Editorial

Dy fytyrat e Kryetarit: Si Rama brenda PD, si Basha përballë Ramës!

Shkruar nga Liberale
Dy fytyrat e Kryetarit: Si Rama brenda PD, si Basha përballë

Shpendi Gashi

Kryefjala politike e çdo dite, së paku deri më 13 qershor, do të vazhdojë të jetë gara për kreun e Partisë Demokratike. Një garë kjo në qendër të vëmendjes publike, pasi vjen fill pas humbjes së disatë, në seri, të kësaj force politike ndaj PS-së. Tanimë, në kampin e djathtë është formësuar dukshëm nevoja e një transformimi të brendshëm gjithëpërfshirës.

Ndryshe nga rivalët politikë, të cilët ç’nuk bënë për të justifikuar juridikisht në Statutin e PS-së mbretërimin e Mbretit Diell, kryeministrit Edi Rama, në PD kemi akoma “luksin’’ për të parë një garë, qoftë edhe një formë të zbehtë aplikimi të saj. Socialistët justifikohen mes tyre se e kanë të sanksionuar vazhdimësinë e mandatit të kreut, për aq kohë sa fiton betejat politike dhe deri më tash, për hir të së vërtetës, nuk kanë njohur humbje.

Duke parë trendin e transformimit të partive politike “të infektuara” nga kryetarokracia, mund të thuhet se Kryetari në detyrë Lulzim Basha, nuk e zotëron aspak fuqinë për ta “vrarë” garën si homologu i tij rilindas, për arsyen e thjeshtë se nuk është fitues. Ndonëse, natyrshëm, dëshira s’ka se si t’i mungojë, dhe kjo shihet qartë në veprimtarinë e tij personale post-elektorale.

Basha gjen një mënyrë tjetër për ta plagosur garën. E aplikon në kushte të pabarabarta dhe me një sërë makinacionesh të tjera që i ndihmojnë qëllimit përfundimtar, mbajtjes si peng lufte të PD-së.

Një politikan i cili ndër zotimet e tij kishte kufizimin në vetëm dy mandate të Kreut të Ekzekutivit, vetëm disa javë pas humbjes plebishitare, kandidon për mandatin e tretë në krye të partisë. Problemi nuk është tek rikandidimi, sepse në fund të fundit çdo person e ka të drejtën për të garuar, por tek standardet e shumta të garimit.

Basha, mesa duket, edhe pse i dërrmuar nga shuplakat politike që i jep Rama në çdo përballje elektorale, thellë brenda vetes do ketë filluar ta idhullizojë metodikën e përdorur nga kryesocialisti, aq shumë sa tani po e përdor edhe vetë. Ndoshta pas 8 vitesh në opozitë dhe 4 vite të tjerë për t’i jetuar pas 25 Prillit, tanimë ka një manual të gatshëm sesi mund të fitohet. Brenda partisë kuptohet, sepse, ndoshta duhen disa legjislatura leksione për të mësuar sesi fitohet në shkallë kombëtare.

Kryedemokrati në detyrë duket sikur ka marrë fytyrën e Kryeminstrit në përballjen brenda partisë.

Së pari, dy-standardësia fillon me faktin se, fillimisht duhej të jepte dorëheqjen nga karrigia e kryetarit dhe të futej në garë si një anëtar i thjeshtë përballë kandidatëve të tjerë. Nëse është i bindur në forcën e figurës së tij, atëherë përdorimi i mjeteve të tilla nuk gjen arsye. Garat e humbura njëra pas tjetrës duken se kanë formësuar një traumë e cila konkludon në krijimin e mekanizmave mbrojtës. Në sagën e humbjeve, po bën çmos për të shmangur edhe humbjen e partisë. Karrigia e kryetarit i mundëson struktura të bindura, mjaftueshëm sa të jetë në përparësi.

Së dyti, përjashtimi i kandidatit Ibsen Elezi, me truke burokratiko-juridike, thjesht i jehon pabarazisë së garës. Personi që vetëm para pak javësh i drejtohej çdo qytetari të Republikës me konceptin e lirisë dhe ndryshimit, literalisht, i mbylli derën një kandidati që ka vite kontribute në parti, më shumë se gjysma e jetës politike të vetë Bashës. Kundër kandidatëve të tjerë ka qasje totalisht indiferente, por njëjtë si sistemi i patronazhimit, të cilin javë më parë e anatemonte, ka ngritur struktura për të anatemuar figurat e kandidatëve rivalë. Personalisht dhe publikisht nuk artikulon asgjë, porse në prapaskenë është dirigjenti i akuzave ndaj kandidatit Agron Shehaj, rivalit më të rrezikshëm për postin e kryetarit, duke inskenuar skandale e shumëçka tjetër. Të gjitha në kuadrin e prishjes së imazhit.

Së treti, po përdor taktikën aq shumë të elaboruar nga Rama, ‘’përça dhe sundo’’, duke i anatemuar si tradhëtarë dhe jo si demokratë të vërtetë ata që e kundërshtojnë. Përpara humbjes, e cila tani pritet vetëm të çertifikohet, ajo çka mund të përdoret në favor, është ideja se të tre kandidatët rivalë nuk janë kundër Rilindjes. Ajo që nënkuptohet nga retorika e Bashës është se rivalët po përfitojnë nga kriza për të marrë drejtimin e partisë. E gjitha në kuadrin e egos apo edhe kundërshtimeve personale mes tyre.

Pak alogjike në raport me njeriun që publikisht artikulon përbashkimin, por që, ndër të gjithë demokratët, ka kontributin më të spikatur për tkurrjen e PD-së së sotme. Ndoshta e kupton që me rikonfirmimin e tij në postin e kryetarit, Partisë Demokratike do t’i mbesë vetëm emri.

Së katërti, ftesa për përballje publike në formën e një debati publik, nga të tre kandidatët po sfumohet me indiferentizëm maksimal. Le të kujtojmë se gjatë periudhës së fushatës, Lulzim Basha artikulonte furishëm dhe me një supremaci (burimi i së cilës nuk dihet), debatin publik me Edi Ramën. Rama as nuk iu përgjigj ftesës, por reagoi me anë të talljeve dhe diskretitimit.

Tani, vetëm disa javë më vonë, situata po përsëritet. Aktorët janë të ndryshëm, përmbajtja është e njëjtë. Debat publik nuk ka.

Natyrshëm lind pyetja: Nëse Lulzim Basha ka frikë të përballet me Fatbardh Kadillin, Edith Harxhin apo edhe me Agron Shehaj, çfarë e bënte të mendonte se do ishte i suksesshëm me një kafshë politike si Rama?

Përgjigjen e kësaj pyetjeje mund ta japë vetëm zoti Basha.

Nëse përballë të vetëve shfaqet si lojtar i peshave të rënda, përballë rivalit kundërshtar vazhdon të vuajë nga komplekset e shumta. Përdor të njëjtën retorikë, e cila tanimë nuk ngre në këmbë as demokratin tifoz të flaktë, e jo më të mobilizojë masën.

Njëjtë si pas çdo disfate të mëparshme, akuzat bien mbi fituesin. Vazhdon retorika akute me akuzat e njëjta, të cilat konkludojnë në etiketimin e socialistëve si hajdutë dhe masakrues të vullnetit të sovranit. Këtu fillon dhe mbaron e gjithë retorika politike e kryetarit. Partia Socialiste është shumë larg të qënurit e kulluar, por në politikën reale dhe, natyrisht në atë pa moral, ashtu sikurse është, fituesi nuk gjykohet.

Në raport me Ramën, viktimizimi ka marrë trajtën e një kartë politike që mesa duket i shërben vetëm garës brenda partisë, dhe jo asaj jashtë saj.

Por çfarë paraqet ky viktimizim përballë qytetarëve?

Si fillim, kjo lloj qasjeje politike pamundëson analizën e detajuar të arsyeve që çuan në humbjen e radhës. Pa një analizë të qartë dhe të detajuar, nuk mundet të dalin në pah të metat dhe gabimet. Pa këtë analizë, rrezikon të përsëritet i njëjti rezultat në zgjedhjet e ardhshme. U rrëzua miti i rrotacionit vetëm për hir të rrotacionit. Ndoshta, kjo ishte shpresa e lidershipit të PD-së. Ëndërr e shkërmoqur në vazhdimësi.

Në radhë të dytë, e vendos vetë zotin Basha përballë gjykimit si një politikan të paaftë, i cili në çdo zgjedhje, pasi humbet, ankohet se është vjedhur. Për më tepër që nuk ndërmerr asnjë masë për ta ndaluar krimin elektoral, prezent që prej 1944-ës. Nëse një lider është kaq lehtësisht i cënueshëm, çfarë garancie pritet të japë në krye të vendit? Vota nuk është vjedhur. Të paktën, kështu po e tregojnë kutitë e hapura deri më tash. Rezultati nuk pritet të ndryshojë. Mund të thuhet se vota është blerë e shitur. Këtë, nuk ka gjykatë që ta vërtetojë. Siç duket, qytetarët kanë analizuar me plane afatshkurtër, duke zgjedhur paranë momentale përpara kartës politike. Nëse detyra e Partisë Socialiste ishte të mbante pushtetin me çdo mënyrë, detyra e Kreut të PD-së ishte të krijonte shpresën se paraja momentale nuk është zgjidhje. Për aq kohë sa rezultati dihet, vërteton prerë se Lulzim Basha nuk gëzon kredibilitet dhe, rrjedhimisht, po mban PS-në në pushtet.

Së fundmi, nëse i referohemi historisë, ka precedentë që dëshmojnë se, jo gjithmonë të mëdhenjtë fitojnë ndaj të vegjëlve. Aleksandri i Madh kishte një ushtri 5 herë më të vogël se Darius i Persisë, por kjo nuk e pengoi të fitonte bindshëm. As nuk u ankua dhe as nuk bëri kërkesë që kundërshtari ta mëshironte, por i dha jetë një taktike e cila rezultoi të ishte shpartalluese për persët. Është edhe përballja e famshme e Davidit me Goliatin. As në këtë rast pesha dhe forca nuk ishin të njëjta, por gjenialiteti i njohjes së taktikave luftarake, duke sulmuar pikën e dobët të kundërshtarit. 1 gur fitoi mbi shpatën dhe parzmoren e madhe të gjigandit.

Këta shembuj, mes shumë të tjerëve, vërtetojnë se gjithmonë ka shanse për fitore, por fitorja nuk vjen me magji, pa një plan të mirëmenduar. Zoti Lulzim Basha ka zgjedhur taktikën e të mos ndërtuarit strategji, duke shpresuar tek konsumimi i kundërshtarit.

Koha është kundër tij.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH