Kryesore

Dy rrugët e një përkthyesi: “traduttore, treditore”

               Publikuar në : 10:08 - 21/10/19 liberale

Bajram Karabolli

Lidhur me përkthimin e një libri pyetja e parë që i lind lexuesit është se sa besnik është përkthyesi në këtë libër. Veç brenda kësaj pyetjeje ka pyetje të tjera: Besnik ndaj kujt: Ndaj origjinalit të tekstit, domethënë ndaj autorit, apo ndaj gjuhës ku e çon, domethënë ndaj lexuesit? Sa të vërtetë ka në thënien e famshme: “traduttore, treditore”?

Sipas Franz Rosenzweig përkthimi është një zanat prej shërbëtori. Qysh këtu lind drama e përkthyesit: ai endet pa pushim midis besnikërisë dhe tradhtisë. Çfarë duhet të zgjedhë ai? Kujt t’i qëndrojë besnik? Veprës apo gjuhës së tij?

Pra, në vija të trasha, përkthyesi ka dy rrugë për të përkthyer: E para: t’i qëndrojë besnik origjinalit, domethënë gjuhës së autorit. Kësaj mënyre Schleiermacher i thoshte: “të përcjellësh lexuesin tek autori”. Në këtë rast, në njëfarë mënyre, përkthyesi ka tradhtuar gjuhën, në të cilën e ka çuar veprën artistike, domethënë, lexuesin, bashkatdhetarin e tij. Për pasojë, mund të ketë vështirësuar kuptimin apo më mirë perceptimin dhe përjetimin e saktë të situatave dhe personazheve të veprës.

E dyta, e kundërta e së parës: nëse vepra shqipërohet, siç bënte i madhi Fan Nol, në këtë rast Schleiermacher thoshte: “të përcjellësh autorin tek lexuesi”, domethënë, përkthyesi ka arritur ta bëjë veprën tejet të kuptueshme për lexuesin, atëherë kultura e veprës origjinale do të ndjehet e “vjedhur” apo “e dëmtuar”, domethënë, përkthyesi ka tradhtuar origjinalin, autorin.

Siç shihet, ndërmjet përkthyesit dhe autorit, përherë ka njëfarë marrëdhënie të ndërlikuar dhe, kësisoj, thënia “traduttore, treditore “përherë qëndron.

Mbase, është kjo arsyeja që përkthyesi gati fshihet dhe shuhet fare, duke u paraqitur thjesht si një ndërmjetës i vogël, gjithmonë “tradhtar” për të tjerët dhe “besnik” për veten e tij. Edhe në librat e përkthyer, ai mezi dallohet, emri i tij shkruhet diku, me shkronja të vogla, dhe ka lexues që as e shikojnë fare (Po e kam lexuar, më tha një miku im për “Festën e cjapit” të nobelistit Mario Josa, pse ti e paske përkthyer?)

Gjithsesi, profesioni i përkthyesit ka diçka magjike. Dihet që fjalët kanë një fuqi të jashtëzakonshme, sepse gjërat ekzistojnë kur emërtohen. Pa forcën që u jep emërtimi, gjërat do të ekzistonin vetëm në mendimin tonë, në brendësinë tonë, por nuk do të ishin të vërteta, reale, nëse nuk do të kishin një emër. “Mrekullia” e përkthimit shpesh qëndron në atë se një përkthim i arrirë mund të zgjojë në gjuhën e përkthyer mundësi më të mëdha edhe sesa vetë shkrimi i diçkaje në atë gjuhë. Në këtë rast kam parasysh rolin e madh të Hölderlit, një ndër poetët më të mëdhenj të gjuhës gjermane, i cili me përkthimet e tij nga greqishtja e vjetër zgjoi gjuhën gjermane, ndoshta dhe më tepër sesa me veprat e tij të shkruara gjermanisht.

Përkthyesit i kërkohet shkathtësi në përdorimin e gjuhës amtare, aftësi dhe njohuri për të kapur ngjyrimet dhe kuptimet më të fshehta të gjuhës nga e cila përkthen dhe mjeshtëri për të transmetuar ato kuptime tashmë të kthyera në diçka të vetën dhe të afërt për lexuesin.

Çdo gjuhë ka personalitetin, veçorinë, origjinalitetin e vet dhe kuptimet më të fshehta për të emërtuar realitetin që na rrethon. Përkthyesi duhet t’i njohë mirë këto për të arritur që elementët e tyre të kthehen në pjesë përbërëse emërore të gjuhës tjetër, ku do t’i çojë. Këtu qëndron forca e përkthyesit, forca e magjisë së tij, një forcë që, si çdo forcë tjetër, duhet të përdoret me saktësinë, kujdesin dhe profesionalizmin e nevojshëm, për të shmangur grackat fine që fshihen nganjëherë në gjuhësi. Përgjegjësia e përkthyesit qëndron pikërisht te pushteti që ka mbi fjalët, sepse fjala formon realitetin. Dhe pavarësisht se fjala në gjuhë të ndryshme tingëllon ndryshe, realiteti përherë është i njëjti. Prandaj përkthyesi do të gjejë fjalën e duhur të gjuhës tjetër që të paraqesë të njëjtin realitet.

Një përkthyes i mirë bën që fjalët dhe kuptimet e tyre të dalin nga pylli i shkronjave me personalitetin e vet dhe të përcaktuar mirë, që nga gjuha e origjinës të mbërrijnë në gjuhën tjetër, pa i zënë besë improvizimit dhe ndryshimit dhe pa u tërhequr, derisa të gjejë zgjidhjen më të mirë e më të saktë të asaj që synon.

Nëse përkthyesi nuk është shumë i angazhuar me profesionin e vet, nuk është çudi që të kalojë me lehtësi në kuptime të ngatërruara që mund ta çojnë në gabime, të cilat vijnë si rrjedhojë e pakujdesisë apo nga një formim i shtrembër i atij vetë si përkthyes. Përkthyesi është mirë, të mos joshet nga fjalët e stërzgjatura apo pleonazmat e tepërta apo nga një tepri veskeqe fjalësh.

Në çdo fjalë, në çdo frazë, në çdo emfazë të një romani ka pothuaj përherë një synim të dytë të fshehtë që vetëm autori e di. Dhe përkthyesi nganjëherë përballet me problemin që, nëse do t’i qëndrojë tejet besnik origjinalit, ngjyrat kuptimore do të jenë të shpëlara dhe nuk do të përcjellin emocionet e duhura.

Është e padyshimtë që roli i përkthyesit është vendimtar. Ai gati-gati zë vendin e autorit në veprën e përkthyer.

Markesi thotë se veprat e tij i pëlqejnë vetëm në gjuhën që i ka shkruar, por kur i lexoi ato në anglisht, të përkthyera nga Xhorxh Rabassa, gjeti pasazhe që i pëlqyen më shumë se në origjinal. Madje thuhet se falë këtij përkthyesi Markesi u përzgjodh si kandidat për çmimin Nobel, të cilin edhe e mori. Por, ndodh edhe e kundërta: një vepre e bukur letrare apo një autor i madh mund të masakrohet prej një përkthmi dosido. Kështu ka ndodhur me “Pedro Páramon” e Huan Rulfos. Nga një përkthim i keq në anglisht, kjo kryevepër e realizmit magjik nuk u shijua dhe nuk u vlerësua siç e meritonte.

Përkthyesi duhet t’i shmanget sa më shumë shpjegimit të një fjale në fund të faqes. Markesi jep një shembull të përkthimit të një libri të tij në portugalisht, ku përkthyesi fjalën “astromelias” e shpjegonte në fund sikur ajo të qenkësh një lule imagjinare e shpikur nga Garsia Markes. Dhe çudia ishte se ky emër luleje ishte në gjuhën portugeze.

Ndërkohë që përktheja romanin e Mario Josës “Vajza e prapë” ndesha termin “trujiman” dhe duke mos e përkthyer dot e pashë të arsyeshme ta shpjegoja në fund të faqes. Redaktori që kishte lexuar përkthimin rusisht të romanit më thotë se përkthyesi rus paskësh gjetur një fjalë të vjetër të rusishtes për këtë term. Pasi vrava mendjen, e gjeta zgjidhjen: befas më ra ndërmend fjala popullore “terxhuman” që do të thotë “përkthyes”. Çudia ishte se “trujiman” dhe “terxhuman” është e njëjta fjalë e ardhur nga arabishtja. Në Spanjë e kishin lënë arabët, gjatë pushtimit shumë shekullor, ndërsa në Shqipëri e sollën turqit që e patën marrë po prej arabëve. Kësisoj nuk pata nevojë ta përktheja./Gazeta Liberale

 

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back