Aktualitet

E burgosur në aeroportin e Malpensas

Shkruar nga Liberale
E burgosur në aeroportin e Malpensas

Një udhëtim për vizitë mjekësore në Itali,  shndërrohet  në makth. Policia kufitare e aeroportit të Malpensas vendos ndalimin në mjedise të izoluara për 27 orë pas zmbrapsjes për tri shtetase shqiptare, duke dhunuar të drejtat themelore të njeriut.

Suadela Balliu  

Gjithçka nisi mëngjesin e 13 majit, në një prej sporteleve të kontrollit të pasaportave në aeroportin ndërkombëtar të  Malpensas. Udhëtoja drejt Italisë me time motër dhe time kushërirë për tri ditë me qëllimin e një vizitë okulistike, të rezervuar  më herët. Në pritje që, klinika mjekësore, nga çasti në çasti,  të na dërgonte edhe njëherë të konfirmuar datën dhe orarin e vizitës, ia dorëzojmë dokumentet oficerit.

“A me della sua mail non frega un...”, u përgjigj ashpër ai, ndërsa ime motër e pajisur me leje qëndrimi italiane ia shpjegoi me mirësjellje. Me tone të ngritura e intimiduese,  pa pritur asnjë shpjegim të mëtejshëm dhe pa marrë parasysh një tjetër dokument të shtypur ku vërtetohej vizita okulistike, na shoqëron drejt zyrave të policisë kufitare ajrore të Malpensas. Në atë copë rrugë pyet për biletën e kthimit, të cilat i kishim në postën elektronike.

Bashkë me dhe pasaportat, punonjësi i kontrollit sjell edhe “bindjen e tij” se, “queste raccontano le bugie”.

Vërej se nga konfuzioni i pak minutave më parë, kam në dorë edhe celularin e sime motre, kapotën e saj dhe paratë për udhëtim, ndërsa ajo mbeti pas dyerve të policisë kufitare, pa mundur të komunikojë me ne.

 

Ngjarja transferohet në një dhomë të vogël, ku hyjnë  e dalin udhëtarë,  të cilëve u duhet të vërtetojnë me dokumente apo argumente arsyet e udhëtimit, pasi kontrolli i pasaportave nuk është bindur. Nga numri i pasagjerëve që transferohen aty, vihet re skepticizmi i dukshëm. Por ndonëse tërheqin vëmendjen për maskat, ku të gjithë mbajnë një të tillë, brenda asaj dhome të vogël bëhen më shumë se dhjetë dhe ruajtja e distancave bëhet e pamundur.

Disa syresh nuk dinë gjuhën italiane, të tjerë po ashtu do të duhet të argumentojnë motivet “di salute” të udhëtimit.

Një tjetër oficer na dorëzon disa formularë dygjuhësh, italisht dhe shqip. Aty kërkohen më shumë detaje, me gjasë për të kuptuar më mirë, arsyet e udhëtimit, shpeshtësinë e udhëtimeve drejt Italisë, kush ka paguar për biletën e udhëtimit, me kë je shoqëruar në këtë udhëtim, deri tek detaje personale si profesioni që kryen në vendin tënd, sa para fiton, sa para disponon me vete, gjendja civile, ku hyjnë pyetje të tipit: a ke fëmijë dhe sa.

Një tjetër oficer qaset me pasaportën time.

-“Ju jeni zonja Balliu? Nuk po ju njoh nga maska!”, më drejtohet.  Heqja e maskës,  në një ambient të mbyllur me më shumë se dhjetë njerëz në njëzet metra katrore, do të ishte të rrezikoje hapur. “Është fotografi e vjetër, e nëntë viteve më parë”, i them, “ pasaporta mban vitin e lëshimit 2012”. Para se të largohet dhe pa u bindur ende, komenton se paskësha ndryshuar ngjyrën e flokëve, në bionde.

-“Ma voi siete cugine?”, më drejtohet mua dhe kushërirës, të cilën e kisha bindur të vinte me mua të vizitohej edhe ajo në klinikën okulistike. Të dyja vuajmë nga miopia dhe menduam për një mendim të dytë në një klinikë të specializuar.

- “Ma proprio, proprio cugine? Tutti gli albanesi sono cugini”, vijon komenti i oficerit, të cilin mundohem të përtyp me qetësi duke i shpjeguar se bëhej fjalë për vajzën e tezes.

Numri i njerëzve në dhomën e vogël të zyrave të policisë kufitare po rrallohej, por  verifikimi për mua dhe time kushërirë vijoi për më shumë se një orë. Megjithëse kisha sqaruar gjithçka në formular dhe,  megjithëse më dorëzuan një fletë ku thuhej se isha në pritje të një interviste të nivelit të dytë për hyrje në territorin e hapësirës Schengen, askush nuk më intervistoi. Askush nuk më pyeti më tej për të sqaruar motivin e udhëtimit.

Ajo që erdhi më pas ishte një fletë ku shkruhej: “Respingimento alla Frontiera”. Vizita në klinikën okulistike, si të pamjaftueshme dhe jo serioze për të udhëtuar.

Sepse, siç përpiqet të më shpjegojë një tjetër oficer- i cili shfajësohet se vendimin e morën “i miei superiori, non io”- duhet të bëj karantinën dhjetëditore. Po udhëtimi jo më pak se 120 ditë, ku karantina bëhet jo e domosdoshme, sipas rregullave të shtetit italian?!  Ah jo, ajo është për arsye biznesi.

“Po çifti i të moshuarve që sapo u largua dhe nuk ishin as një ftesë për vizitën dhe as biletë kthimi dhe oficerja i thotë “Mi racomando, non piu di cinque giorni”?!”, mendoj me zë të lartë.

Dokumentet e mia të pamjaftueshme? Tampon molekular Covid-19, me rezultat negativ të 48 orëve të fundit, ftesë nga im vëlla, me leje qëndrimi italiane në shtëpinë e të cilit do të rrinim tri ditë, vetëdeklarim, rezervimi i vizitës në klinikën okulistike, bileta e kthimit, e paguar. Vizita mjekësore e syve ishte e parëndësishme për oficerët e policisë. Por jo i njëjti standard mbahej para dikujt që kishte qëllim fizioterapinë në një SPA në Itali, të cilët u lanë të kalojnë, “in questi tempi di pandemia che ha cambiato tutto”, sipas fjalëve të oficerëve të policisë.

Ajo që na priste, sipas shpjegimit të mangët, ishte kthimi në Tiranë. “Por, përpara”-  thanë –“do të duhet t’ju heqim telefonat celularë dhe do t’ju dërgojmë në një ambient tjetër. Mund të shkruani në një copë letër një numër telefoni, ku mund ta kontaktoni nga një telefon publik  me monedha”, vijuan shpjegimin.

Përse vizita okulistike nuk ishte e mjaftueshme sipas oficerëve? “Ma guarda, cosi dicono tutti, poi vengono per altri motivi”. Ç’motive mund të kishim tjetër, ku qëndrimi ishte i planifikuar për tri ditë?

Ndonëse Shqipëria regjistron norma më të ulëta epidemiologjike të Covid-19, ajo nuk bën pjesë as në kategorinë B apo C të shteteve që mund të udhëtojnë në Itali, por në kategorinë E. Udhëtarët e vendeve që bien në këtë kategori nuk kanë kufizimeve, nëse janë

Shtetas  italianë,  të vendeve të BE dhe zonës  Schengen si edhe anëtarët e familjes. Po ashtu edhe mbajtësit e statusit rezident afatgjatë, anëtarë të familjes dhe partnerë të pamartuar në një marrëdhënie të  provuar të qëndrueshme, pavarësisht nëse bashkëjetojnë apo jo me shtetas italianë, BE, Schengen apo me rezidentë afatgjatë, nëse udhëtojnë në shtëpinë e partnerit apo në një vendbanim në Itali.

Personat që nuk u përkasin asnjë grupi- ku kategorizoheshim unë dhe ime kushërirë -  munden të hyjnë në Itali për arsye specifike si punë, studime, shëndet apo arsye thelbësore apo të kthehen në  shtëpitë e tyre apo vendet e rezidencës.

 

 

Në këtë aneks të formave të vetëdeklarimit që argumentojnë udhëtimin drejt Italisë, nuk ka asnjë hollësi se çfarë cilësohet arsye shëndetësore dhe përse një vizitë okulistike nuk u pa si shëndetësore nga oficerët e policisë kufitare?

Sipas po të njëjtit dokument lëshuar nga autoritetet italiane, nga detyrimi i karantimit 10 ditor dhe përsëritja e një testi molekular apo antigjen Covid-19 përjashtohen ata që hyjnë në Itali duke mos i kaluar 120 orë, për arsye pune, shëndeti apo arsye thelbësore. Vetëm nëse këta shtetas nuk arrijnë të kthehen në kohë në vendet e tyre, mund të vetizolohen nën mbikëqyrjen mjekësore. Pra, pretendimi i autoriteteve kufitare se 120 orëshi ishte vetëm për ata që udhëtojnë për punë, u rrëzua.

Po përse vijonin të dyshonin tek dy vajza oficerët italianë? Mjaftonte një kundrim i shkurtër mbi pasaportën time për të kuptuar se kisha udhëtuar disa herë në Itali, kryesisht për vizita tek familjarë apo turizëm, me qëndrim jo më shumë se dhjetë ditë. Pasaporta e sime kushërire tregonte se herën e fundit kishte udhëtuar pikërisht transit nga Malspensa drejt Spanjës, me një vizë të Bashkimit Europian për arsye studimore, në programin e shkëmbimit Erasmus. Për ironi, edhe udhëtimi im i fundit në Itali, shkurtin e vitit të kaluar mbante vulën e aeroportit të Malpensas. Pak ditë para se Italia të shpallte gjendjen e epidemisë dhe të izolonte vendin.

Përse një gazetare dhe një ekonomiste, të cilat kurrë nuk kishin udhëtuar në Itali për motive pune, as nuk kishin qenë kurrë emigrante apo klandestine,  ishin kaq të dyshimta?

Ndonëse detyra e oficerëve të policisë kufitare ishte verifikimi i dokumentacionit dhe qëllimit të udhëtimit, nuk u krye asnjë telefonatë në klinikën mjekësore, ku na prisnin për vizitën okulistike. Megjithëse kishim një ftesë nga im vëlla, si njeriu që na priste në Itali dhe në banesën e të cilit do të qëndronim, jo vetëm që nuk u kontaktua por as nuk mori përgjigje kur ai telefonoi zyrën e policisë kufitare të Malpensës.

Ime motër, ende pas derës së kësaj zyre ku ishim mbyllur, u refuzua nga autoritetet për të dhënë më shumë shpjegime. U mjaftuan t’i thoshin se do të na transferonin “in una specie di hotel”, ku nuk do të duhet të paguanim.

Mes 140 udhëtarëve nga Tirana në Milano, me linjën ajrore Wizzair, ata që do të ktheheshin ishim unë, kushërira ime dhe një zonjë që nga shpjegimi i oficerit kishte kaluar 90 ditët e qëndrimit në Itali.

Kërkesave tona për të gjetur një fluturim sa më parë drejt Tiranës, iu përgjigjën negativisht duke shtuar se pasaportat tona ishin “sekuestruar”.  Negative ishte edhe kërkesa që të mund të akomodoheshim në një hotel, deri në kthim.  Kjo ishte e palejueshme. Telefonat tanë u konfiskuan dhe  u mbyllën në një zarf. I vetmi favor ishte të shkruanim në një copë letër një numër esencial për ta telefonuar nga mjedisi ku do të shpërnguleshim pas pak, përmes një telefoni publik.  M’u desh të dorëzoja edhe celularin e sime motre, sepse oficerja që e konfiskoi nuk pranoi t’ia dorëzonte asaj.

Një oficere policie grua na shoqëroi drejt ambienteve të tjera, ku do të qëndronim deri në kthim. Askush nuk e sqaroi qartë se në ç’orë do të ndodhte ky fluturim kthimi. Arsyeja e konfiskimit  të telefonave celularë?

“Aty brenda ka edhe meshkuj maniakë që u bëjnë fotografi vajzave të bukura”, i tha një oficere kushërirës sime. Ne do të qëndronim në një ambient të përbashkët me persona, potencialisht maniakë!

Mos kini frikë, sepse do të ketë policë aty brenda”, ishte përgjigja. Do të më duhej të ndihesha e mbrojtur nga policia italiane e kufirit në një ambient, ku hyja e shtrënguar .

 

Ndalimi  në këto ambiente ndodhte dukshëm pa vullnetin tonë dhe mohimet e mekëta se nuk bëhej fjalë për diskriminim, nuk bindin as vetë zyrtarët e policisë kufitare. Asnjë informacion i hollësishëm se cilat ishin kriteret që nuk kishim plotësuar për t’u kategorizuar tek motivet e udhëtimit për çështje shëndetësore.

 

Në vend të përgjigjeve erdhi shoqërimi në ambientin e përmendur nga oficerët, që tregonin me dorë nga një derë e vogël e pasme, e ndryshme nga ajo që hymë.

Një kthinë e fshehtë ku do të zhvillohej akti i dytë dhe kulmues i historisë absurde. I nënshtrohemi një kontrolli fizik, na merren bagazhet e dorës, ndër to portofoli, kartat, paratë. Do të qëndrojnë këtu, thotë oficerja duke bërë me gjest nga paradhoma, ku qëndronin dy oficerë të tjerë roje. Paradhoma ndahej nga mjedisi tjetër,  ku po hynim,  nga një rrethim xhami.  Pasi e kaloje pragun, shfaqej një sallë pritjeje me drita pulsuese neon, e ngjashme me sfondet e një filmi horror, tualete, dy anekse pa dyer që shërbenin për fjetje me shtretër-barela, një dhomë me xham, nga ato të marrjeve në pyetje, e shndërruar në duhantore për oficerët e turnit. Asnjë dritare për të parë nëse jashtë është ende ditë.

Ky do të bëhej ambienti ynë për...27 orë.  E vetmja e drejtë ishin telefonatat nga telefoni publik me monedha. Të dilje jashtë ambientit ishte e ndaluar, qoftë edhe e shoqëruar nga një oficer policie për të marrë pak ajër.  Nuk dinim ende me  ç’të drejtë mbaheshim të burgosura në atë kthinë të aeroportit italian të Malpensas.

Nuk ishte tamam burgosje, sipas oficerëve. Madje, madje një prej tyre, na tha se ishte vend luksi e nuk duhet të ankoheshim.

“E dini se ku ju fusin në shtete të tjera të BE? Ja, në një nga ato dhomat e vogla!”, na thotë për të na bindur se Italia po tregohet ‘amichevole’. Ende askush nuk po na thoshte se kur do të niseshim drejt Tiranës.

Përballë  stresit, ankthit dhe sulmeve të panikut ishte indiferenca e oficerëve  të turnit, që na vëzhgonin nga paradhome përmes ndarjes së xhamit. Sipas tyre nuk qe diskriminim, sepse brenda përfundonin gjithfarë qytetarësh të botës. Nuk e kishin me shqiptarët, deshën të thoshin. “Këto do të mbarojnë kur Shqipëria të hyjë në BE e nuk do t’ju kërkohen viza dhe dokumente shtesë”, i vë pikat mbi i një prej tyre, ndonëse i shpjegoj se si shtetase shqiptare kam të drejtë të lëviz lirshëm në zonën Schengen, të paktën brenda 90 ditëve.

Arritje e madhe, e theksoi dhe e rikujtoi gjatë fushatës elektorale kreu i PD-së, me premtimin e anëtarësimit në BE, nëse pas 25 prillit do të qeveriste koalicioni PD-AN. Ja që kjo arritje e lëvizjes së lirë në zonën Schengen, nuk po pinte më ujë në këto kushte.

“Eh, ma in questi tempi di pandemia...”, shtojnë  duke ngritur supet oficerët.

Ora nuk lëviz, ka ngecur. Kuptoj befas që jam shndërruar në një Jozef K., në një proces Kafkian. Arsyeja që më është hequr liria, është po aq absurde sa arrestimi dhe dënimi i personazhit kryesor të  “Procesi”. Ashtu si në roman, ku nuk zbulohet natyra e krimit as për protagonistin e as për lexuesin, edhe në rastin tonë shpjegimi i vetëm ishte ...“Ma sono le procedure”.

Procedura që më burgosin, pa më lexuar arsyen. Madje, madje duke mos qenë as institucion i rendit apo i sistemit penitenciar më ngjan se jam e marrë peng. Vëzhgohemi nga rojet që ndryshojnë turn çdo dy orë dhe survejohemi nga kamerat, edhe në tualet. Përjashtim bën vetëm  zona e WC-së. Askush nuk mundet të më shpjegojë se ku e kam thyer ligjin italian, çfarë kam bërë të dyshimtë apo të jashtëligjshme për të qëndruar e mbyllur këtu.  Përgjigja... “Ma sono le procedure”.

Procedura që nuk më lejojnë as të rezervoj një dhomë hoteli brenda rrethimit të aeroportit të Malpensas, me shpenzimet e mia. Jo, është e palejueshme.

Koha vijon e ngecur. Minutat shtyhen me përtesë, stresi amplifikohet, ankthi e bën frymëmarrjen të rëndë. Në këtë dhomë ndalimi,  jemi tri.

Bashkëvuajtësja jonë, një grua e re e cila ka udhëtuar drejt Italisë  për një proces gjyqësor. Ish-bashkëshorti i ka marrë në mënyrë të paligjshme të bijën, nën kujdestarinë e saj. E lodhur nga zvarritja e burokracive të sistemit gjyqësor i ishte drejtuar ndërmjetësimit me zonjën Eni Çobani. Policia e Torinos, ku kishte bërë denoncimin, i kishte kërkuar disa dokumente që vërtetonin kujdestarinë.  Po udhëtonte për t’i dorëzuar ato. Pas tronditjes disa orëshe, kujtohet se e ka shkelur afatin 90 ditor vitin e kaluar, kur Italia ishte e izoluar. “Nuk kisha me çfarë të kthehesha, ishin të mbyllura të gjitha”, thotë e shoqëruar nga frika e një dëbimi nga autoritetet italiane dhe faktin  se mund të humbasë të bijën.

Një nga rojet na njofton se fluturimi ynë është të nesërmen e 14 majit,  në orën 11:30 me të njëjtën kompani ajrore. Justifikimi për këtë burgosje të gjatë ishte pretendimi se nuk kishte fluturime më herët drejt aeroportit të Rinasit.

Më vonë, të afërmit më rrëfyen se nga Malpensa drejt Tiranës, rezultonin  dy fluturime më 13 maj. Një prej të cilëve në orën 10:40 me Wizzair dhe një tjetër në orën 17:30 me AirAlbania.  Pra, autoritetet italiane të kufirit ajror nuk po tregoheshin të sinqertë.

Na mbetej të numëronim pllakat dhe kamerat që na survejonin, të mbanim vesh bisedat e rojeve,  nga ato më të zakonshmet  tek konspirativet  të kujt e cilësonte Covid-19  si një eksperiment për reduktimin e popullsisë dhe për kontroll të shoqërisë njerëzore.

Para se të na mbyllnin në këtë kthinë pa dritare, oficerët na siguruan se do të kishim ushqim.

“Lei mangia di tutto o è musulmana?”, ishte pyetje në dukje e sjellshme e rojës së turnit, pas xhamit. Një shqiptare do të duhet të ishte gjithçkangrënëse ose myslimane dhe respekti për religjionin e shtetases së huaj shndërrohej automatikisht në koment diskriminues.

 

Dikush na njofton se pas mesnate dritat do të shuhen.  Na dorëzohet një shtrojë për të fjetur. Na  thuhet se megjithë pamjen e shëmtuar barelat- shtretër janë dezinfektuar si pjesë e protokollit të masave anti-Covid. Por në një mjedis të mbyllur, ku mund të kenë qëndruar më herët të tjerë, potenciali për t’u infektuar është i madh.

Kondicionerët e ftohin edhe më ambientin. Lutjet  për një batanije shtesë bien në vesh të shurdhër. “Nuk na lejohet”, thotë operatori i turnit. Më vonë sjell tri batanije, duke theksuar se ky qe një nder që na bënte.

Asnjë prej të trijave nuk mund të vërë gjumë në sy. E pamundur. E vetmja ndjesi orientimi për kohën është një orë dore, akrepat e së cilës më krijohet përshtypja  se ecin mbrapsht.

Qesh me vete, kur mendoj  se në historikun tim të udhëtimeve, kryesisht me Italinë jo vetëm që nuk kam marrë para nga ky vend, por kam sjellë para si turiste. Italia e dashur e fëmijërisë sime, e gjuhës që e mësova nga televizioni dhe kultura e njerëzit ndaj të cilëve ndjeja simpati ishte tanimë ajo e nëpunësve burokratë, ku burokracia kishte jo vetëm epërsi mbi logjikën,  por edhe mbi çdo lloj ndjenje humane.

Kam vetëm një ide fikse...Kjo që po ndodh nuk do të mbetet këtu  brenda. Ankthi  më thotë, ndryshe nga logjika, se ato 27 orë mund të bëhen përjetësi.

Mundohem të shoh anën pozitive: Kam fituar një artikull, duke e përjetuar vetë ndjesinë e të gjithë shtetasve të ndaluar e të kthyer në këto mënyra aspak transparente. Qofshin këta emigrantë, azilkërkues apo qytetarë të zakonshëm që udhëtojnë në këtë botë të hapur e të lirë, për arsye të ndryshme.

Ndihem jo vetëm e fyer, por e dhunuar në të drejtat themelore të njeriut. Pa kryer kurrfarë veprimtarie që bie ndesh me ligjin.

Ime motër që mbeti e padëgjuar jashtë dyerve të zyrës së policisë kufitare ngulmoi me e-maile drejtuar policisë kufitare, ambasadës shqiptare në Romë, konsullatës shqiptare në Milano që për fat të keq kishin pushim zyrtar me rastin e festës së Fiter Bajramit, policisë së shtetit italian, prefekturës së Milanos,  ministrisë së Punëve të Jashtme në Itali, ministrisë së Punëve të Brendshme, Zyra e Emigracionit. Pyeste se në ç’kushte ndodheshim, pasi na ishte hequr liria për të lëvizur. Nuk mori asnjë përgjigje në këmbim, deri sot më 16 maj, dita ku kishim planifikuar kthimin në Shqipëria

Çështja u shndërrua në kuriozitet antropologjik, për ndonjë nga operatorët e policisë kufitare të aeroportit që shfaqte interes për të kuptuar më shumë.

Reagimet, ndonëse në dukje dashamirëse ishin “Mos ekzagjeroni. Nuk është burg, është një zyrë provizore. Për fat të keq këto janë procedurat në kohë pandemie”.

Siç kishin pohuar vetëm oficerët e policisë kufitare se ajo kthinë ku mbaheshim të mbyllura përdorej për udhëtarë të ndryshëm, të cilëve u refuzohej hyrja në Itali për një nga nëntë shkaqet, që nisnin nga mungesa e dokumenteve të vlefshme për udhëtim e deri tek rrezikshmëria për rendin publik dhe sigurinë e brendshme. Po ashtu një mik më bëri me dije para se të niseshim, se edhe nga aeroporti i Bergamos po kthenin mbrapsht  shumë shtetas  shqiptarë.

Një studim nga Shoqata  për Studime Juridike mbi Emigracionin, njohur si (ASGI) në bashkëpunim me Human Rights, Migration Laë  Clinic (a.a. 2018-2019) dhe  Strategic Litigation: International Human Rights Legal Clinic të Departamentit të Jurisprudencës në Universitetin e Torinos, trajtonte zonat e transitit aeroportual si vende ku privohej në mënyrë arbitrare liria dhe të drejtat e njeriut.

Studimi i botuar në janar  2021, kishte marrë në shqyrtim raste të dy viteve të  fundit, që do të thoshte se praktika të tilla janë ndjekur edhe përpara kushteve të  pandemisë.

Përmes një pune rrjeti me avokatë e operatorë të ASGI dhe organizatave të tjera, studimi  në fjalë kishte hyrë në kontakt me shumë shtetas të huaj, të ndaluar në zonat e transitit aeroportual në pritje për t’u kthyer mbrapsht.

Raporti ofron një analizë kritike të dhunimeve më të mëdha të këqyrura. Trillimi, thuhet në këtë raport, i mos lejimit të hyrjes në shtetin italian përdoret në mënyrë instrumentale nga autoritetet kufitare për të thjeshtëzuar procedurat e largimit të qytetarëve të huaj dhe për të vënë në veprim mekanizma përzgjedhjeje informale për emigrantët në hyrje.

Autoritetet kufitare, duke i konsideruar këto zona si ekstra territoriale, veprojnë sikur të ishin zona të qarta për aplikimin e normave kushtetuese, kombëtare  dhe ndërkombëtare të mbrojtjes  së të drejtave themelore. Një interpretim, që sipas këtij raporti, i pambështetur në një shtet të së drejtës, ku  juridiksioni i ushtruar i shtetit,  në vende të tilla është jashtë diskutimit.

Ua përsërita shumë herë autoriteteve se ndodheshim në një zonë neutrale dhe jo në Itali  dhe nuk kuptoja se përse nuk e lanë time motër, me licencë avokatie në Shqipëri dhe një diplomë master të së Drejtës në Itali të merrte sqarim të mëtejshëm përse mbaheshim të mbyllura.

M’u ndërmend  filmi “The Terminal”, ku Tom Hanks interpreton shtetasin nga Krakozhia,  një vendi  të trilluar i vendosur në Europën Lindore, i ngecur në Terminalin e aeroportit të Nju Jorkut, pasi i ndalohet hyrja në ShBA dhe në të njëjtën kohë nuk mundet të kthehet në atdhe, për shkak të një grushti shteti.

Në fakt, filmi është pjesërisht i frymëzuar nga një histori e vërtetë e qëndrimit 18-vjeçar të Mehran Karimi Nasseri në Terminalin 1 të aeroportit  Charles de Gaulle në Paris, nga viti

1988 deri 2006.

Çfarë nuk do jepja në fakt të endesha  në terminal apo edhe të flija në sallat e pritjes, vetëm të dilja nga ai burg, ku këqyresha si kavie. Gjithçka me pretendimin se ishte “per il suo bene, signora!”  Më gëzonte fakti se avokati im, pasi ta çoja çështjen në gjykatë, do të mund të kërkonte një kopje të filmimeve, edhe pse unë isha e pamundur të filmoja pa celular dhe madje as mund të shkruaja. Nuk lejoheshin as stilolapsat.

Sipas raportit, që kishte kontaktuar me shtetasit e ndaluar në këto zona aeroportuale thuhet se pavarësisht mungesës së një disipline specifike, të rregullimit juridik italian dhe europian ka në fakt disa norma që përcaktojnë se cilat do të duhet të ishin funksionet e  këtyre vendeve dhe cilat të drejta të shtetasve të huaj, po kapërceheshin apo anashkaloheshin.

Është  e dukshme, vijon raporti,  që shtetasit e huaj që gjenden në zonat e transitit janë titullarë të të gjithë të drejtave themelore, mes tyre edhe e drejta për të kërkuar azil,  e drejta e mbrojtjes, lirisë vetjake dhe sigurisë dhe të mos u nënshtrohen trajtimeve çnjerëzore apo degraduese. Përdorimi sistematik i praktikave të dëmshme të shtetasve të huaj është bërë e mundur nga fakti se zona të tilla janë nën kontrollin ekskluziv të autoriteteve kufitare.  Organizatat që do të duhet, të garantonin respektimin e  të drejtave të shtetasve të huaj, nuk kanë mundësi të hyjnë në zonat e sigurisë në të cilat mbahen shtetasit e huaj dhe këta të fundit nuk kanë mundësi të kontaktojnë më mënyrë autonome.

Zonja që ishte e ndaluar me ne, i telefonoi avokatit të saj italian, por autoritetet kufitare refuzuan të komunikonin me të.

Sipas raportit, abuzime të tilla mund të kenë efekte jashtëzakonisht të rënda në jetët e shtetasve të huaj. Personat e refuzuar në kufirin aeroportual gjenden të detyruar të presin në zonat e sigurisë në zonat e transitit,  që kompania ajrore me të cilën kanë mbërritur në Itali t’i kthejë në shtetin e nisjes.  Në disa raste, thekson raporti, kjo pritje mund të zgjasë edhe disa ditë.

Në ndërkohë personat mbahen në mënyrë arbitrare në kushte tejet të papërshtatshme dhe në mungesë të garancive thelbësore. Me pak fjalë u mohohet liria personale.

Ndalimi bëhet, në vende të papërshtatshme për mbajtje, të izoluar nga bota e jashtme, pa akses në ajër të hapur me pak mundësi për t’u konsultuar me një person të ligjit, pa pasur ndaj tij asnjë urdhër ndalimi dhe pa u bërë e vlefshme kjo nga një gjykatës.

Raporti përshkruan saktësisht mjediset ku u ndaluam edhe ne, tri shqiptaret në aeroportin e Malpensës.

Bëhet fjalë për një mohim të lirisë personale të bërë në mungesë të një baze ligjore, pa një afat maksimal të ndalimit dhe pa një kontroll juridiksioni të ligjshmërisë së ndalimit, në kushte të papërshtatshme dhe në dhunim të hapur të diktimit kushtetues.

Organizatat, entet e mbrojtjes, familjarët dhe përfaqësuesit ligjorë të personave që janë ndaluar në zonat e transitit kanë mundësi shumë të reduktuara për akes në zonat e transitit.

Pengesat e vendosura nga autoritetet për akses ndaj subjekteve të jashtme në zona  të tilla përbën dhunim të një sërë të drejtash, del në konkluzion ky studim italian.

Mes të tjerash ajo e informacionit, mbrojtjes (shpesh për të ndaluarit është  e pamundur materialisht të kontaktojnë me avokatin), aksesit efektiv të mbrojtjes juridike. Përtej kësaj, pamundësia e aksesit të shoqërisë civile në këto zona i bën të padukshme ndaj opinionit publik.

