Kryesore

E hëna që vendos

               Publikuar në : 09:56 - 13/05/19 Liberale

Pas pikës kritike të së shtunës, protesta e sotme pritet të qartësojë shumë  mbi fatin e kauzës së opozitës. A do të përshkallëzohet më tej apo do të venitet në javën vendimtare për zgjedhjet e 30 qershorit?   

Suadela Balliu

E kishte paralajmëruar protestën e katërt kombëtare të 11 majit si përballjen vendimtare, ndërsa takohej me qytetarë në turin e tij në rrethe, duke u bërë ftesë t’i bashkoheshin përpara kryeministrisë pasditen e së shtunës. Nuk ishte hera e parë që kreu i PD-së u jep zemër elektoratit  të pakënaqur me qeverisjen e socialistëve. E kishte bërë edhe në fillim të lëvizjes së opozitës, madje para djegies së mandateve të deputetëve më 16 shkurt, kur nga Lushnja do të deklaronte se ajo që po vinte, ishte në fakt java vendimtare. Ajo që pasoi atë javë shënoi edhe aktin e paprecedentë në Parlament në 28 vjet pluralizëm dhe nisjen e një serie fushatash që i kanë kaluar tashmë 12 javë.

“11 maji na thërret në një tjetër përballje vendimtare të vlerave tona, të lirisë, të demokracisë, Europës dhe Amerikës, me tiraninë despotike-kriminale-orientale, që kurrë nuk do ta marrë Shqipërinë peng, nuk do t’ia vërë duvakun popullit shqiptar, popullit më europian të Ballkanit.  Le të jetë 11 maji një tjetër kohë monumentale e përballjes tonë popullore për liri, për demokraci!”, do të deklaronte kreu i bluve përpara protestës, e cila shënoi edhe kulmimin e lëvizjes së opozitës.

Në dymbëdhjetë javë protesta, që herë kanë ndërruar formë e herë vendndodhje dhe shpesh, nuk e kanë përmbushur pritshmërinë e opozitës me numër qytetarësh të pakënaqur nga qeverisja, siç edhe u deklarua qysh në krye të herës nga PD dhe partitë aleate se nuk qenë protesta politike, por të popullit, ndërsa ato kombëtaret si e së shtunës së fundit organizoheshin njëherë në muaj, Lulzim Basha deklaroi dje se e hëna do të jetë ditë e një tjetër proteste kombëtare, e organizuar dy ditë pas protestës së katërt,  e shënjuar nga flakë, bomba molotov, re gazi lotsjellës, dhjetëra policë të lënduar, pesëdhjetë protestues të arrestuar dhe mëse tridhjetë të shpallur në kërkim dhe sekretari organizativ i PD-së i shtruar në spitalin e Traumës, pas dhunës së ushtruar nga forcat e policisë.

Pika kritike

Ishte ky elementi që dukej se i nevojitej opozitës për ta mbajtur gjallë sa më gjatë protestën, si e vetmja armë politike që ka në dorë, pas daljes jashtë sistemit. Goditja e Sahit Dollapit nga policia, arrestimi i tij e më pas shtrimi në spital si pasojë e plagëve të marra e bënë kreun e PD-së të deklaronte se kryeministri Edi Rama, të cilit prej tre muajsh i drejtohen me thirrjet “Ik!” , do të marrë të hënën një përgjigje proporcionale, duke lënë të kuptohet se protesta mund të përshkallëzohet. “Dhuna ndaj Sahit Dollapit vetëm për të dërguar mesazh junte dhe mesazh krimi për të trembur, por do të marrë nesër përgjigje proporcionale nga populli i bashkuar për ta çuar protestën deri në fund”, do të shprehej Basha në një prononcim për mediat nga oborri i Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ditën e diel, ndërsa më pas nga selia blu pati një paralajmërim për kreun e qeverisë, i parë nga PD dhe partitë aleate, si e keqja e madhe dhe vetëm largimi i tij, kusht i patjetërsueshëm i tyre, do të mund të krijonte kushtet e favorshme për një tryezë dialogu me socialistët, për t’i dhënë jetë më pas edhe një qeverie kalimtare, për të adresuar problemet më të mëdha që ka sot qeveria e kapur nga krimi, ku në krye listohen organizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme.

“Në prag të protestës dua t’i bëj një paralajmërim: Mos i kalo caqet, mos bëj të fortin pas autoblindave dhe gazit, harroje që do të mbash pushtet me dhunë, në rastin më të mirë do të lutesh që të kesh fatin e Nikolla Gruevskit. Për të ardhur te demokracia janë prerë koka mbretërish”, do t’i drejtohej Basha kreut të qeverisë me tone të vendosura.

Java vendimtare

Në këtë javë të trembëdhjetë, Lulzim Basha e di se nuk i mjafton më vetëm qëndrueshmëria dhe jetëgjatësia e protestave. Ndërsa kohët shtrëngojnë dhe i afrohen zgjedhjeve të 30 qershorit, për të cilat kreu i qeverisë dhe socialistët kanë deklaruar se nuk do të shtyhen dhe ndërkombëtarët deri tani, megjithë deklaratat e deputetëve të CDU/CSU në Bundestagun gjerman që palët të gjejnë një kompromis, ende nuk kanë dërguar një ndërmjetësues të krizës politike, kreu i PD-së duket se po i var shpresat tek protestat në rrugë.

Për Bashën dhe të gjithë opozitën jashtë parlamentit,  protesta e 11 majit duhet të qe vendimtare pasi edhe një javë e ndan vendin nga çelja zyrtare e fushatës zgjedhore për lokalet e 2019-s. Kreu i PD tha të shtunën se fati i Shqipërisë në 10 -15 vitet e ardhshme, përcaktohej atë natë dhe në javët që vijojnë.

Përfaqësuesi i delegacionit të BE-së, Luigi Soreca  vetëm pak ditë më parë në një intervistë televizive do të thoshte se uronte që  në prag të nisjes së fushatës zgjedhore, koha e shkurtër të shfrytëzohej nga palët. “Në rast se nuk do të shfrytëzohet ne do të shohim që do të kemi një fushatë zgjedhore, shpresojmë që ajo do të jetë e paqme dhe që të kemi zgjedhje”, do të thoshte Soreca, i cili dhe më herët ka deklaruar se BE nuk do të negociojë për krizën, qëndrim që u përforcua edhe nga Përfaqësuesja e lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në BE, Federica Mogherini, ndërsa vizitoi Tiranën javën e shkuar.

Por për Bashën Europa e ka kuptuar dhe ka përcjellë mesazhe të qarta.  “Zgjedhje pa PD, nuk janë demokratike dhe nuk do të pranohen”. Zgjedhje pa ndëshkuar vjedhjen e votave, nuk ka për të pasur. Dy personalitete nga më me peshë të Bundestagut gjerman e kanë bërë të qartë: “Pa shkuar në burg atë që vodhën votat e shqiptarëve, nuk ka hapje negociatash”.

E ndërsa kryeministri Rama ka mbajtur të njëjtin qëndrim përballë kërkesave të opozitës, i hapur për dialog, por jo për të negociuar kushtetutën, në konferencën për shtyp ditën e djeshme nga salla e hartave në Kryeministri, edhe pse me tone më të qeta e të matura përballë medias, sërish i qëndroi asaj që ka deklaruar edhe më herët se nuk ka shtyrje zgjedhjesh dhe as një  18 maj të dytë, duke iu referuar marrëveshjes së 2017-s me Lulzim Bashën, që prodhoi një qeveri të përkohshme me gjashtë ministra të propozuar nga PD.

Basha do të ngulmonte se më 30 qershor nuk do të mbahen zgjedhjet, sepse sipas tij do të qe një skenar si ai i 2017-s.  “Ose te futemi me kobure në brez, që siç ju thashë, ne e kemi refuzuar, ose rruga politike që kemi ndjekur duke djegur mandatet dhe duke thirrur qytetarët të vendosin ata kë do të zgjedhin deputet apo kryebashkiak. Kjo betejë bëhet që kjo e drejtë t’u kthehet qytetarëve, sepse kjo e drejtë është asgjësuar nga Edi Rama me krimin”, është shprehur ai.

Dialogu pa negociatë i Ramës

Ajo çka do t’i hapte rrugë një dialogu mes opozitës  dhe maxhorancës do të ishte dorëheqja e kryeministrit, i cili dje përsëriti se nuk e konsideron si opsion. “Ky është mision. I ngarkuar nga shumica e shqiptarëve. Ata që i shikojnë si privilegje do të thosha hajde se po u jap një kafe apo raki dhe po iki. Jam këtu për disa arsye të tjera shumë të forta që lidhen me arsyen që jam ky që jam dhe jo dikush tjetër”, do të thoshte Rama, ndërsa  tha se kjo mund të kthehej në precedent.

Kreu i qeverisë, i bëri edhe njëherë ftesë liderit të opozitës për dialog.

“Patjetër që unë jam këtu gjithmonë i gatshëm për dialog, për t’u ulur për të diskutuar. Ata që janë me ty thonë që nuk duan as pushtet as karrige por thjesht të mirën e popullit, ulemi flasim dhe e marr unë përsipër t’i kthejmë në nisma ligjore në veprim shqetësimet që ata kanë si popull për të përmirësuar jetën e vendit. Nëse kjo nuk është luftë e ulët për të bërë pazar, unë e besoj se besoj gjithmonë çdo gjë që thotë Luli, jemi në rregull, çdo shqetësim të ulemi e flasim, ta diskutojmë dhe të vendosim”, do të thoshte Rama.

Kryeministri bëri një sërë krahasimesh të protestës së 11 majit me atë të 21 janarit të vitit 2011, ku mbetën të vrarë katër protestues, duke ironizuar edhe me faktin se organizatorët e protestës qenë të keqardhur pse zoti Dollapi nuk u bë martir, duke lënë të kuptohej se ajo përballë kryeministrisë së shtunës  kishte ndoshta të njëjtën ngarkesë që pat ajo tetë vite të shkuara, kur socialistët ishin në opozitë dhe demokratët kishin pushtetin.

Por nëse toni i moderuar i kryeministrit të jepte përshtypjen e një reflektimi përballë presionit të opozitës, që lajmëron një protestë të madhe, të pestën në rang kombëtar, vetëm dy ditë më vonë, deklaratat e Ramës ishin të qarta. “Nuk ka shans teorik dhe as praktik të marrësh të rrëzosh një qeveri legjitime e dalë nga zgjedhjet ku t’i ke qenë pjesë e qeverisë në këto lloj formash. Nuk ka shanse, nuk ndodh, nuk ka ndodhur askund dhe nuk ka për të ndodhur as këtu.  Synimi është gjetkë. Synimi është të vendoset vendi në kushte pamundësie dhe të shkatërrohet themeli i rendit kushtetues që do të thotë procesi zgjedhor për të konfirmuar se “o ne pushtet, o këtu vetëm qamet. Nuk do t’ia dalin, ju siguroj”. Jo vetëm që mandati nuk negociohet, por sipas Ramës nuk ka paketë negociatore nga ndërkombëtarët dhe as nuk është thirrur nga presidenti Meta për një tryezë  dialogu, siç iu kërkua këtij të fundit nga partitë e vogla aleatë me PD-në, disa ditë më parë. Nga ana tjetër Basha i bën thirrje Bruskelit të sjellë ekspertë të pavarur për monitorimin e situatës.

Në ndeshjen mediatike mes dy krerëve të partive, në dalje me largësi kohore të shkurtër nga njëri-tjetri, duket se përmes deklaratave lanë të kuptohej edhe matjen e forcave.

Nëse Rama do të thoshte se  në protestë ka gjithnjë e më pak qytetarë që mbështesin përshkallëzimin e tyre me nxitje të dhunës, Basha do të thoshte se protestat shtohen dhe bëhen edhe më të vendosura. “E vetmja forcë që mbetet në këmbë është forca e sovranit”, do të shtonte kreu i PD-së, duke siguruar edhe njëherë se nuk ishte betejë për të ardhur në pushtet. “Është luftë për transformim që të ndryshojmë këtë sistem të qelbur. Nëse do të ishte luftë për pushtet e karrige, do të kalonim nga një krizë tek tjetra. E vetmja rrugë për ta ndaluar këtë për çdo ymër lalë t’i shtrijmë dorën një ymer lale, për çdo shullaz, nja antishullaz, për çdo avdylaj një anti-avdylaj. Por këto nuk do të ishin zgjedhje, do të ishin luftë mes bandave”, do të shprehej Basha, ndërsa kreu i qeverisë më herët do të thoshte se përgjimet nga dosjet “339” apo “184”,  për të cilat opozita pretendon se kanë të bëjnë me krim zgjedhor, nuk përbëjnë asnjë provë, në përpjekje për t’i rrëzuar fillin, me të cilin opozita ka qepur kauzën e saj, nga djegia e mandateve e deri tek kërkesa për largimin e Ramës nga kryeministër dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nuk është provë, nuk e çon dot në gjykatë me kaseta tjetrin duhet hetimi për ta provuar”, është shprehur kryeministri.

Basha, në krye të lëvizjes së opozitës  në këta 12 javë që i lanë pas, thotë se është bërë gjysma e punës. Por është edhe gjysma tjetër që pritet të kryhet për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. “Beteja për votë të lirë do ta nxjerrë Shqipërinë nga ky udhëkryq. O tirani e krimit, o demokraci europiane!”, do të përfundonte kreu i PD-së, ndërsa bënte ftesë për protestën e sotme kombëtare.  Atë që nuk e arritën dot të shtunën, me protestën që e shënoi aktin e dhunës ndaj sekretarit organizativ të PD-së në orët e vona, Lulzim Basha duket se kërkon ta arrijë sot, ndërsa e diela i shërbeu ta mbajë të karikuar atë pjesë të qytetarëve, që i bashkohet kauzës së opozitës për të kulmuar në ditën e hënë. Nga deklaratat e hëna premton më së paku ankth, jo vetëm tek qytetarët e paangazhuar, tek kryeministri i shënjestruar me kërkesën për t’u larguar nga detyra, por më së pari tek opozita vetë, e vetëdijshme se është e hëna vendimtare, përballja që ose do ta certifikojë kauzën e saj, ose do ta zbeh./ Gazeta Liberale

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *