Art - Kulture

Durrës/ Zbulimi arkeologjik u “gërrye” me ekskavator gjatë karantinës

               Publikuar në : 19:09 - 11/08/20 liberale

Më 4 shkurt 2020, teksa po punohej në një “nyje komanduese” në rrjetin e shpërndarjes së ujit të pijshëm pranë Prefekturës në Durrës, dolën në dritë disa rrënoja – që sipas arkeologëve i përkasin së paku periudhës së Antikitetit të Vonë, rreth shekullit V të Erës Sonë dhe mund të shkojnë deri në prehistorinë e qytetit.

“Aty ne kemi edhe gjurmët e para të prehistorisë së Durrësit brenda territorit të qytetit,” thotë arkeologu Fatos Tartari, i cili ka gërmuar në të njëjtën zonë disa dekada më parë, gjatë hapjes së themeleve për ngritjen e godinës së ish-Komitetit të Partisë përpara viteve’ 90.

“I përkasin periudhës para shekullit VII Para Erës Sonë dhe lidhen me gjurmët ilire. U gjet ‘qeramika devollite’, një nga qeramikat më të bukura ilire,” shtoi Tartari.

Një ditë më pas, arkeologët e Drejtorisë së Shërbimit Arkeologjik konstatuan pranë gropës së hapur nga Ujësjellësi, gjurmët e një strukture murature antike, ndërtuar me një bllok guri dhe disa rreshta tullash horizontale mbi të, të gjitha të lidhura me llaç.

Edhe pse në zonën arkeologjike A të qytetit, punimet në rrjetin e ujit të pijshëm u bënë pa miratimin dhe monitorimin e Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM), duke vënë në rrezik dëmtimin e shtresave arkeologjike dhe memories së paçmuar historike që ato mbartin.

KKTKM në vendimin e marrë më 19 shkurt i kërkoi Ujësjellës Kanalizime Durrës (UKD), që të sigurojë kantierin dhe gjetjet “in situ”, siç janë, por BIRN zbuloi se gjatë periudhës së ndalimit të qarkullimit për shkak të COVID-19, gjetjet arkeologjike u mbuluan me inerte.

Kjo nuk është hera e parë kur ndërmarrje publike apo sipërmarrje private kryejnë punime gërmimi në qytetin e Durrësit, pa leje nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ose pa monitorim dhe mbikëqyrje nga Drejtoria e Shërbimit Arkeologjik.

Të dhënat e mbledhura nga BIRN tregojnë se në mungesë të vigjilencës institucionale, të paktën dy raste të ngjashme u regjistruan në qytetin bregdetar gjatë periudhës së emergjencës shëndetësore të shkaktuar nga COVID-19, duke ngritur kambana alarmi për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

E pyetur nga BIRN, ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve në Durrës u justifikua se investimi në nyjën komanduese po kryhej nga një projekt i Bankës Botërore dhe nuk zbatohej prej tij.

“Ujësjellës Kanalizime Durrës është vetëm përfitues i këtij investimi, jo zbatues i tij,” deklaroi UKD.

Ndërkohë, Projekti i Investimeve në Sektorin e Ujit i tha BIRN se mbulimi me inerte i sitit arkeologjik të zbuluar gjatë punimeve ishte monitoruar nga ekspertët.

“Realizimi i mbulimit të këtyre strukturave u ndoq nga ekspertë të Qendrës Muzeore Durrës, si edhe nga përfaqësuesit e Shoqërisë së Licencuar në Arkeologji,” thanë përfaqësues të projektit në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike.

Ndërtimi pa leje arkeologjike

Kreshta e kodrës e rrafshuar në një sipërfaqe prej 2775 metër katror, në maj të vitit 2020. Foto: Geri Emiri

Kodra e Currilave është një ndër zonat më piktoreske në qytetin e Durrësit. Pak metra nga Vila e mbretit Zogu I – pranë farit ndriçues të anijeve ndodhen shtresa të dokumentuara arkeologjike, që datojnë prej periudhës arkaike (shek. VIII – VI Para Erës Sonë).

Megjithatë, në fund të muajit mars mbi këtë kodër nisi me vrull një projekt që rrafshoi një pjesë të kreshtës së saj dhe synon ndërtimin e një rezidence banimi prej 40 vilash të stilit neoklasik. Projekti u bazua në një leje ndërtimi të vitit 2010 për 3 godina, rifreskuar pas 10-vitesh me shtyrje të afatit të lejes dhe transformuar për ndërtimin e vilave nga kompania “Braka Construksion”.

Punimet që nisën gjatë kulmit të kufizimeve të pandemisë – kur territori kontrollohej nga Policia e Shtetit dhe ushtria, nuk kishin leje arkeologjike edhe pse ishin brenda Zonës Arkeologjike B.

Zonat arkeologjike, në varësi të intensitetit dhe rëndësisë së gjetjeve arkeologjike, kategorizohen në zona “A” dhe zona “B”. Në zonat arkeologjike “A” është e ndaluar çdo lloj ndërhyrjeje me karakter ndërtimor, ndërsa në zonat arkeologjike “B” lejohen ndërtimet e reja në rastet e përcaktuara në rregulloren e administrimit të këtyre zonave, pas miratimit nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale.

Në një shkresë që Qendra Muzeore Durrës (QMD) i drejton Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë Durrës më 10 prill, theksohet se projektit i mungonte leja arkeologjike.

“Ju lutem merrni masa për bllokimin e këtyre punimeve, pasi nuk është marrë leje në Ministrinë e Kulturës,” shkruhet në shkresën drejtuar IMT-së.

Zona e punimeve gjendet pranë Kodrës së Dautes dhe asaj të Kokomanëve, prej të cilave janë zbuluar disa tonelata me qeramikë dhe sanktuari i Artemisës.

“Gjurmët më të hershme pra janë të periudhës arkaike, përfaqësuar nga qeramika korintike, e shekullit VII Para Erës Sonë, që me themelimin e Durrësit,” shpjegoi arkeologu Fatos Tartari.

BIRN konstatoi se aktualisht në terren punimet janë ndërprerë, ndërsa kantieri është rrethuar dhe kanë nisur veprimet për ndjekjen e procedurave që synojnë njohjen me potencialin arkeologjik të zonës.

Kompania “Braka Construction” nuk ju përgjigj një kërkese për koment nëpërmjet email-it.

Megjithatë, për këtë projekt koncepti i sondazheve arkeologjike është depozituar në Këshillin e Arkeologjisë nga arkeologu i licencuar Skënder Muçaj – veprim që sipas ligjit duhej ndërmarrë nga kompania përpara se të gërmonte për gati 3 javë gjatë pandemisë.

BIRN mësoi se Drejtoria e Policisë Durrës është njoftuar për rastin përmes një shkrese zyrtare që më datë 31 mars. Policia nuk preferoi të komentonte mbi rastin në fjalë.

Rrënojat u gërryen me ekskavator

Më 19 mars, në lagjen numër 6 të qytetit të Durrësit nisën zyrtarisht punimet për ndërtimin e një pallati 6-katësh, me 1 kat nëntokë. Teksa në rrugë lëviznin vetëm ato pak automjete që kishin autorizim të veçantë nga Policia, ekskavatorët dhe kamionët e rëndë vijuan punën për gërmimin e gropës mbi të cilën do të ngriheshin themelet.

Godina që po ndërtohet nga kompania “Kristi Konstruksion 2003” sh.p.k, mori “dritën jeshile” për vijimin e punimeve më datë 7 qershor 2019, me kushtin që punimet të monitoroheshin nga një arkeolog privat i licencuar.

Sipas vendimit të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, që merr vendimet për projektet, punimet e kompanisë mbikëqyren nga arkeologu privat dhe ai mbikëqyret nga Drejtoria e Shërbimit Arkeologjik (DSHA).

Kompania punësoi arkeologun Luan Përzhita – Drejtor i Institutit të Arkeologjisë së Shqipërisë dhe njëherazi subjekti i licencuar për monitorimin e punimeve në zonat me intensitet arkeologjik.

Nisur nga dëshmitë e banorëve se në themelet e pallatit që po gërmohej ishin parë mbetje arkeologjike, BIRN monitori punimet për 6 ditë mes datave 19 deri në 25 mars, në të cilat u fotografuan mbetje në themelet e gërmuara të pallatit.

Nga fotot duket qartë prezenca e një shtrese intensive arkeologjike, me gjasa e periudhës së Antikitetit të Vonë, kjo për nga ngjyra e dheut dhe materialet e ndërtimit që dallohen në dy fotot e fundit,” komentoi arkeologu Neritan Ceka për strukturën e fotografuar në themelet e pallatit.

Sipas Cekës, Zona Arkeologjike B parashikon që të ketë monitorim arkeologjik gjatë gërmimit me mjete, por duke i ndjekur ato në çdo minutë, gjë që duket se nuk ka ndodhur në këtë rast.

“Si rrjedhim kemi të bëjmë me një shkelje flagrante, që mendoj se duhet ndjekur nga prokuroria,” shtoi ai.

Punimet sipas raporteve të monitorimit ditor të përpiluara nga arkeologu Përzhita nisën, më 19 mars dhe u monitoruan për 7 ditë, por banorët e zonës i thanë BIRN se ato patën nisur dy ditë më herët – më 17 mars.

“Punimet kanë nisur më datë 17 mars, ka qenë ditë e martë. Fillimisht aty ishin vetëm punëtorët e kompanisë, të cilët nisën punën me ekskavator,” i tha BIRN një banor i zonës që zgjodhi të mos identifikohej për shkak të njohjeve me pronarët e truallit, të cilët i ka komshinj. “Unë jam interesuar dhe kam parë se arkeologë ishin dy djem, të cilët u paraqitën më datë 19 mars,” shtoi ai.

Për shkak të masave të izolimit të ndërmarra nga qeveria për shkak të COVID-19, DSHA e kishte të pamundur të monitoronte punën e Përzhitës për shkak se punonjësit e saj po punonin në distancë nga shtëpia. Referuar edhe kufizimit të lëvizjes nga njëri qytet në tjetrin, institucionet e kulturës e kishin të pamundur të kontrollonin subjektin privat gjatë gërmimit për ndërtimin e ri.

Sipas Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, specialistët e DSHA-së për herë të fundit në këtë shesh ndërtimi kanë qenë më datë 21 maj 2019, duke dëshmuar për mungesën e kontrollit të gërmimeve gjatë pandemisë.

Përveç mungesës së kontrollit fizik në terren, arkeologu Neritan Ceka tregon se edhe Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM), e kishte të pamundur të mblidhej në rast zbulimi arkeologjik rastësor.

“Edhe për faktin e thjeshtë që Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore nuk mund të mblidhet në këtë situatë, punimet në Zonën Arkeologjike B nuk duhej të kishin filluar,” tha Ceka.

Një banor i zonës i vuri në dispozicion BIRN një skicë se si kishte avancuar gërmimi dhe se si shtresat arkeologjike ishin shkatërruar, duke u gërmuar me ekskavator.

“Kam parë një si linjë mbetjesh qeramike në pjesën nga shkolla [ana jugore] e cila vijonte edhe në anën tjetër [perëndimore],” tha ai.

“Si banorë të zonës kemi pyetur në kantier dhe na është thënë se ka arkeologë dhe mbetjet do dokumentohen, por punimet nuk u ndaluan, por avancuan duke e rrafshuar,” shtoi burri.

Ai theksoi se gërryerja kryesore e mbetjeve me ekskavator është bërë ditën e hënë, më 23 mars, duke filluar nga ora 5 e mëngjesit.

“Kur mbërritën arkeologët privatë në orën 8 të mëngjesit kishin mbaruar punë, duke i gërryer mbetjet arkeologjike nga ana e shkollës,” rrëfeu banori në kushtet e anonimatit.

Drejtuesit e kompanisë “Kristi Konstruksion 2003” nuk ishin të arritshëm për koment.

Sipas Fatos Tartarit, gërmimet ndër vite nga firmat e ndërtimit sidomos gjatë natës në një zonë me intensitet arkeologjik, është një fenomen që mund të ndodhë vetëm në Shqipëri.

“Pra firmat e ndërtimit po doli ndonjë gjë, gërmojnë gjithë natën, që nuk lejohet në asnjë vend të botës dhe të nesërmen nuk mbetet asnjë gjurmë,” shpjegoi ai.

Tartari theksoi se organet e trashëgimisë kulturore e kanë të pamundur të marrin një vendim në këtë hark kohor për ta mbrojtur monumentin, në rastet kur ai zbulohet gjatë gërmimit.

“Sa të merret vendimi tek organet e kulturës që janë krijuar, ka mbaruar çdo gjë. Është jashtë mase i vonuar në reagim,” tha ai.

Është krejtësisht një formalitet për arsye se monumenti që zbulohet merr fund deri atëherë dhe objektet për 24 orë arrijnë të dalin edhe jashtë Shqipërisë,” përfundon Tartari.

Ndryshe nga sa tregojnë fotot dhe dëshmitë e banorëve, raportet ditore të arkeologut privat të punësuar nga firma e ndërtimit, Luan Përzhita, në datat 19-26 mars nuk raportojnë gjetje arkeologjike, përveçse pak qeramikë në ditën e fundit të gërmimeve.

Gjithashtu u vëzhguan profilet për fragmente qeramike, ku disa prej tyre, më përfaqësueset u dokumentuan,” shkruan Përzhita në raportin e fundit të monitorimit ditor të punimeve, më datë 26 mars.

I pyetur nga BIRN nëpërmjet telefonit, Përzhita tha se gjatë gërmimit nuk kishte konstatuar zbulime arkeologjike që të detyronin ndalimin e punimeve për gërmimin e themeleve të pallatit.

“Janë gjetur fragmente qeramike atipike, që nuk kanë forma të veçanta dhe mund të jenë dukuri të rrëshqitjes së terrenit ose të mbushjes me dhera kur janë bërë punime në kohën e Enverit,” përfundoi ai.

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back