Art - Kulture

Edison Çeraj- Krijuesi i heshtur apo kultura e dijes si ardhmëri?

               Publikuar në : 10:07 - 15/02/20 Vladimir Myrtezai

Vladimir Myrtezai

Ka vetëm një cen, nëse do kërkonim një të metë për ta përthyer: është njeri i lexuar. Kështu më vjen figura e një djaloshi tridhjetepesë-vjeçar që ka pranuar sfidën e mësimdhënies në një nga territoret më delikatë të komunikimit: artet pamore. Duket si e tepruar, por Çeraj është një e vërtetë e vrojtuar në kohë, në mënyrë të disafishtë, për sy të stërvitur në zgjedhje, që bashkëjeton duke kuruar kohën e duke ripërtërirë gjalljen në një sakrificë të ëmbël, njësoj si oksigjeni. Ai ushqen me jetë gjallje e dukuri që e udhëheqin mendjen në skutat më të fshehta të pavetëdijes dhe mbivendosjeve në një përjetim që merr udhë nga sekreti i një egoje të lartë realizuese.

Nëse ke një pyetje ka gjithmonë edhe një përgjigje të argumentuar në një shqipe të pastër dhe në një rrethpërkorje e teknikë për ta shkoqitur në formën më të lartë të interpretimit. Me një fantazi të përmbajtur e abstraguese, në tryezën e bisedës do kesh gjithherë argumente që ngjallin e miklojnë fantazinë e çdo njeriu që kërkon një territor të panjohur të shtrirjes së kërshërisë.

Nuk bëhet fjalë për fiksion, por për një modelim gjuhe në hapësira të papritura të gjetjes dhe çdo shkaku që e kthen bashkëbisedimin në një kontaminim të nëndheshëm e bindës drejt një interesi që pret përmbushje, jo vetëm në gjuhën e “specialistit”, por më gjerë: rrethuar nga aksesorë bindës argumentesh që kanë të bëjnë me filozofinë, psikologjinë, historinë dhe hartat e ndryshme të rrugëtimit në kohë.

Një lloj sondazhi njohës mbi çdo gjë e gjithçka që e rrethon fenomenin apo objektin e zgjedhur të tokës së  artit.

Pa dyshim që Edison Çeraj është një kapacitet i investuar nga e ardhmja, qoftë si artist dhe sidomos si metodologji bashkëkohore mendimi. Si rrjedhojë e lirisë që dhuron, ai është një lloj profili që ligjëron me heshtjen e tij nën parimin e shenjtë të një njeriu të investuar në dije, i etur për të gjurmuar çdo trashëgimi njerëzore. Si një dashuri dhe ngulm, që nuk se i ngjan një egoje në alarm, por një normaliteti të mbjellë në kulturën e kërkimit, epërsisë dhe sjelljes në respekt të qenies njerëzore. Ndaj dhe ndihet përherë e më shumë si një fantazmë e heshtur e urtisë, duke u shpërndarë në mjedis si një dashuri e butë dhe e përkrahur  nga radha e atyre që dëgjojnë e orientohen nga trajtesat e tij të mençura plot me të dhëna, kolorit dhe dëshmi shkencore. Të duket sikur të mbështjell me shenja të heshtura të një shijeje të mirëorientuar, si dhe me të papritura karakteriale që i japin ritëm dhe personalitet gjithë performancës së heshtur që ai kryen në një grumbullim dijesh e dëgjuesish në interes.

Përveç kulturologjisë ai ka edhe një tjetër udhëtim përthyes: të qenit kreativ në vijën e njeriut që i duhet të çlirohet nga dija për t’u rigjetur në emulsionet e pakontrolluara të asaj që nuk shihet dhe arsyetohet deri në fund, për të mos e lejuar logjikën dhe arsyetimin të na vrasë, siç e thotë herë pas here. Pra, është një luftë në kontradiktë që e bën atë pjesë të një procesi ndërtimi dhe shkatërrimi, për të kërkuar kështu veten në një udhëtim tjetër apo në një gjendje ende të palexuar e të pozuar në publik.

Peizazhet e një udhëtimi mendor vijnë shumë shpesh të reduktuara në shenja të përmbajtura, kuruar nga dija që zotëron.

Një nga gjërat që më bën ta vizatoj si veçanti apo si karakter veç është një mani e tij për të lyer e lustruar këpucët. Një detaj i pashpjegueshëm, një cen kolorit që vjen si shenjë dalluese. Po ashtu, jepet me devocion pas ëmbëlsirave.

Çeraj është një lloj shpleksje mes dijes, informacionit dhe udhëtimit të tij si përthyerje e redaktuar nga këta kufij njohës. Në këtë kompleksitet shtrihet një amplitudë e mjaftueshme sensorësh që ndërtojnë një vatër të kontaminuar nga interesi i padukshëm alkimik i një simulimi në një brazdë që kontrollohet nga intuita dhe emocioni. Është interesante se si të gjitha dhuntitë dhe reflekset e të reaguarit vijnë të përzgjedhura nga ky përbashkim konfliktual i gjendjeve lundruese të tij.

Librat e tij të botuar në një hark të shkurtër kohor: “Arti si mundësi”, “Kërkime në metafizikën e artit” dhe “Nyja e harresës”.

Edison Çeraj është një aset i padukshëm i së ardhmes për shkak të urtisë së tij, por edhe për shkak të natyralitetit në një lundrim të pandalshëm drejt formulave të dijes, shoqëruar me një dashuri të jashtëzakonshme për punën pa zhurmë.

Parë në perspektivë të duket sikur po mbjell në qiell një ëndërr formuese që përmban sekretin e një universi fluturues të imagjinatës, ku shtrihet intelekti njerëzor, sepse në llogari të parë asgjë nuk të kthehet si një vlerë e shtuar materiale, por si një pasuri jo fort e dukshme e në thirrje shpirti. Kështu që, të gjithë punëtorët e artit dhe bashkëdhuruesit e tij jetojnë në një atdhe të shpikur, pa kufi e pa ngastra të personalizuara; ku çdo gjë vjen si një investim në ajër e në fantazi, duke u kthyer më pas në një lojë të mendjes, ose në një ekuacion të madh të kuriozitetit njerëzor.

Gjithnjë e më shumë, në ndërgjegjen e njerëzve apo të rinjve po ngrihet një aleancë e re dhe e njohur tashmë, si përkrahje inteligjente për të ngjallur ëndërrimin për gjëra që duken si dogma ose si pamundësi të kulluara.

Të jesh në këtë vijë të parë nënkupton të jesh serioz dhe i mirë investuar, si parashikim i së ardhmes, si një gjë që nuk ndodh për ditë e rastësisht, por i një mbarsjeje të parashikuar nga idetë, frymëzimi, puna dhe përkushtimi.

Profile të ngjashëm si Edison Çeraj duhet të jenë vëmendje kombëtare, për të investuar mendjen, propozimet e lirisë dhe të ardhmen në një harxh të destinuar drejtë, kah vlerat reale, në energji të mjafta e argumentuese, jo si shkrepëtima të çartura zgjedhjesh e përzgjedhjesh në tym.

Jo çdo herë ndodh që lumi të sjellë gjëra të vlefshme për nga kapacitetet dhe elementët e lartë të një dashurie për dijen, për punën dhe për etikën e sjelljes në shoqëri të mirëformuara. Mekanizmat zgjedhës duhet të jenë syçelur në investime të tilla të mendjes e në shoqërimin e një grupimi njerëzish për të sjellë normalitet e zhvillim.

Ngjan sikur njeriu nuk ka nevojë për moshën për të qenë i ditur apo në krye të vendit, ama për natyralitet ka nevojë, për rrugë të hapura, për një vullnet përkrahës dhe për gjëra të mirëlexuara si vlerë.

Në pedagogji apo në fushën e edukimit, ose e thënë ndryshe në artin për të kryesuar në grup, duhet të kesh aftësi bashkuese dhe pika referencash për të bindur grigjën apo grupin që të ndjek, se ti je një pjesë e rëndësishme e një kahu të së vërtetës, dhe për këtë duhet staturë, jo utoritet, por mashtab bindës, ku argumenti duhet të jetë një dialog përfshirës. Të realizosh këtë binom të rëndësishëm duhet të jesh udhëtar shembujsh përkrahës dhe me një kulturë që vjen në rritje.

Esetë e tij të artikuluara në editorë publikë dhe leksione, “Natyra mes kultit dhe dhunës”, “Komploti kundër artit”, “Bëj asgjë”, “Subjekti si grackë”, “Nostalgjia është njohje”, “Kujtesa është çlirim”, “Kush janë personazhet e Hockney”, “Fluturimi i Chagall”, “Dukja trupi dhe turpi etj..”

Edison Çeraj është një profil interesant, qoftë si strukturë parake në një goditje të parë vizive, e deri në imtësi marrëdhëniesh që e bëjnë atë një personazh të veçantë; një lloj modeli i butë, që së shumti e shfaqin arketipa të tillë kur i etiketon si artistë, piktorë apo mendimtarë që merren me art, për faktin e thjeshtë se që në ballinë të asociohet në gjuhë trupi me një njeri që ka të bëjë me letrat, ose me librat, dhe nëse e zhvendos edhe më hulumtimin ka një ngjashmëri foshnjarake me Migjenin, ose Asdrenin. Ndonjëherë, për shkak të gjuhës, më është dukur si Çabej, por edhe si Camaj, për shkaqe mistike dhe shtatin prej veriori.

Natyra e tij e paqtë, e heshtur dhe në një ngut të lakmueshëm në ikje nuk të lë shteg për ta radhur në figura karakter e me cene të dukshme të një grotesku për t’u mbajtur mend. Pikërisht kjo mungesë qëndrueshmërie për ta përfshirë në një njollë karakteri tregon nën rreshta se është një normalitet në lëvizje, por në një mision të padukshëm, që e lehtëson përfytyrimin dhe e bën si lloj a ngjyrim njeriun e një përditshmërie të zakontë.

Sindroma të tilla, kur kemi karaktere njollë, shpesh janë të artistëve të gjestit, që bëjnë çmos për të qenë në vëmendje; aktorë që kanë nevojë të bien në sy.

Një nga arsyet e të jetuarit me cilësi është kur në një mjedis të caktuar ndjehesh në rezonancë të padukshme me shenjat, që në padukshmërinë e tyre notojnë në pavetëdije si identifikim i përsëritur i një rruge të ri shkelur. Këtë e vija re në fund të vitit akademik, në provime, mes mësimdhënësve dhe mësim marrësve, në kuptimin e një raporti lëvizës, kur marrim e japim në hapësirë kuptimet e nënkuptimet e saj.

Çeraj është një lojtar pa cak i mediumit të hapësirës, ku me një inteligjencë dhe ndjeshmëri gati ngjitëse riorganizon mendimin dhe thellësinë e zgjedhjes të çdo aspekti ndërhyrës pamor. Ai vizaton dhe peshon fizikisht forma dhe shthurje qëndrimesh në një gjuhë mjaft të nënkuptuar, në një lloj kodifikimi tejet profesional.

Njohja e specifikave të tensionit hapësinor, psikologjia e formës dhe e konteksteve si udhëtime ndërthurëse është si të krijosh një fjalor të ri në gjuhët shprehëse. Është një tjetër udhëtim që ka të bëjë me reflekset, muzikalitetin, peshën specifike, prishjen e narrativës dhe shumë kode të padukshëm që e ndërtojnë këtë hapësirë kulti dhe kulture.

Pikërisht në këto marrëdhënie që duken si pjesë e lindur e shijes, në fakt, ne lexojmë të tjera dhunti që t’i afron kultura e miksuar me elemente tejet personalë, për të ndërtuar fizionomi e qëndrime dialoguese.

Thjesht të dish është një faktor, por të dish duke ekuilibruar kulturalisht në një shumë referencash me një personalizim të qartë do të thotë se je në korrente si një lojtar i mundshëm për ta kthyer mediumin dhe hapësirën në një fjalor komunikues.

Organikisht në një udhëtim relevant, Çeraj hyn në zona operacionale me të njëjtin lloj dhe zgjedhje, përmes teknikash komunikimi, ku herë ndihet në shformime udhëtimesh nga lart poshtë, e herë në lëvizje referenciale përmes asociimit të koncepteve; ndonjëherë në kapriço të karakterit thellësisht eksperimental.

I mirëformuar, qëndrimet e tij nuk se shquhen për provokacione të larta në gjest piktorik, apo në një përzgjedhje direkte në reaksione të një temperature të lartë. Gjesti i tij në përqasje asociative me artistin me titull }Hi,Ai} Ai Weiwein,”,është një thjerrës e një reagimi kuptim plotë përmes kodesh në art. Gjithsesi, ka një udhëtim metafizik nën një përmbajtje të thelluar në  çuditë e zgjedhjeve që ofron. Parapëlqen një lloj dualizmi të përkrahur herë nga gjendje të shformuara e të çlirëta, herë nën një kontekst të dekontekstualizur, si një koncept i kulluar në thjeshtimin më të lartë të mundshëm. Aktet e tij, për shkak të mësimdhënies dhe pozicionit të shembullt, ndihen si forma didaktike e ushtrimore ndaj një audience të kualifikuar, që di të zbulojë nën rreshta, jo thjesht pasqyrime të drejtpërdrejta.

Gjithsesi, të merresh me art nuk është e lehtë, sidomos nëse nuk njohim rrjedhat e brendshme të autorit apo referencat orientuese. Pikërisht për këtë fakt jemi në një botë supozimesh e propozimesh, me shumë të panjohura, që duan kohën e duhur dhe një ballafaqim më të zgjatur, derisa të kthenen në një ndërgjegje të përligjur në gjuhën e artit. Ne jemi këtu të ripohohemi se ekzistojmë si ide dhe si kontekste të një filozofie mbështetëse.

Në raporte bashkëjetese, te kompleksiteti i fenomenit Çeraj ndjejmë ajër për të qenë të hapur drejt një jete kulturore fatlume; një supozim që mbetet i veçantë, si qendër e re e dialogut të hapur./Gazeta Liberale

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back