Aktualitet

Dy kryeministra të majtë, çfarë i ndan Ramën e Kurtin (dhe e djathta "përballë" tyre)  

Shkruar nga Liberale
Dy kryeministra të majtë, çfarë i ndan Ramën e Kurtin

Aranit Muraçi

Dy kryeministrat e majtë shqiptarë ishin mes udhëheqësve socialistë të Europës, të cilët u bashkuan në Berlin këtë të premte, në samitin dy-ditor të Partive Socialiste Europiane. Interesant është fakti se pavarësisht kundërshtive dhe ndasive, Albin Kurti dhe Edi Rama, udhëheqësit e dy partive të majta të Prishtinës dhe Tiranës që ata drejtojnë, janë bërë sot bashkë si pjesë e së njëjtës së majtë, asaj të qendrës Europiane.

Kur dy parti të majta të së njëjtës ideologji politike ndajnë pushtetin në të dy shtetet e një kombi vëllazëror, atëherë pse duhet që të ekzistojnë kundërshti dhe ndasi mes Albin Kurtit dhe Edi Ramës, në vend të një bashkëpunimi më të frytshëm mes tyre? Ambicia e Ramës dhe Kurtit për të fuqizuar rolin e liderit, sidomos ajo e kryetarit të PS-së, në trevat shqipfolëse dhe më gjerë në rajon, ka bërë që dy kryeministrat, duke mos parë rrezik për të humbur pushtetin që kanë, të shfaqin hapur kontradikta mes njëri-tjetrit gjatë viteve të fundit. Dhe kjo ambicie besohet se do t’i shoqërojë kontradiktat mes tyre, për aq kohë sa ata do të jenë në pushtet.

Sidoqoftë, ajo që del në pah për momentin është roli më i dobët i së djathtës shqiptare, në të dyja kryeqytetet shqiptare. E djathta jo vetëm që nuk është sot është në pushtet, as në Tiranë dhe as në Prishtinë, por ajo dukshëm është më e përçarë, më pak e paorganizuar, si dhe për shkak të mos-qartësive të saj ideologjike, nuk po e gjen dot as pozicionin e saj që duhet të ketë mes partive të djathta të qendrës evropiane, të cilat nga ana e tyre po vuajnë deri diku të njëjtin problem. Ndaj edhe sfida e së djathtës shqiptare për t’u rikthyer në pushtet është mision, që kërkon së pari një reflektim akoma më të thellë dhe një riorganizim akoma edhe më rrënjësor.

Nga ana tjetër pavarësisht ndasive të dy partive të majta që drejtojnë politikën e Tiranës dhe të Prishtinës, Rama dhe Kurti, duke qenë se e kanë pushtetin, janë kujdesur që të jenë edhe sa më të besueshëm te komuniteti ndërkombëtar, ose të paktën te grupimi politik i së majtës që ata përfaqësojnë, duke u dhënë atyre një avantazh edhe më konkurrues dhe duke i bërë më të suksesshëm karshi së djathtës shqiptare, të paktën për momentin.

Si krahasim, partitë e qendrës së majtë janë 13 nga 27 që udhëheqin aktualisht qeveritë në BE dhe që marrin pjesë në Kongres, pra më pak se gjysma, duke përfshirë mes tyre koalicionin trepalësh të Gjermanisë nën kancelarin socialdemokrat Olaf Scholz, i cili të shtunën do të mbajë edhe fjalimin kryesor në Kongres.

Gjithsesi ndryshe nga e djathta evropiane, e cila në disa vende po rivalizohet nga ekstremi i djathtë, e majta europiane shihen më e konsoliduar në këtë drejtim, çka i bën gjithashtu edhe më komodë udhëheqësit e dy partive të majta në Tiranë dhe Prishtinë, që të gëzojnë pushtetin, pa parë kërcënime serioze nga rivalët e tyre politikë (të paktën gjatë viteve të fundit).

Socialistët Evropianë besojnë se duke qenë më të bashkuar dhe solidarë ata mund të jenë edhe më të suksesshëm mbi sfidat dhe politikën e jashtme të BE-së.  Gjithashtu ata pritet të zgjedhin edhe strukturat e reja drejtuese. Ish-kryeministri suedez Stefan Löfven do të marrë rolin e Presidentit të ri të Partisë Socialiste Evropiane (PES), si i vetmi kandidat në garë. Udhëheqësi i mëparshëm, Sergej Stanishev, muajin e kaluar njoftoi se nuk do të kandidojë për një mandat të katërt.

Nëse Rama dhe Kurti kanë sot pushtetin, dhe pavarësisht ndasive apo kontradiktave, si dhe rezultateve në qeverisje, ata e kanë gjetur mjaft mirë veten edhe tek e majta Europiane, ndaj është sfidë e së djathtës shqiptare, që të gjejë më mirë veten qoftë në rivalitetin e saj me të majtën që qeveris aktualisht në Tiranë dhe Prishtinë, ashtu edhe në raport me partitë e saj simotra të Perëndimit.

/Liberale.al/    

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH