Aktualitet

“E them me keqardhje për Atdheun tonë, ky vend nuk bëhet!”, revolta e një fermeri: Turp që talleni me ne, për mbeturinat e Serbisë!

Shkruar nga Liberale

“E shihni këtë? Është gruri i Enton Ramës, bujk në Belsh, veç 31 vjeç!”

“Gruri është i tij, magazina jo; paguan 300.000 lekë në muaj për të; mendojeni sa do paguaj deri ditën që do e shesë!”

“Ja kështu, gruri vijon të marrë shpenzime, por të ardhurat e menduara, nuk do arrijnë kurrë ti mbulojnë këto shpenzime”.

“Këta që heshtin në ministrinë e Bujqësisë e në pazarin banal shqiptar të grurit, duhet t’i përgjigjen pyetjes së Entonit: E dini çdo të thotë të jesh 31 vjeç dhe të punosh në bujqësi?”

Janë reshta të shkruar nga Erion Braçe, deputet socialist, i cili denoncon sërish fatin dramatik të fermerit shqiptar.

Reagimin e tij ish-ministri i bujqësisë e mbyll me ankesën e fermerit 31-vjeçar të cilit gruri i mbeti pashitur, sepse pretendohet se oligopoli i tregut po i detyron fermerët ta shesin atë në kosto.

“Është një turp. Janë duke u tallur me ne. Pata 12 hektarë grurë dhe jemi me minus me këtë çmim qesharak. Shteti ynë po na përzë nga vendi dhe është turp të shkojmë sërish si skllevër në Greqi.  U kthyem në vendin tonë, por do të largohemi sërish me kokën poshtë sepse ky vend nuk bëhet. E them me keqardhje për Atdheun tonë, por kështu është””, thotë fermeri Enton Rama në mesazhin që i ka dërguar Erion Braçes.

Ai pretendon se ka marrë një magazinë me qira 300 mijë lekë në muaj dhe shpreson që humbjet të jenë sa më të pakta. “Le të hanë qytetarët tanë mbeturinat e Serbisë. Do të jetë shumë vonë kur ta kuptojnë se çdo të thotë të punosh në Bujqësi”, thotë fermeri 31-vjeçar, i revoltuar me politikat që ndiqen kundër atyre që punojnë dhe prodhojnë, me qëllim që të përfitojnë tregtarët, matrapazët ose ata të cilët nuk kuptojnë se çfarë politikash po ndjekin. /Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH