri që kërkon të drejtat dhe liritë e tij politike, dhe jo si një minoritar që po diskriminohet si i tillë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH