Kryesore

E vërteta, edhe si poezi sjell paqe dhe drejtësi

               Publikuar në : 09:32 - 28/10/19 liberale

Përmbledhja “Shiu i fytyrës time” i Visar Zhiti vlerësohet me çmim në Panairin e Librit në Beograd

Në Panairin e Librit në Beograd, ndër më të mëdhenjtë në Evropë, i cili vazhdon të jetë i hapur, u bë dhe përurimi i librit me poezi të poetit dhe shkrimtarit, Visar Zhiti, i porsa dalë në gjuhën serbe, “Kisha mog lica” (“Shiu i fytyrës time”), si dhe takimi i autorit me lexuesin, gazetare dhe shkrimtarë serbë e të huaj në këtë panair,  organizuar nga shtëpia botuese “Alma”.

“Poezia e Visar Zhiti është jashtëzakonshme”, tha në çelje të diskutimit  presidenti i “Alma”-s, Dr. Gjore Otasheviç, e sjellë po kështu dhe në përkthimin mjeshtëror të Smajl Smakës.

Visar Zhiti shkruan ashtu siç jeton,tha ndër të tjera drejtuesi i kolanës së botimeve “Shkrimtarë nga Europa”, akademik Milutin Gjuriçkoviç, redaktor dhe autori i parathënies së përmbledhje “Shiu i fytyrës time”. Pastaj ai foli për vlerat e poezisë së Zhitit, e përkthyer në shumë gjuhë si dhe për vlerat e jetës së Visarit, ish i burgosur politik, deputet dhe ministër kulture, etj.

Në takim u lexua dhe fjala e studiuesit, kritkut dhe poetit nga Kosova, Prof. Agim Vinca, e cili e shikonte poezinë e Zhiti si dëshminë e një ecjeje të një uni kolektiv.

Pasi u recituan poezi nga libri, madje dhe nga ato me temë për Kosovën, Visar Zhiti, i ftuar nga Tirana posaçërisht për këtë veprimtari, pasi falenderoi, për botimin dinjitoz të librit të tij dhe organizatorët e takimit, tha se vinte për herë të parë në Beograd, erdhi “me druajtje, me kërshëri dhe gëzimin e shkrimtarit për raste të tilla. Kufiri me ju ka qenë i ndaluar, – vazhdoi Zhiti, – gjatë diktaturës, marrëdhëniet në shekuj kanë tipike ballkanike, me drama, – dhe kujtoi se –  ne në burgun e dikurshëm kishim të dënuar që ishin arratisur në Jugosllavinë e dikurshme dhe, sipas një marrëveshje të fshehtë, ata i kthenin, ku i dënonin rëndë… Tani kam ardhur unë me poezi, gjej një metropol kulture dhe ky takim është dhe metaforë e bukur, bashkohen poezi nga Tirana, me përkthyes nga Kosova dhe botues nga Beogradi, të shikojmë së bashku përpara,” përfundoi fjalën e tij Zhiti për të cilën u duartrokit dhe u vlerësua. Shoqata e poetëve dhe përkthyesve nga Mali i Zi i dha Visar Zhitit në këtë takim çmimin e saj të veçantë, për librin në serbisht “Shiu i fytyrës time”. Më pas dhe një shëtitje në rrugën historike “Shkodra”, që vendasit e quajnë “Skadarlije”, plot me turistë dhe rini dhe hare mbrëmjesore. Edhe libri i Visarit me një poezi për këtë rrugë hapet, ku kishte shëtitur dhe i biri i tij dhe poezia shoqërohet me një skicë nga piktori shqiptar Gjergj Kola.

Poezia na bashkon më mirë se shumëçka, ajo është kulturë, dashuri, por dhe e dëshmi e së vërtetës dhe drejtësi./ Sipas “Lajmëtari i së mirës”

Tags: , , , , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back