Aktualitet

Edhe mjekët na kishin mbetur pa i ndarë në të majtë e të djathtë!

Shkruar nga Liberale
Edhe mjekët na kishin mbetur pa i ndarë në të majtë e

Alfred Peza

Ra ky Covid dhe mjekët u panë edhe me liderët e opozitës, pas 7 vjetësh kur askush nuk ishte kujtuar për ta, përveçse kur sulmonin ministrat e Shëndetësisë së qeverisë së Kryeministrit Edi Rama. Për ca vota më tepër dhe për të larguar vëmendjen nga akuzat e sikletshme ndaj tij, Lulzim Basha po bën atë që asnjë lider politik nuk kishte guxuar që të bënte në këto 30 vjet.

Duke dashur që të bëjë politikë me pandeminë, Kryetari i PD ka tejkaluar çdo limit jo vetëm politik, por edhe njerëzor. Dembel siç është për ta bazuar fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit 2021, tek alternativat politike dhe elektorale, Lulzim Basha ka nisur fushatën me foto kufomash nëpër morgje dhe me të vdekur imagjinarë nga virusi.

E për tia dalë që ta çojë gënjeshtrën e tij deri në fund, nuk i referohet mendimit profesional e shkencor të mjekëve, sepse ato e ka përgënjeshtruar prerë, me fakte dhe prova konkrete. Lulzim Basha po kërkon që ti rreshtojë para tij mjekët, për ti ndarë sipas përkatësisë partiake, bindjeve politike, teserave të partive dhe qasjeve elektorale.

Për herë të parë pas 30 vjetësh, edhe mjekët e Shqipërisë, Lulzim Basha po kërkon që ti ndajë qartazi në të majtë dhe në të djathtë. Në mjekë të mazhorancës dhe në ato të opozitës. Në mjekë të Partisë Socialiste dhe në mjekë të Partisë Demokratike, të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e kështu me radhë pambarimisht.

Kryetari i Partisë së themeluar nga një mjek, që Betimi i Hipokratit e detyron ti falet vetëm humanzimit dhe jetës si e drejta themelore që prevalon mbi çdo të drejtë tjetër të qënieve njerëzore në çdo kohë, po i ndan bluzat e bardha në të vetët dhe në ato kundër tij. Në mjekë që nuk pranojnë ti shërbejnë politikës së ditës, por vetëm qytetarëve që kanë nevojë për ta, e në një pakicë që pranon të rreshtohet kokulur, me shpresën se do ia dalin kësisoj që të përfitojnë ndonjë post a funksion kur Lulzim Basha të bëhet Kryeministër.

Në asnjë vend të botës demokratike, asnjë lider opozite, nuk ka guxuar deri më sot që ta përdorë pandeminë për të përfituar politikisht dhe elektoralisht në kurriz të shëndetit të qytetarëve të vet. E aq më pak, që të përdorë shifrat e pandemisë, për të goditur kundërshtarin politik. As populistët, as ekstremistët e çdo lloj krahu politik e frymëzimi ideologjik, nuk kanë shpikur shifra me të vdekur imagjinarë për varrezën e tyre politike.

Këtë ka guximin që ta bëjë vetëm kryetari i PD. Vetëm lideri i opozitës sonë. Vetëm kandidati për Kryeministër i minorancës. Vetëm Lulzim Basha. Duke treguar se është gati të bëjë politikë me çdo gjë makabre në këtë vend, vetëm e vetëm që ti shpëtojë dhënies llogari për rolin e tij në misionet ndërkombëtare faktmbledhëse për krimet gjatë luftës në Kosovës. Është gati që të luajë edhe me ato që shqiptari nuk ka luajtur kurrë as me kanun, as me moral dhe as me ligj, vetëm e vetëm që ti shmanget përgjegjësisë së tij për kasetën origjinale me të vrarët e masakrës së Krushës.

Lulzim Basha ka vetëm këtë hall dhe asnjë hall tjetër, por ai nuk mund të fshihet dot pas të vdekurve imagjinarë që arrin ti shpikë fantazia e tij. Imagjinoni sesa serioz është një lider opozite, i cili nga një anë thotë se në sistemin shëndetësor po fshihet numri i të vdekurve realë, e nga ana tjetër u thotë mjekëve që thërret në takimin, se ai nuk e ka me ta por me Kryeministrin Edi Rama. Ndërkohë që ka një protokoll tepër strikt, që zbatohet në çdo spital dhe qendër shëndetësore, ku për çdo vdekje ka një zinxhir hallkash dhe njerëzish me emra e mbiemra të përveçëm, që plotësojnë kartela dhe hedhin firmat për çdo rast, pavarësisht nëse është apo nuk ka qenë me Covid-19.

Pasi i ndanë shqiptarët në çdo fushë e në çdo profesion, në të majtë dhe në të djathtë, Lulzim Basha arriti një rekord të ri. Një rekord të zi, të paarritur më parë dhe të paarrtishëm prej askujt. Në mes të një lufte botërore që po bën kërdinë mbi jetët njerëzore, në mes të një përballje me të keqen dhe në mes të një katastrofe shëndetësore për mbijetesë, kryetari i opozitës sonë nuk e ka hallin tek jeta e shqiptarëve por vetëm tek karrikja e tij.

Duke mbledhur mjekët e Partisë Demokratike, Lulzim Basha thjeshtë na tregoi se nuk i bëhet vonë as për Betimin e Hipokratit, për aq kohë sa ka marë në dorë flamurin e rreckosur të Kryehipokritit.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH