Aktualitet

E vetmja konstante është ndryshimi

Shkruar nga Liberale
E vetmja konstante është ndryshimi

Yuval Noah Harari

Njerëzimi po përballet me revolucione të pangjashme, kur të gjitha rrëfenjat e vjetra kanë rënë dhe asnjë e re nuk është ngritur ende për t’i zëvendësuar. Si të përgatitemi ne dhe fëmijët tanë për këtë botë shndërrimesh të panjohura dhe pasigurish radikale? Një fëmijë që lind sot do të jetë tridhjetë vjeç në 2050. Nëse gjithçka shkon mirë për të, ai do të jetë edhe në 2100 dhe mund të jetë një qytetar aktiv i shekullit të XXII-të. Çfarë duhet t’i mësojmë fëmijës për ta ndihmuar të mbijetojë dhe të begatohet në botën e viteve 2050 ose në shekullin e XXII-të? Për çfarë lloj aftësish do të ketë ai nevojë për të gjetur punë, për të kuptuar se çfarë ndodh rreth tij dhe për t’u vërtitur në jetë?

E pra, ndërsa askush nuk e di si do të duket bota në 2050, për të mos folur për 2100 – këto pyetje mbeten pa përgjigje. Kuptohet që njerëzit nuk kanë ditur ndonjëherë ta parashikojnë të ardhmen me saktësi. Por është bërë më e vështirë se kurrë: në fakt, qëkurse teknologjia bën të mundur që të ndërhyjmë në trup, në mendje dhe në shpirt, ne nuk mund të jemi më të sigurtë për asgjë, përfshirë edhe atë që dukej e qëndrueshme dhe e përjetshme.

Një mijëvjeçar më parë, ta zëmë në vitin 1018, njerëzit nuk dinin mjaft gjëra për të ardhmen, por ata ishin të bindur se karakteristikat bazë të shoqërisë njerëzore nuk do të ndryshonin. Nëse do të jetonit në Kinën e vitit 1018 ju nuk do ta dinit me siguri që në 1050 perandoria e Song do të përmbysej, se Khitan do të pushtonte vendin nga veriu dhe se epidemitë do të shkaktonin miliona të vdekur. Mirëpo ishte e qartë që në 1050 shumica e popullsisë do të vazhdonte të punonin si bujq,

që do të vazhdonin rekrutimet në ushtri, që burrat do të dominonin ndaj grave, që jetëgjatësia vërtitej rreth të dyzetave dhe që kishe atë trup me të cilin lindje. Kësisoj në Kinën e vitit 1018, prindërit e varfër u mësonin fëmijëve të tyre si të mbillnin oriz dhe si të përpunonin mëndafsh; më të pasurit do t’u mësonin djemve të lexonin librat klasikë të Konfucit, të praktikonin kaligrafinë dhe të ndesheshin me kuaj ; vajzave si të bëheshin gra të përkora dhe të përulura. Gjasat ishin që këto talente të mbeteshin të nevojshme edhe në vitin 1050.

Përkundrazi, sot nuk e kemi idenë se si do të jetë Kina dhe pjesa tjetër e botës në vitin 2050. Ne nuk e dimë se si njerëzit do të ndërtojnë jetët e tyre, si ushtritë dhe burokracitë do të funksionojnë dhe as se si do të shndërrohen marrëdhëniet ndërmjet burrave dhe grave. Disa do të jetojnë ndoshta shumë më gjatë se sa jetohet sot. Transformimi i gjeneve biologjike dhe ndërlidhjet direkte të trurit me kompjuterin, mund të bëjnë që trupi njerëzor të pësojë një revolucion të panjohur më parë. Një pjesë e mirë e asaj që fëmijët mësojnë sot mund të mos ketë fare domethënie në vitin 2050.

Ditët e sotme shkollat e vënë ende theksin tek akumulimi i informacionit. Kjo kishte kuptim në të shkuarën, sepse informacioni mungonte dhe përhapja ishte e ngadaltë. Në vitin 1800 banori i një qyteti të vogël provincial të Meksikës nuk mund të dinte ndonjë gjë kushedi se çfarë për botën; ai nuk kishte as radio as televizor, as gazeta as bibliotekë publike. Edhe një i lexuar, që kishte një bibliotekë private, nuk do të mund të lexonte veçse romane ose traktate fetare. Perandoria spanjolle censuronte rëndë të gjithë tekstet e shtypura dhe autorizonte me pikatore, pas verifikimesh të holla, ndonjë syresh. E ngjashme ishte gjendja edhe në provincat e Rusisë, në Indi, në Turqi ose në Kinë. Duke u mësuar fëmijëve të lexojnë dhe të shkruajnë dhe duke u dhënë shprehi të gjeografisë, historisë dhe të biologjisë, shkollat moderne manifestuan progres të jashtëzakonshëm.

Mirëpo, në shekullin e XXI-të, ne jemi të përmbytur nga sasi të jashtëzakonshme informacioni; aq sa censura nuk i bllokon dot. Ajo përpiqet më tepër të dezinformojë ose të devijojë vëmendjen. Mjaft që të zotërojë një telefon të zgjuar dhe një banori province të Meksikës nuk do t’i mjaftonte jeta e tij për të lexuar të gjitha faqet e Wikipedia-s, për të parë konferencat TED dhe për të ndjekur kurset falas në rrjet. Asnjë Shtet nuk mund të pretendojë më të fshijë të gjitha informacionet që nuk i pëlqejnë. Nga ana tjetër, ta përmbytësh publikun me të reja kontradiktore dhe të përziesh pistat është shqetësueshëm e lehtë për t’u arritur. Banorët e gjithë botës janë një klik larg çdo informacioni të fundit për

bombardimet në Alep ose për fenomenin e shkrirjes së brezit të akullt në Arktik. Mirëpo versionet kontradiktore janë kaq të shumta saqë është bërë e vështirë të dish se kujt t’i besosh. Përveç kësaj, ka edhe plot gjëra të tjera që janë vetëm një klik larg, gjë që nuk na ndihmon të përqendrohemi. Kur politika dhe shkenca duken tepër të komplikuara, është e lehtë të eglendisesh me video argëtuese macesh, lajme për yjet e kinemasë dhe porno.

Në një botë të tillë, t’u japësh më tepër informacion nxënësve është gjëja e fundit që do të ishte e nevojshme të bënte një mësues. Ata kanë tashmë tepër informacion. Atyre u duhet mësuar kuptim dhënia, dallimi i të rëndësishmes nga e parëndësishmja, dhe mbi të gjitha ndërtimi i një vizioni tërësor të botës përmes copëzave të shkëputura të informacioneve që marrin.

Në të vërtetë ky ka qenë edhe ideali i edukimit liberal në Perëndim që prej shekujsh, edhe pse shumë shkolla e kanë kuptuar me vonesë. Mësuesit i furnizonin nxënësit me të dhëna të cilat “duhet t’i përpunonin vetë, me kokën e tyre”. Nga frika e autoritarizmit, shkollat liberale u shmangeshin rrëfimeve të mëdha. Për sa kohë u japim të dhënat dhe dyshimin e lirisë, supozonin ato, nxënësit mund ta ndërtojnë vetë vizionin e tyre për botën, dhe nëse brezi aktual nuk arrin t’i sintetizojë të gjitha të dhënat në një tablo koherente dhe kuptimplotë, do të kishin kohë në të ardhmen që të ndërtonin një sintezë të qartë. Mirëpo nuk ka më kohë për rrugën e gjatë tani. Vendimet që do të marrim gjatë dhjetëvjeçareve të ardhshëm do të farkëtojnë të ardhmen e vetë jetës. Nëse kësaj gjenerate i mungon vizioni global i kozmosit, e ardhmja e jetës do të përcaktohet nga rastësia. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH