Jus/Justicia

E drejta penale në mbrojtje të mjedisit

Shkruar nga Liberale
E drejta penale në mbrojtje të mjedisit

Doktorante Jonka Ceka

Njeriu gjatë jetës së tij ndërvepron pareshtur me mjedisin natyror. Me zhvillimin e shoqërisë dhe posaçërisht industrializimin e saj, dëmi që njeriu i shkakton natyrës, sa vjen dhe merr përmasa më të frikshme. Nisur nga rëndësia e këtij dëmi mjedisor, një pjesë e veprimtarisë që ushtrohet në kundërshtim me normat bazë të mbrojtjes së mjedisit është cilësuar me termin “krim mjedisor”. Ky term, pa pasur ende një përkufizim të pranuar universalisht, është përdorur gjerësisht qysh në vitet ’90 në terminologjinë sociologjike dhe kriminalistike, duke u “zyrtarizuar” dhe në një sërë aktesh ligjore ndërkombëtare. Dëmet mjedisore sot, lëndojnë më shumë njerëz sesa krimi i rrugës në bazë ditore dhe vjetore, ndërsa humbjet financiare të shkaktuara nga këto dëme janë të jashtëzakonshme. Natyra kriminale e disa prej këtyre dëmeve të rënda mjedisore shkaktoi një shqetësim të madh publik, i cili solli kriminalizimin e shkeljeve të rënda ndaj mjedisit, duke krijuar një fushë të specializuar brenda sistemit të së drejtës penale, pra të drejtën penale mjedisore. E drejta penale mjedisore synon të luftojë krimin mjedisor që lidhet me veprime që  dëmtojnë jetën e njeriut, apo cilësinë e ajrit, tokës, ujit, kafshëve, bimëve, etj. Gjithashtu, ajo synon të dënojë veprimet që kryhen në shkelje të legjislacionit përkatës, të vendosur nga një autoritet kompetent në mbrojtje të mjedisit. Specialistët e fushës vënë në dukje se ekziston një dallim thelbësor midis të drejtës penale tradicionale dhe fushës së re të së drejtës penale mjedisore; ndërsa kriminaliteti tradicional përbën kërcënim për stabilitetin shoqëror, krimi mjedisor përbën kërcënim për vetë ekzistencën e qenieve njerëzore. Krime mjedisore konsiderohen veprime të cilat shkelin ligjin mjedisor dhe shkaktojnë dëm të konsiderueshëm ndaj mjedisit dhe njeriut, ose i vënë në rrezik ata. Format më të njohura të krimit mjedisor janë emetimet ilegale ose shkarkimi i substancave në ajër, ujë ose tokë; tregtia e paligjshme e specieve të mbrojtura; transporti dhe hedhja e jashtëligjshme e mbeturinave; dhe tregtia e paligjshme e substancave ozon-holluese. Krimi mjedisor është ndër fushat me zhvillime shumë dinamike, si në llojshmërinë e veprave, ashtu dhe në kompleksitetin e tyre. Krimi mjedisor është dhe duhet trajtuar si çdo krim tjetër, ai është pasojë e zhvillimit ekonomik, social dhe industrial. Në vendet me juridiksionet e ligjit civil, ligji administrativ ende luan një rol thelbësor në përcaktimin e veprave penale mjedisore. Ndaj një sjellje e konsideruar me rrezik ndaj mjedisit, mund të jetë subjekt i rregullave ligjore administrative, por edhe i ligjeve penale. Përdorimi i këtyre dy grupeve të normave ligjore që shpesh mbivendosen, ndodh pasi në të shkuarën shkeljet mjedisore trajtoheshin vetëm si shkelje administrative.

E drejta penale europiane për mbrojtjen e mjedisit

Përveç kësaj mbrojtjeje tematike, në KE është zhvilluar edhe legjislacioni për mbrojtjen e mjedisit përmes së drejtës penale, e cila është zhvilluar më vonë sesa ajo sipas fushave të veçanta mjedisore. Çështja e krimit mjedisor është diskutuar në shumë forume ndërkombëtare dhe europiane për një kohë të gjatë. Idetë e para të mbrojtjes së mjedisit me ligj penal janë hedhur në Europë në Konferencën e 7të të Ministrave Europianë të Drejtësisë, në Bazel, më 1972. Më vonë (1977), Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës miratoi rezolutën (77) “Mbi kontributin e ligjit penal në mbrojtjen e mjedisit”. Kjo rezolutë, u rekomandon qeverive të shteteve anëtare të marrin masa për “shqyrtimin e shkeljeve kriminale për dëmtimin e mjedisit”, shqyrtimin e përvojës së veprimeve dhe mosveprimeve kriminale që qëllimisht ose me neglizhencë të theksuar u shkaktojnë dëm jetës, shëndetit të njerëzve ose pasurisë, rishqyrtimin e principeve të përgjegjësisë penale me qëllim futjen e përgjegjësisë publike, private dhe të korporatave. Kjo rezolutë parashikon marrjen e masave të tilla për subjektet përgjegjëse si gjobat në para, rikthim i mjedisit në gjendjen e mëparshme, punë në dobi të komunitetit, etj, pra materializon principin e njohur mjedisor “ndotësi paguan”. Një rekomandim i rezolutës është edhe rishikimi i procedurës penale për çështjet e mbrojtjes së mjedisit, sikurse është krijimi i sektorëve të specializuar në gjykata dhe prokurori për t’u marrë me çështjet e mjedisit. Edhe përfaqësimi i komunitetit dhe mbrojtja e interesave të tij gjatë procedimit penal, gjen vend në këtë rezolutë. Po kështu, rezoluta thekson avantazhet që mund të kenë vendet anëtare nga konsolidimi në nivel kombëtar, si p.sh, nëpërmjet kodifikimit të të gjithë legjislacionit të mjedisit dhe një harmonizimi të ardhshëm të legjislacionit të shteteve anëtare të Këshillit të Europës në këtë fushë8 . Më 1998, u nënshkrua në Strasburg Konventa e Këshillit të Europës për mbrojtjen e mjedisit nëpërmjet ligjit penal, e cila pati për qëllim përmirësimin e mbrojtjes së mjedisit në nivel europian, duke përdorur si zgjidhje të fundit ligjin penal, me qëllim pengimin dhe parandalimin e sjelljeve më të dëmshme ndaj tij. Qëllimi i kësaj konvente ishte gjithashtu harmonizimi i legjislacionit kombëtar në këtë fushë i vendeve pjesëmarrëse në konventë. Ky instrument ligjor i detyron Shtetet Kontraktuese të parashikojnë dispozita të veçanta në ligjin e tyre penal apo të modifikojnë dispozitat ekzistuese në këtë fushë. Ai përcakton si vepra penale një numër veprimesh të kryera me dashje ose nga pakujdesia e theksuar, që shkaktojnë vdekjen ose plagosjen e rëndë të njeriut, apo ka të ngjarë të shkaktojnë dëme mbetëse në cilësinë e ajrit, të tokës, ujit, kafshëve ose bimëve.

Kjo konventë përcakton konceptin e përgjegjësisë penale të personave fizikë dhe juridikë, masat që duhet të miratohen nga shtetet për të mundësuar konfiskimin e pasurisë dhe përcaktimin e kompetencave të autoriteteve, si dhe shtron rrugën për bashkëpunim ndërkombëtar. Edhe në këtë konventë, masat përfshijnë burgim dhe sanksione mbi pasurinë, dhe mund të përfshijnë rikthimin e mjedisit në gjendjen e mëparshme. Një dispozitë e rëndësishme parashikon mundësinë e shoqatave të mbrojtjes së mjedisit për të marrë pjesë në procedurën penale lidhur me shkeljet e parashikuara në Konventë. Vendi ynë, ndonëse anëtar i Këshillit të Europës qysh në vitin 1995, ende nuk ka ndërmarrë ndonjë hap për t’u bërë palë e kësaj konvente. Krimet mjedisore shkaktojnë sot në Europë dhe në Botë një dëm të konsiderueshëm. E drejta europiane mjedisore ekziston tashmë prej mëse 30 vjetësh dhe janë në fuqi më shumë se 200 direktiva në fushën mjedisore, pa përmendur këtu aktet normative dytësore europiane. Zhvillimet në këtë fushë, apo më saktë rritja e ndërgjegjësimit për një mbrojtje më të efektshme dhe të integruar në nivel europian, çoi në hartimin dhe miratimin e një direktive për ndëshkimin penal të shkeljeve në fushën mjedisore. Gjithashtu, shpesh krimi mjedisor ka efekt ndërkufitar, pra, nuk mbetet i kufizuar në një shtet të vetëm. Kjo ishte një arsye më shumë që krimi mjedisor të trajtohej nga e drejta europiane me anë të një direktive të posaçme. Qysh në vitin  2001, u hodh propozimi për një direktivë të Parlamentit Europian dhe Këshillit të Bashkimit Europian, për një mbrojtje më të garantuar të mjedisit përmes legjislacionit penal10. Rastet që sugjeroheshin për t’u dënuar me sanksione penale ishin: derdhja e naftës në ujëra, shpërndarja e substancave të rrezikshme në ajër apo tokë, transportimi e ruajtja e mbeturinave të rrezikshme, hedhja e mbeturinave në vende jo të përshtatshme për trajtimin e tyre, tregtimi i specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër, dhe dëmtimi i habitateve të mbrojtura. Direktiva në fjalë (2008/99/EC e Parlamentit Europian dhe e Këshillit, të 19 nëntorit 2008, mbi mbrojtjen e mjedisit nëpërmjet ligjit penal) u miratua në fund të vitit 2008 nga Komisioni Europian dhe hyri në fuqi në vitin 2009. Një ndikim pozitiv për hartimin dhe miratimin e kësaj direktive ka pasur edhe Gjykata Europiane e Drejtësisë, e cila gjatë gjykimeve dhe vendimeve të saj me fokus mjedisin, e ka shtrirë kompetencën e Bashkimit Europian edhe në fushën e së drejtës penale. Ky qëndrim i Gjykatës Europiane të Drejtësisë është mbështetur më pas nga Këshilli dhe Parlamenti Europian që hartuan tekstin e direktivës së sipërpërmendur. Kjo direktivë parashikon përfshirjen e saj në legjislacionin e shteteve anëtare deri në fund të vitit 2010. /Liberale.al

Poll
SHQIPENGLISH