Nëse nga një anë është e vështirë për botën e jashtme të hyjë në zonat e transitit, nga ana tjetër autoritetet nuk përshtatin asnjë masë për të garantuar që njerëzit e ndaluar të mund të komunikojnë me botën jashtë. Në të kundër, në shumë rrethana shtetasit e huaj janë të privuar në mënyrë joformale nga telefoni i tyre celular, në shumë raste, avokatëve u është mohuar hyrja në bazë të konsideratës së këtyre zonave “sterile”, në të cilat mund të kenë akses vetëm disa kategori njerëzish.

Zonat e transitit duken shpesh të qeverisura nga autoriteti ekskluziv i policisë kufitare. Përshtypje e tillë përforcohet nga fakti se autoritetet kufitare vijojnë të veprojnë dhe ta cilësojnë të ligjshme praktikat dëmtuese të të drejtave të shtetasve të huaj nga autoriteti juridiksional dhe nga entet e kontrollit si Garant të të drejtave të të ndaluarve, thotë ky studim. Ndër të tjera, raporti kërkon ndalimi ne këtyre praktikave të zmbrapsjes në kufi, sipas gjykimit të tyre ilegale dhe garantimin e aksesit ndaj informacionit dhe mbrojtjes ndërkombëtare të gjithë atyre që shfaqin vullnetin.

Ajo që nisi si “mbrojtje” e jetës dhe shmangies së rrezikut të infektimit me Covid-19, përfundoi në heqje lirie të jashtëligjshme për 27 orë.

Ende nuk ishim të lira. Gjysmë ore para nisjes, dy oficerë na shoqërojnë me tri zarfe në duar, ku gjendeshin edhe formularët e “respingimento alla frontiera”.  Nëse do të udhëtonim fjala vjen, pas 15 majit, vetëm dy ditë më vonë, rregullat do të ishin ndryshe dhe nuk do të na ndalonin për arsyet që u paraqitën. “Siete state sfortunate”, na përcjell një oficer nga dhoma e burgimit ndërsa i thotë kolegut se gazetarja do të shkruajë një përshtypje të keqe për Italinë. Çështja nuk ishte kaq e lehtë. Nuk isha një turiste e pakënaqur me shërbimin, diku. Isha një shtetase shqiptare, së cilës iu dhunuan të drejtat themelore të njeriut.

Këto praktika do të ndalonin, siç theksonin oficerët kur Shqipëria të hyjë në BE. Kryeministri shqiptar e cilëson skizofrenike zvarritjen e unionit për çeljen e negociatave, ndonëse vetëm pak ditë më parë nga Firence e pohoi se vendi nuk qe gati për të hynë në Bashkimin Europian. Dy vite më parë ishin çështje të politikave të brendshme me Francën dhe presidentin Macron që vuri veton kundër çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.  Por, derisa Shqipëria të plotësojë kushtet e derisa Këshilli Europës që u rikujtua për dy vendet e Ballkanit, më shumë se një vit nga shpallja e pandemisë globale, shqiptarët do të trajtohen si qytetarë të botës së dytë, do të duhet të kalojnë në një tjetër hyrje ndryshe nga ajo për shtetasit e BE-së apo ata të vendeve të botës së parë. Shqiptarët do të shihen me dyshim, do të kthehen mbrapsht me një të rënë të lapsit nga policia kufitare, që nuk do t’ia dijë për shpenzimet e as për stresin e pësuar. Për një javë do ta harrosh e do të kthehesh sërish në Itali, thotë një tjetër oficer. Është kaq e thjeshtë për ta. Po aq e  thjeshtë sa edhe të më heqin lirinë.  “Chissà perché non fanno entrare l'Albania in unione europea, lei sa meglio di me il perché”, iu përgjigj sime motre një prej oficerëve në dyert e zyrës së policisë kufitare.

Ecim në një korridor të gjatë e të ngushtë, oficeri para nesh hap portën e hekurt dhe ...më në fund pas 27 orësh shohim dritën e diellit. Ende nuk jemi të lira. Pasaportat i dorëzohen ekuipazhit të avionit. Në kthim, ia dorëzojnë një oficeri të policisë kufitare në Rinas e pas marrjes në pyetje mund të kemi në duar pasaportat me një vulë dhe një shënim se na është refuzuar hyrja në Itali.

Asgjë nuk do të qëndrojë e mbyllur brenda atyre mureve ku u burgosa për 27 orë. Jo vetëm një zë mediatik, por edhe një shtetasve që do të ngrejë padi ndaj autoriteteve të policisë kufitare që më ndaluan për më shumë se një ditë, pa asnjë të drejtë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH