Aktualitet

Durrës / 20 të arrestuar, shumica punonjës të Portit

Shkruar nga Liberale
Durrës / 20 të arrestuar, shumica punonjës të Portit

Policia e Durrësit arrestoi 20 persona këtë të diel, mes së cilëve punonjës të Forcës së Sigurisë Portuale, kompanisë që operon në terminalin e kontejnerëve dhe një subjekti që importon banane, pas konstatimit të një kontejneri që i mungonin elementët e sigurisë.

“Pasi është hapur ky kontejner, është vënë re se sipërfaqja e tij ka qenë e ngarkuar me arka me banane dhe se në kontejner mungonin arka me banane,” tha policia për mediat.

Punonjësit e Task-Forcës së Policisë Kufitare, asaj vendore dhe doganës kishin konstatuar se kontejneri ishte i paplumbosur me plumbçe, duke ngritur dyshime se arkat me banane që mungonin mund të kenë qenë të mbushura me lëndë narkotike.

Policia arrestoi si të dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Thyerja, heqja, zëvendësimi i shenjave të sigurisë së autoriteteve doganore”, e kryer në bashkëpunim, 13 punonjës të Forcës së Sigurisë Portuale Durrës, në varësi të Autoritetit Portual Durrës dhe që ka përgjegjësinë për sigurinë në port. Tre punonjës të tjerë u arrestuan me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Me po të njëjtat akuza u arrestuan edhe një 49 vjeçar me inicialet G. H, operator i kompanisë “Mariner Adriatic” që operon në Portin e Durrësit dhe një 27 vjeçar me inicialet R. B., operator i një kompanie të dytë.

Gjithashtu, në pranga përfunduan një 46 vjeçar me iniciale A. M., që punonte në kompaninë që priste ngarkesën me banane dhe shoferin e kompanisë së bananeve, 46 vjeçarin me inciale N. A.

Policia nuk njoftoi për numrin e arkave që mungonin në kontejner dhe vendin nga ishte nisur, por zëdhënësja për mediat e Drejtorisë së Policisë Durrës bëri me dije për BIRN se janë elementë që cilat janë ende në verifikim.

Përfaqësuesit e Autoritetit Portual Durrës nuk ishin të arritshëm për një koment pas arrestimit të 16 punonjësve të Forcës së Sigurisë Portuale Durrës.

Episodet e shënuara në Portin e Durrësit vitet e fundit kanë dëshmuar për punonjës në sektorë të ndryshëm të portit, të cilët tërheqin sasitë e drogës që fshihet në kontejnerët e sjellë nga Amerika Latine përpara se të kalojnë në skaner apo raste të marrjes së arkave me drogë pasi ato i shpëtojnë kontrollit të autoriteteve në port.

Rasti i fundit i kapjes së drogës në Portin e Durrësit u konstatua më 15 qershor, kur policia gjeti 45.5 kilogramë kokainë midis një ngarkese me mish pule në një kontejner frigoriferik që kishte mbërritur nga Brazili, për të cilën policia arrestoi Egert Vargun, agjent doganor dhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës si dhe Arben Ferizin, një biznesmen nga Kosova.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH