Aktualitet

Edi Rama shkatërron rrotën politike

Shkruar nga Liberale
Edi Rama shkatërron rrotën politike

Armand Kullau

Kryeministri Edi Rama fiton zgjedhjet e 25 Prillit me 74 mandate për deputetë duke u bërë politikani i parë në Shqipëri që fiton mandatin e tretë qeverisës me votë popullore. Tranzicioni na krijoi idenë se rrotacioni politik është një rregull i pashkruar midis partive politike por Edi Rama, rebeli demokrat në një shtëpi socialistësh theu si gjithmonë tabutë politike, transformoi politikën shqiptare në mënyrën e vet duke shkatërruar rrotën politike sipas kësaj formule.

Së pari, për  të qendruar në pushtet sa më gjatë, partia qeverisëse ka nevojë për një opozitë që vazhdon të bëjë gabime të cilën kur populli i pakënaqur nga qeverisja ta shohë si një alternativë të re, të ndjejë pasiguri, të ndjejë mllef dhe mbi të gjitha të shohë një parti e cila të krijon ndjesinë e prapambetjes duke u rikthyer tek siguria e partisë në pushtet.

Partia Demokratike dështoi në mënyrë spektakolare të rikrijonte vetveten, ajo ngeli peng e së shkuarës së dështuar, ajo ngeli peng e Berishizmit politik sepse karizma dhe stili i Sali Berishës kishin sukses kur shqiptarët ishin ndryshe, Shqipëria ishte ndryshe. Kohët kanë ndryshuar dhe PD-ja ka nevojë për një “pastrim” politik rrënjësor që të lulëzojë.

Së dyti, Edi Rama është një mjeshtër i propagandës dhe këtë e ka treguar vazhdimisht duke sjellë risi. Por cfarë bëri ai me makinerinë e propagandës që sot i dha fitoren? Rama reklamon dhe mediatizon cdo gjë, Rama reklamon projektet që ka bërë, reklamon projektet që s'ka bërë, reklamon veshjen e tij, sulmon median, sulmon Bashën, sulmon Monikën, sulmon Berishën dhe sulmin ai e fillon nga platformat e veta sociale duke e përhapur sulmin gradualisht për të analizuar dhe studiuar më mirë reagimin e medias dhe të audiencës për të patur argumenta bindës në cdo situatë.

Ai gjithmonë ka dicka për të shfaqur apo për të komentuar.

Në fakt, të treja mandatet e tij fituese nuk kanë patur në qendër të ligjërimit të tij programin qeverisës por opozitën dhe goditjen e saj me të gjitha mekanizmat e sofistikuar duke filluar nga portalet, televizionet dhe rrjetet sociale.

Së treti Kryeministri jonë është një kameleon sepse ai na ka “shitur” idenë se ai di ti bëjë të gjitha. Edi Rama është aktor, Edi Rama është piktor, Edi Rama është artist, Edi Rama është basketbollist, Edi Rama është historian, Edi Rama është humorist, Edi Rama është ekonomist, Edi Rama është patriot por mbi të gjitha qendron vetëm një rol  të cilin ai e ka bërë në mënyrë perfekte dhe ky është Edi Rama regjisor. Në fjalimin fitues të mbajtur ditën e djeshme në sheshin "Skënderbej", ai rishpalosi aftësinë e tij për të ndryshuar duke i bërë ftesë opozitës për bashkëpunim politik në favor të interesave të Shqipërisë.

Ai e ka kuptuar më mirë nga të gjithë se shqiptarët duan kinema me aktorë shqiptar dhe në mungesë të saj ata e kanë zëvendësuar atë me politikë. Duke kuptuar harresën që i është bërë artit të kinematografisë, Rama na ofron një film politik ku ai vetë është personazhi kryesor i cili korr suksese në televizionet shqiptare duke qënë më i ndjekuri pasi audienca arrin nivelet maksimale sa herë që ai shfaqet.

Por populli mbart urtësi të lashtë dhe shumë rrallë gabon. Populli e kuptoi që rrota politike PD-PS nuk kishte rezultat dhe me mënyrën e vet misterioze zgjodhi ti jepte mandatin e tretë Edi Ramës.

Kryeministri e mori sepse ka punuar, shqiptarët ia dhanë për ti treguar që e duan dhe janë të dashuruar pas aftësisë së tij për të qënë krijues dhe mbi të gjitha gjatë Pandemisë dhe Tërmetit ai shpalosi aftësitë e tija si politikan dhe si Kryeministër dhe  kërkoi falje si asnjë politikan kurrë më parë për ato që nuk arriti të realizonte dhe populli e “fali” për ti dhënë një mundësi për të shpalosur kësaj radhe pashmangshmërisht, Edi Rama si krenari e Shqipërisë ose Edi Rama si një politikan i radhës që shfrytëzoi ëndrrat e tyre për ëndrrën e pushtetit personal./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH