Aranit Muraçi
“Rritja” e pagave për sektorin publik, e parashikuar të niste më 1 prill 2023 për kategoritë e para, u shty për një kohë të dytë, sepse ligji nuk u miratua në Kuvend nga deputetët dhe ministrat, të cilët me vonesë kuptuan se ata nuk ishin përfshirë në “listat” e rritjes së pagave. Pas amendimeve të draftit dhe pasi dyfishuan pagat e tyre, projektligji u votua nga anëtarët e Komisionit të Ekonomisë pa asnjë votë kundër dhe pritet të miratohet nga Kuvendi para se të hyjë në fuqi zyrtarisht.
Sipas ministrisë së Financave duke nisur nga Presidenti i Republikës, praktikisht përfitojnë 250 funksionarë politikë dhe funksionarë të tjerë, të cilët pagën e kanë të lidhur me pagën e Presidentit dhe efekti financiar vjetor shtesë vetëm për këto kategori përllogaritet 20 milionë lekë.
Më konkretisht, paga e Presidentit propozohet të rritet në nivelin 425 mijë lekë të reja nga 257 mijë lekë që është aktualisht. Edhe për ministrat dhe deputetet pas ndryshimeve të fundit të draftit paga e tyre pritet të shkojë dy herë më tepër se paga që merrnin aktualisht. Sa i takon efektit financiar, kosto totale e kësaj politike, duke filluar nga 1 janar 2025, vit kur do të ketë një efekt të plotë projektligji dhe aktet nënligjore që e shoqërojnë atë është rreth 39 miliardë lekë, prej të cilave 1 miliard lekë llogaritet efekti financiar i zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për vitin 2023. Nga kjo reformë përfitojnë në total 130.330 punonjës.
Pyetja e parë që shtrohet është se kush do ta paguajë faturën?
Dhe më e rëndësishmja, a nuk është diskriminuese që drafti para se të kthehet në ligj përjashton më shumë se gjysmën e popullsisë, ata të cilët punojnë ose jo, dhe më tepër se kaq, a është kushtetues një i tillë?
Dihet që paga, udhëtimet e një ministri ose të një deputeti dhe shpenzime të tjera, mbulohen nga buxheti i shtetit. Mbulohen tërësisht nga taksapaguesit, që nga dietat, ushqimi, karburanti, dhe deri te fjetja, me qëllim që kur ai të miratojë ligje në dobi të të gjithëve dhe në emër të zhvillimit ekonomik, të jetë sa më i freskët dhe të mos i marrë “koka erë”, siç thotë populli. Në fakt fjala e përdorur “rritje” për pagat në këtë periudhë të njërës prej krizave më të rënda ekonomike pas Luftës së Dytë Botërore është terminologji politike dhe e gabuar.
Për një pensionist, i cili nuk përballon ilaçet, koston e jetesës nga inflacioni i lartë, normalisht që nga rritja e kostos së jetesës pensioni i tij duhet të ishte indeksuar, ndër të parat kategori. Dikush që ka mbetur i papunë, ata që mezi mbahen nga përkrahja sociale, të tjerë që paguhen pak, janë të sëmurë, jetojnë me qira, të gjitha shtresat në nevojë nga rritja e paprecedentë e inflacionit brenda një viti duhet të ishin identifikuar dhe indeksuar ndër të parët. A është arritur indeksimi i plotë i pagave ose të ardhurave, para se të pretendohet për rritje pagash?
Indeksimi, në çdo vend tjetër të perëndimit, sidomos në Europë dhe SHBA që u tronditën gjatë vitit të fundit nga inflacioni, nisi me shtresat në nevojë, ose më të prekura nga kriza e çmimeve. Dhe një i tillë gradualisht vazhdon me të gjitha kategoritë, fillimisht në sektorin privat dhe më pas ose paralelisht në atë publik. Në vendin tonë po ndodh e kundërta, madje po shoqërohet me një tjetër çudi. Përderisa të gjithë synojnë të punësohen në sektorin publik dhe konkurrenca për një vend pune është shumë herë më e madhe në këtë sektor, ndërsa nga ana tjetër sektori privat nuk po gjen dot punëtorë, “rritja” e pagave vetëm në sektorin publik që mbahet nga taksapaguesit, mund të çojë në shkatërrim total të sipërmarrjes.
Pretendimi se “rritja e pagave” do të ndikojë në uljen e nivelit të korrupsionit dhe e dyta, do të nxisë rritjen e pagave nga sektori privat, janë të dyja qasje të gabuara, dhe mund të shoqërohen me pasoja të rënda. Sot duhet të diskutohet indeksim i pagave sipas nevojave, përmes një procesi transparent dhe të drejtë, ku të ishin përfshirë ekspertët më të mirë të ekonomisë. Për rritje reale të pagave do të ishte mirë të diskutohej në një kohë tjetër, në një periudhë rritjeje ekonomike, jo në kohën kur vendi ka kaluar tre kriza njëra pas tjetrës si; tërmeti, pandemia dhe kriza e çmimeve. Dhe rritja e pajustifikuar në emër “të krizës’ për disa kategori të privilegjuara, e pabazuar në rregullat e tregut të punës, do të shoqërohet me pabarazi, padrejtësi dhe veç problemeve që mbart mund të nxisë në vend të virtytit të punës “veset” në një shoqëri.
Si krahasim me vendet e tjera, rritja e pagave u konsiderua e fortë në fillim të vitit 2023 – një lajm i mirë për punëtorët që po përpiqen të mbajnë të njëjtën hap me rritjen e kostove të jetesës, por kjo rritje shihet si shqetësuese nga zyrtarët, ndërsa ata përpiqen të zvogëlojnë normën e inflacionit pa shkaktuar recesion.
Pagat, si shembull, për punëtorët e sektorit privat në SHBA u rritën 5.1 për qind në mars krahasuar me një vit më parë dhe 1.2 për qind nga dhjetori, tha të premten Departamenti i Punës. Ishte e njëjta normë rritjeje si në dhjetor, çka sfidoi pritjet e parashikuesve për një ngadalësim modest. Një masë më e gjerë e rritjes së kompensimit, e cila përfshin vlerën e përfitimeve si dhe pagën, në fakt u përshpejtua paksa në tremujorin e parë.
Ndërsa inflacioni dhe rritja e pagave përgjithësisht lëvizin në të njëjtin drejtim dhe ndikojnë njëra-tjetrën, ato nxiten nga inpute të ndryshme. Inflacioni përcaktohet nga ndryshimet mbi koston e një shporte mallrash në treg (të tilla si banesat, produktet ushqimore dhe karburantet). Paga, nga ana tjetër nxitet nga ndryshimet në ofertën/kërkesën për punë, të cilat mund të shkaktohen nga tendencat demografike, norma e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore, nivelet e papunësisë, përparimet teknologjike dhe rritja e produktivitetit.
Për shembull, në vitin 1979 – viti i inflacionit më të lartë të regjistruar në kohë paqeje – inflacioni në SHBA ishte 13.3%, kurse rritja e pagave ishte shumë më e ulët prej 8.7%. Nga ana tjetër inflacioni në SHBA ishte 1.9% në vitin 2001, por buxhetet e rritjes së pagave ishin shumë më të larta, afër 4%, në 2001 dhe 2002.
Kostot e përfitimeve të punonjësve (të tilla si kujdesi shëndetësor dhe planet e daljes në pension) nuk përfshihen në buxhetet e rritjes së pagave, por reflektojnë rritjet aktuale në shpenzimet e punëdhënësit. Ato përfshihen në atë që ekonomistët e quajnë “paga” – dhe ndikojnë në inflacion – por shpesh nuk diskutohen kur i referohen rritjes së pagave. Në shumicën e viteve të punës shpenzimet e punëdhënësve për programet e punonjësve tejkalojnë inflacionin, me pagën që përfaqëson vetëm një ndër komponentët.
Një tjetër parim bazë i ekonomisë së punës është se rritja e pagave është “ngjitëse”. Drejtuesit efektivë e dinë se nivelet e pagave janë të vështira për t’u ulur, nëse në një kohë tjetër tregjet përkeqësohen ose ekonomia ecën me ritme të ngadalta. Për shkak se pagat janë të qëndrueshme dhe inflacioni llogaritet mbi rezultate që ndodhin në të kaluarën, zakonisht shoqërohet me vonesa përpara se të kuptohet ndërveprimi i tyre. Udhëheqësit efektivë politikë, publikë, ose privatë menaxhojnë situatat, përmes cikleve të shumta të paqëndrueshme të biznesit duke mbetur konkurrues dhe vigjilentë në rritjen e kostove fikse, sepse “turbullirat” kur shfaqen papritur nuk mund t’iu lënë atyre zgjidhje tjetër veçse të pushojnë punonjës, ndonjëherë edhe me rendiment dhe të vlerësuar, gjatë periudhës së paparashikuar të rënies ekonomike.
Në kushtet aktuale, drejtuesit e ekonomisë dhe të bizneseve duhet të jenë të kujdesshëm se kujt duhet t’i ofrojnë rritje pagash, bonuse dhe shpërblime, plane përfitimesh. Ata duhet të punojnë për të krijuar një kulturë të fortë pune mbi rezultate konkrete, si dhe të analizojnë me kujdes përvojën e çdo punonjësi, duke zhvilluar mjedise të shkëlqyera për punë, si ndoshta perspektiva e vetme për të ngritur një ekonomi të begatë, në vend që të rriten për kategori të caktuara apo të privilegjuara kostot fikse të pagave, pa llogaritur pasojat negative të ndikimit të tyre në treg.
Nëse puna, talenti nuk do të vlerësohen sipas meritës, të rinjtë do të shohin si zgjidhje emigracionin dhe nga mungesa e vazhdueshme e fuqisë punëtore, sektori privat do të vihet akoma edhe më në vështirësi. Ulja e produktivitetit nënkupton një ekonomi më të dobët, dobësi e cila mund të vijë duke u rraskapitur. Në një situatë të tillë, kush do të taksohet për të justifikuar rritjen reale të pagave në sektorin publik ose çfarë politike fiskale do të ndiqet, nëse një e tillë nuk është gjithëpërfshirëse? Kujtojmë rastin e freskët të Greqisë. Një vend i BE-së, për shkak të shpenzimeve të pajustifikuara në sektorin publik, u përball me rrezikun e falimentimit të shtetit, rrezik të cilin e shmangu ndërhyrja e Gjermanisë por që, megjithatë u shoqërua me kosto të rënda politike dhe sociale, veç kohës së gjatë që iu desh për rimëkëmbjen dhe kthimin në normalitet.
Një vend si Shqipëria, që detyrë parësore ka luftën ndaj informalitetit dhe garantimin e lirisë së tregut, për shkak të dështimit në përmbushje të këtyre detyrave thelbësore, nëse nuk përmbush këto objektiva madhore para se të hartojë politika zhvillimi, mund ta përqafojë lehtësisht dhe në çdo kohë kolapsin e saj.
/Liberale.al/