Kryesore

Dy javët e fundit, o tani o kurrë

               Publikuar në : 22:00 - 10/04/21 liberale

Bjorn Kamberi

Rrugëtimi i një fushate ashtu siç rrjedha e një lumi, ndonjëherë e kanë të nevojshme ndërkalljen e ndonjë risie, veçantie a lajmi që e galvanizon momentumin politik ashtu siç uji e ka të nevojshme digën, për të prodhuar energji. E sidomos në rastin e opozitave, një qasje që përfshin gurë-kilometrikë të vendosur me elegancë mes rrugëtimit normal të fushatës, është e domosdoshme në dobi të rotacionit, duke patur parasysh se një fushatë monotone në princip i konvenjon një pushteti në kërkim të vazhdimësisë. Kësisoj edhe pse saga e këtyre analizave të përditshme e ka çmuar makro-programin e normalitetit si një gjetje të fushatës së Bashës, integrimi i një qasjeje novatore do e komplimentonte këtë strategji, kjo edhe për arsye pragmatiste e të lidhura me mekanizmin e ndikimit politik të retorikës së palëve veçanërisht tek të pavendosurt e specifikisht në dy javët e fundit të fushatës. Në këtë prizëm kjo analizë shqyrton mundësitë që opozita disponon për ti dhënë një amballazh rishtar programit tashmë të njohur të sajin, si edhe vlefshmërinë e kësaj taktike në dy javët e fundit përpara ditës së gjykimit më 25 Prill.

Së pari, adoptimi i një qasjeje dinamike që në fillim të javës së tretë të fushatës do e kompletonte rrugëtimin e deri më tanishëm duke i shtuar retorikës së ethosit, pathosin e nevojshëm. Hapsirat diverse të mundësive teknologjike, krijmtarisë dhe aktivizmit rinor mund të shërbenin si tharm për këtë ta ndërlidhur pathosin me inovacionin si vegël komunikimi dhe zeje politike. Ky pathos është i nevojshëm për ta energjizuar bazën militante por edhe për ta integruar në frymë shkulmën e madhe të opozitarëve pasive me alternativën e PD-së. Këta opozitarë edhe pse të bindur për nevojën e rotacionit, ende nuk janë të ndërgjegjësuar për domosdoshmërinë e kontributit të tyre në realizim të tijin. Për këtë masë të madhe, retorika e Bashës është parë si deklamim i të vërtetave të ditura, që bashkëndahen prej tyre si mendues dhe PD-së si milituese, por shpesh, kufizimi i aksionit politik në thjesht retorikë, e bren qëndrushmërinë e fillit që i lidh opozitarët si votues dhe veprimit të tyre konkret në ditën e zgjedhjeve. Në mënyrë që kjo të mos ndodhë, fushata e PD-së përgjatë këtij dy javori të mbramë duhet që me anë të mekanizmave inovative ti ngrejë shpirtrat e tyre pezull, ti mbruajë ata me padurim për ndryshim, si edhe ta kthejë sipërmajrrjen e rotacionit më 25 Prill, në ndërmarrje të përbashkët.

Së dyti, me vlerë është të përmendet se përfshirja e elementeve novatore, thyerjeve dhe ndryshimit të tonalitetit të retorikës do qe me vlerë edhe për të shtuar ekon e mesazhit të PD-së në dhomën e madhe të të pavendosurve. Ashtu siç eshtë në përgjegjësinë e këngëtarit ta mbruajë mes publikut vullnetin për kërcim, e që shpesh arrihet nëpërmjet kapërcimeve elegante nga partitura, opozita duhet të dalë mbi denoncimin e qeverisë dhe premtimet programatike për ti bindur të pavendosurit jo vetëm se vota për ta është më e vlerë se për Ramën por është edhe më kuptimore se mosvotimi. Në një shoqëri ku si rregull retorika politike e ka lodhur publikun, duke përfaqsuar kështu një nga kontributorët kryesorë që incentivojnë votuesin mesatar të identifikohet si i pavendosur në të gjithë rastet dhe mos votues ne shumicën prej tyre. Andaj, në rast se qëllimi për maksimizim të votave është vital për rotacionin, i lind si detyrë opozitës ti qaset të pavendosurve me një sinergji kreative të modifikuar rishtazi për ta. E kjo fillon më së pari nga përfshirja e elementëve komunikativë që për të pavednosurit bartin vlerë, e që në përgjithësi janë të ndryshëm prej retorikës klasike që u flet mbështetësve e militantëve. Në rast se Basha synon të jetë kryeministri i ardhshëm, ai duhet medoemos të mbështetet nga të paktën gjysma e shqiptarëve, e më shumë se gjysmën e kësaj gjysme, ai do duhet ta bindë në këto katërmbëdhjetë ditë, nëse është nevoja, edhe duke e kapërcyer vetveten.

Së treti, mbajtja e diskurit politik brenda pareteve të normalitetit po aq sa shkon në linjë me programin e Bashës, mund të ndikojë në orientimin e njerëzisë kah optikës së qeverisë, që i sheh këto zgjedhje si etapën e rradhës në përmbushjen e vizionit të një kryeministri të pakufizueshëm prej mandateve dhe kohës politike. Dhe ky është një rrezik real sa kohë që kryeministri e sheh vazhdimësinë si pjesën integrale të gjellës që si guzhinjer i sprovuar do tja gatisë shqiptarëve me rastin e zgjedhjeve, shoqëruar me do garnitura klishe, romuzesh, premtimesh, rrëfimesh, skandalesh dhe hilaritetesh të rastit. Përballë tij Basha duhet ti shfrytëzojë dy javët e ardhshme për të arritur dy objektiva të rëndësishëm e të mbivendosur. Bindjen e shqiptarëve se normaliteti do e pasojë fushatën e tij optimiste e do jetë gjella kryesore e banketit të rotacionit, si edhe shoqërimin e saj me meze të veçanta e të papritura, kësisoj që populli të ndihet jo vetëm i ngrënë por edhe i uritur për më shumë gatime prej këtij kandidati për kryeguzhinjer. E ashtu siç në gatim ndonjëherë praktika e kërkon tejkalimin e ligjësive të kulinarisë në avitje për të përsosurën e të veçantën shije, në fushatë opozita duhet medoemos ti tejkalojë standartet politike duke krijuar besimin se rotacioni është jo vetëm i mundshëm, i afërt, por edhe i veçantë, I shijshëm, kreativ, i pangjashëm, gatuar në guzhinën tradicionale të PD-së prej masterchefit modern Basha.

Në këtë prizëm duhet kuptuar se teoria e strategjive politike e sygjeron alternimin prej altos ne basso, e në rast se fushata e opozitës e ka themelin në basin e premtimeve të realizueshme dhe një realiteti normal politik, është në përgjegjësinë e Bashës që si solist ti rrokë këto tone të larta, e të mos tutet prej a capellas. Edhe pse diç e rrezikon uniformitetin e gjithë pjesës kjo është e vetmja mënyrë për të shtangur e impresionuar publikun që meç duket është I gatshëm të ndjekë një opera të tërë, me zellin për ta parë tenorin të stonojë në notat e larta. Pikërisht këtë veçanti Basha do duhet ta synojë, pavarësisht rekordit të tij të diskutueshëm me ngritjen e zërit mes kënge, në mënyrë që ti surprizojë shqiptarët mjaftueshëm për ti bindur që ta konsidërojnë, e ti kuriozojë mjaftueshëm, që të vendosin ta provojnë. Në të kundërt, kuturitjet në ligatinat e zakontisë do e mpakin momentimun opozitar të fushatës. E në këtë rast çdo gjë do na dukej e zakontë dhe e rëndomtë, retorika, politika, Rama e Basha, fushata, dhe humbja e rradhës së një opozite në tentativë për rotacion. /Gazeta Liberale


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back