Aktualitet

Dy pedagoget e UET fitojnë specializimin afatgjatë në Mjekësi

Shkruar nga Liberale

Në një kohë kur e gjithë bota po përballet me një pandemi, e cila po sjell shumë dëme, në njerëz, në ekonomi, por edhe në vetë shëndetësi, dy pedagoge të Universitetit Europian të Tiranës, Rajmonda Ballkoçi dhe Anisa Hoxha kanë fituar specializimin në Mjekësi.

E ndërsa situata e krijuar nuk i ka trembur aspak, përkundrazi i ka bërë akoma më të përgjegjshme dhe humane.

Të dyja kanë studiuar Mjekësi të Përgjithshme dhe të dyja janë fituese të specializimit, i cili do të zgjasë 4 vjet, por ajo që i bashkon akoma më tepër është se janë pjesë e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike në UET.

Raimonda Ballkoçi: Po finalizoj formimin profesional

Rajmonda jep lëndën e Anatomisë në vitin e parë në Universitetin Europian të Tiranës, ndërsa fusha e specializimit të saj, i cili do të kryhet në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, do të jetë “Radiologjia”.

“Normalisht radiologjia (imazheria) ka lidhje të ngushtë me Anatominë dhe ka nevojë për njohjen e plotë të anatomisë normale sepse lidhet direkt edhe me anatominë normale imazherike”, shprehet pedagogia Rajmonda Ballkoçi.

E kujtdo mund t’i vinte në mendje pyetja se “pse ajo ka zgjedhur Radiologjinë dhe jo një fushë tjetër të mjekësisë?”.

Ndërsa përgjigja që ajo jep është e shumëpritshme dhe shumë humane njëkohësisht si dhe vetë qëllimi kryesor i të qenit mjeke. Rajmonda thotë se metodat imazherike japin ndihmë në diagnostifikimin e shumë sëmundjeve dhe se në këtë mënyrë mund të ndihmosh shumë pacientë edhe pa qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me ta.

“Në ditët e sotme metodat imazherike japin ndihmë të paçmuar në drejtim të diagnozës së shumë sëmundjeve, madje janë ekzaminimet kryesore për vendosje përfundimtare të diagnozës. Duke qenë pjesë e këtij specialiteti mund të ndihmosh shumë pacientë edhe pse nuk ke kontakt të drejtpërdrejtë me ta”, thotë mjekja.

Kurse sfida më e madhe e momentit është përballja me Covid-19, por kjo nuk e mposht Rajmondën, e cila shprehet se përkundrazi kjo është një shtysë për më të ecur më tutje.

“Në kohën kur bota ndodhet në situatën e Covid-19 janë të shumta sfidat në fushën e shëndetësisë, por jo vetëm. Sigurisht që sfida aktuale nuk i bën mjekët apo profesionistët e tjerë të shëndetit që të dyshojnë në misionin e tyre përkundrazi është një shtysë me tutje për të ndihmuar çdo pacient që ka nevojë për ndihmë mjekësore.”, thotë ajo me vendosmëri për ta çuar përpara misionin e saj.

Sa i përket fitimit të specializimit në vetvete, mjekja e quan finalizim i formimit profesional. Ajo shprehet se synimi i çdo mjeku të ri që pasi kalon pak kohë në krye të detyrës është ky, edhe pse nuk lë pa përmendur as eksperiencën e bukur të mësimdhënies në Universitetin Europian të Tiranës.

“Mësimdhënia është një përvojë e re dhe e veçantë për mua sidomos në ambientet e UET-it përkrah një stafi profesional dhe me eksperiencë. Megjithatë profesioni i mjekut ka rëndësinë dhe vendin e tij të veçantë dhe rrugëtimi im sapo ka filluar në këtë fushë”, thotë Rajmonda.

Anisa Hoxha: Qëllimi im, përmirësimi dhe shpëtimi i jetës

Një tjetër mjeke e cila ka fituar specializimin 4-vjeçar në QSUT është pedagogia e UET-së Anisa Hoxha.

"Pasi mora licecën jam punësuar si pedagoge falë rezultateve të larta gjatë viteve shkollore", thotë Anisa e cila në UET jep disa lëndë, si; Sëmundje Infektive, Menaxhim Shëndetësor, Anatomi dhe Biopsikologji.

Ndërsa specializimin ka vendosur ta bëjë pranë Spitalit Francez për Okulistikë.

“Specialiteti që kam zgjedhur është Okulistika. Qëllimi im nuk është vetëm shpëtimi i jetës, por edhe përmirësimi i cilësisë së saj, pasi gama e gravitetit të sëmundjeve me të cilat mund të takohemi është e pamatshme”, shprehet pedagogia e UET.

Ashtu si për çdo mjek edhe për Anisën nuk është e lehtë përballja me Covid-19. Ajo shprehet se përballja me të panjohurat e sëmundjeve dhe pamundësia për të shmangur fundin e padëshiruar të vendos në dilema lidhur me profesionin. E megjithatë mjekja nuk ka ndërmend të heqë dorë!

“Në këto kohë të pandemisë Covid-19 patjetër që përballja me të panjohurat e sëmundjeve dhe pamundësia për të shmangur fundin e padëshiruar të vendos në dilema lidhur me profesionin. Megjithatë, në asnjë moment nuk kam dashur të heq dorë nga profesioni. Madje kjo me ka shtyrë akoma me tepër për t’u drejtuar sa më pareë pranë pacientëve. Humanizëm? Sigurisht, por jo vetëm.”, thotë mjekja.

Anisa si duket e ka pasion mësimëdhënien pasi përveç angazhimeve të tjera, ajo do të vazhdojë të jetë pjesë e UET.

“Specializimi zgjat 4 vite dhe dëshira ime është që të vazhdoj ndërkohë edhe mësimdhënien në UET. Mësimdhënia është totalisht dicka tjetër, do kisha dëshirë t’i ushtroj dhe të zhvillohem në të dyja fushat. Të jesh pranë studentit dhe të mendosh që po kontribuon dhe ndihmon dikë në profesionin e ardhshëm të fushës së mjekesisë është kënaqësi e veçantë.”, shprehet pedagogia.

Në 22 qershor të këtij viti u zhvillua konkursi për specializimet në Mjekësi, ku rreth 300 mjekë morën pjesë në bazë të mesatares së tyre, ndërsa 70% e provimit në formë kuici ishte ajo që vendoi përfundimisht se kush do të fitonte.

E sigurisht mes më të mirëve u përzgjodh edhe Rajmonda me Anisën! /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH