Kryesore

E veçanta e Gjermanisë-do të jetë m’e fuqishme n’Evropë

               Publikuar në : 09:21 - 03/07/20 Danilo Taino

Danilo Taino

Koronavirusi ka nxjerrë në dukje brishtësinë e Evropës – ka thënë Angela Merkel para parlamentit gjerman që diskutonte mbi Këshillin evropian në lidhje me Recovery Fund. Atë që kancelaria gjermane nuk e tha e nuk mund t’a thonte për voli ishte fakti që në këtë brishtësi ka një Vend që bën përjashtim e ky është Gjermania. E cila po del nga faza e parë e pandemisë pa dyshim më mirë se sa Franca, Italia, Spanja dhe Britania e Madhe pas-Brexit. Të njëjtit gjermanë, mund të mendohet. Në të vërtetë mbarështimi shëndetësor dhe ekonomik i lockdown-it është i paracaktuar të ndryshojë marrëdhëniet dhe dinamikat evropiane. Që Berlini ngurues e dëshëron apo jo, që kryeqytetet e tjerë e pranojnë apo jo, Evropa e s’ardhmes do të jetë dukshëm më gjermane.

Berlini jo vetëm e ka përmbajtur më mirë virusin e kufizuar numurin e vdekjeve, jo vetëm po mbështet më me efekt ekonominë: ka marrë një rol udhëheqës kur Merkel i ka hapur rrugën Recovery Fund-it të Komisionit BE. E ka bërë duke përvehtësuar projektin e Macronit, por me këtë ka shënuar një kthesë në paradigmën zotëruese deri n’atë çast, kthesë që vetëm Gjermania mund t’a bënte: vënien në bashkësi të rezervave për të kapërcyer krizën në një kalim historik që po ndryshon barazpeshat e botës. “Është sfida m’e madhe në historinë e Evropës – tha Merkel përpara Bundestagut – e mënyra se si Evropa do t’a përballojë këtë pandemi në krahasim me të gjthë rajonet e tjera të botës, do të përcaktojë mirëqënien e qytetarëve evropianë dhe rolin e Evropës në botë”.

Në këto çaste, vdekjet nga koronavirusi në Gjermani kanë qënë rreth nëntëmijë (në 84 milion banorë). Në Francë , pothuaj 30.000, n’Itali pothuajse 35 mijë, në Spanjë më shumë se 28 mijë; mbi popullsi dukshëm më të paka në numër. Një studim i krahasuar i Oxford Economics mbi mënyrat se si katër ekonomitë më të mëdha të BE po i përgjigjen krizës arrin në përfundimin  se do të jetë një “gjallërim jo i njëjtë, me dy shpejtësi” e mbi bazën e sasisë e të cilësisë së stimujve të përdorur nga qeveria e Berlinit dhe të 16 Länder- ve, Gjermania do të dalë nga pandemia me një ekonomi të përforcuar në krahasim me të tjerat e kontinentit. Kjo nuk do të thotë se problemet e vjetra të Vendit janë zhdukur: kriza e sektorit automobilistik mbetet e thellë, sektori i shërbimeve është pak garues, financa e bankat çalojnë. Megjithatë Gjermania vendoset në qëndrën e çështjeve evropiane, siç nuk kishte qënë asnjëherë që nga 1945.

Megjithë vatrën e fundit në Vestfalinë Renane Veriore, në mbarështimin e krizës shëndetësore ka treguar se zotëron një aftësi drejtues si pak Vende të tjera. Ka rigjetur një farë qëndrueshmërie politike, me demokristianët e Merkel-it të rikthyer fuqishëm në sondazhe. Ka vërtetuar se, nëse do të duhej, që modeli i saj i defiçitit  zero e borxhit publik nën kontroll është përcaktues për të patur hapësira bilanci në çastet e krizave. Po fuqizon hegjemoninë e saj në Vendet e Veriut të Evropës, të cilët, në një farë mënyre, do të pranojnë Recovery Fund; n’ata të Lindjes që do të mbahen afër nëpërmjet bilancit të BE për vitet 2021 – 2027; n’ata mesdhetarë në sajë të ndihmave evropiane të paracaktuara për ta dhe të faktit që zinxhirët e prodhimit të vlerave, në brëndësi të të cilave Italia ka një rol të rëndësishëm , priren gjithënjë e më shumë të kenë zemrën e tyre në Gjermani. Për më tepër boshti me Francën është bërë i qëndrueshëm.

Jo vetëm aq. Ndërmjet Vendeve të mëdha të botës, me gjasë Gjermania do të jetë ajo që do të dalë më pak e dëmtuar nga kriza: më mirë se Shtetet e Bashkuara me dobësitë e tyre të brëndëshme e mungesën ndërkombëtare, më mirë se sa Kina të cilën bota e quan përgjegjëse për pandeminë; më mirë se sa Hindia e Brazili (ndoshta vetëm Japonia, ndërmjet të mëdhejve, mund të ketë rezultate të ngjajshme me ata gjermane, por në një fushë shumë të ndryshme). Një vlerësim i fuqishëm global i Gjermanisë do të pasqyrohet mbi raportin e forcave në BE.

Barazpesha e re evropiane që po krijohet ndryshon pritshmëritë politike për të gjithë kryeqytetet e për të gjitha qeveritë. Edhe Roma, veçanërisht Roma, siç është parë këto ditë, duhet t’a studjojë.

“Corriere della Sera”

Përktheu Eugjen Merlika  /Gazeta Liberale

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back