Kryesore

Edi Rama kujton se politika është si futbolli

               Publikuar në : 09:54 - 16/08/19 Ervis Iljazaj

Ervis Iljazaj

Pas publikimit të dokumenteve që tregojnë problemet me ligjin në të shkuarën  të Valdrin Pjetrit, ky i fundit ka dhënë dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Bashkisë.  Për shkak të procesit shumë të diskutueshëm  të 30 qershorit, i cili si nga ana formale po ashtu edhe nga ana përmbajtësore ishte një proces nul, këtë post Valdrin Pjetri e mori si pasojë e një vendimi arbitrar të qeverisë për ti zhvilluar ato zgjedhje, megjithëse nuk ka ende një vendim  të një arbitri për të sheshuar njëherë e përgjithmonë konfliktin institucional që ekziston për zgjedhjet lokale

Aq me tepër në rastin e Shkodrës, ku pjesëmarrja ishte më e ulëta ndoshta në të gjithë Shqipërinë,  qeverisja e Shkodrës nga Partia Socialiste do të ishte një absurd politik dhe demokratik. E megjithatë, pavarësisht të gjithave, Shkodra është kthyer edhe njëherë në qendër të vëmendjes politike për shkak të së shkuarës së kandidatit socialist.

Vepra penale për të cilën është dënuar Vladrin Pjetri është trafikim droge, të  cilën i zoti i punës e quajti si një banalitet dhe punë studentësh dhe pasojë e rinisë. Edhe mund të jetë kështu. Nuk kam aspak ndërmend të gjykojë Valdrin Pjetrin, pasi shumë njerëz, sidomos në rininë e tyre mund të kenë bërë gabime, dhe kjo është njerëzore.

Gjykimi në këtë rast duhet të jetë për politikën dhe liderët e saj, në këtë rast për Kryeminstrin, pasi kandidatët  për kryetarë bashkie janë plotësisht vendimarrje personale e tij, dhe kjo nuk ka asnjë dyshim.

Përtej faktit që kandidatët, përfshi këtu edhe atë të Shkodrës, dolën nga një proces aspak demokratik, dhe në të tilla raste gjasat për të vendosur njerëz të gabuar janë të shumtë, përgjegjësia këtu duhet të jetë e atij që vendosi që Valdrin Pjetri të jetë Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, kryeqendrës së Veriut të Shqipërisë. Pra , i Edi Ramës. Dhe, kësaj herë nuk mund të ketë justifikime se nuk e dinte, apo se Valdrin Pjetri nuk kishte treguar për këtë çështje. Një kryetar partie dhe një kryeministër duhet ta dijë se çfarë personash vendos për të qeverisur qytetet e Shqipërisë dhe të sigurohet se plotëson kriteret ligjore. Është detyra e tij dhe për këtë arsye paguhet nga taksat tona.

Problemi më i madh në të gjithë këtë histori, është fakti se rasti i  Valdrin Pjetrin nuk është rasti i parë i politikanëve të implikuar me probleme ligjore. Përkundrazi, ky fenomen po bëhet gjithmonë e më shumë një rast normal dhe nuk mund të jetë gjithmonë një ‘’ fat i keq’’ për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi, sepse kjo histori nuk mund të vazhdojë më gjatë në këtë mënyrë. Nuk është nevoja të përmenden të gjithë ata që janë larguar nga ligji i dekriminalizmit pasi rastet janë të ditura nga të gjithë. E rëndësishme është të theksohet fakti se ata që i vendosën në ato poste, ende nuk kanë mbajtur përgjegjësi apo të kërkojnë falje publike. Sepse, të pretendosh të largohen për këtë arsye duket si një utopi në realitetin shqiptar.

Politikanët shqiptar kujtojnë se politika është si futbolli, ku nëse paraqitesh keq një ndeshje, ke rastin gjithmonë të rikuperosh gabimin duke luajtur mirë ndeshjen tjetër. Politika është totalisht e kundërta e futbollit. Në politikë nuk ke rast të dytë për të bërë mirë. Për një arsye shumë të thjeshtë. Sepse ndryshe nga futbolli, politika ka në dorë fatet e njerëzve. Dhe nëse gabon duhet të largohesh.  Pikërisht kjo frikë, pamundësia e rastit të dytë, është mekanizmi që mban nën kontroll veprimet e politikës në një demokraci. Këto janë mekanizma të ndërtuar për dekada me radhë, të cilat mbajnë në këmbë një shoqëri të hapur dhe demokratike.

Por, me sa duket, pasioni i madh që ka Kryeminsitri për futbollin, kryesisht për ekipin e tij të zemrës Juventusin, e ka bërë të mendojë se politika është si futbolli ku ka gjithmonë një mundësi të dytë për  luajtur mirë. Megjithatë edhe në futboll mundësitë janë të kufizuara. Nuk mund të paraqitesh keq shumë herë. Në të kundërt, edhe në atë lojë, të largojnë nga ekipi./Gazeta Liberale

(Visited 137 times, 1 visits today)

Etiketa: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *