Letërsi

Durim Çaça: Ritmi semantik në melos-in rrëfimor

Shkruar nga Liberale

Rreth romanit  “Ciklopi” të shkrimtarit të ri Brajan Sukaj-t

Durim Çaça 

Fuqia universale e ligjeve humane që  ngrihen mbi ato të pushtetit të çdo kohe, projektohet si kuintesencë përmbajtësore në romanin në fjalë të prozatorit tonë të ri. Vepra zbulohet si një thelb i së mundshmes “reale”, e aftë që të kapë realitetin jo në një drejtim imitues e pasqyrues,  porse të përfshijë ato kuptime të fshehta dhe cilësimet konkrete,  në shprehësinë e tyre, të cilat shpirtëzojnë realen, duke u perceptuar kështu, vepra që shqyrtojmë,  si bërja  ngjarje  e së vërtetës, sepse në të, natyra njerëzore, shfaqet në mënyrë të re.

“Ciklopi” (Fitues i Çmimit të Romanit të Vitit, në Panairin e Librit, Tiranë, 2018, botim i Ombra GVG,  në të njëjtin vit), sendërton konfliktin e brendshëm, (gruaja që ka lindur fëmijën e shformuar, nga njëra anë,  dhe qyteti i vogël, akoma më i shformuar e përçudnuar në moralitetin e tij human), dhe konfliktin e jashtëm,- banorët në makthin ciklopik të frikës dhe të tjetërsimit të  tyre përballë  pushtetit shtypës të pushtuesit shekullor otoman.

Duke qenë vepër fiksioni, raporti i brendshëm i heroit me mjedisin shoqëror ku vepron, merr interes parësor. Ngaqë ideja e mendimit artistik apo tema, mund të identifikohet me pyetjen e lexuesit se cili është qëllimi i kësaj vepre. Sepse, edhe në një letërsi tematike, tema  ka elementët e vet të zbulimit, ashtu si në  një letërsi tregimtare, ku syzheti fabulor (subjektor), që përbën parimin formësues të fiksionit letrar, identifikohet përmes pyetjes së lexuesit që kërkon të zbulojë  se si do të përfundojë ky letraritet rrëfimor, (në rastin tonë, i romanit që po vështrojmë). Pra, konflikti mes gruas-nënë që ka sjellë në jetë fëmijën e vet me devijacion gjenetik dhe mjedisit shoqëror të shfytyruar moralisht e  të prapambetur, me frymën bestyte të pushtuesit  aziatik,  që e mallkon atë dhe foshnjën e saj si ndjellës e  sjellës të fatkeqësive  të  qytezës provinciale: borën e madhe, përmbytjen e frikshme dhe, në fund, masakrën e tmerrshme të perandorisë  së   mesjetës, mjedis shoqëror që  nuk mëdyshet asnjë herë  që  t’i shikojë   këto fatkeqësi edhe si ndëshkim të   mundshëm të Perëndisë  për antihumanizmin e tyre.

…Foshnja qante pa pushim. Mamia e mori në krahë dhe u afrua me hapa të çrregullt drejt gruas. I dukej vetja brenda një makthi, e pafuqishme që të zgjohej. Ia afroi pranë dhe gruaja pa për herë të parë fëmijën e saj. Pa kokën në trajtën e një veze, me një ballë të vogël e me majë, që vinte duke u zgjeruar poshtë te nofullat. Në vend të hundës kishte një feçkë kërcore dhe, pak sipër saj, spikaste një sy i madh dhe i rrumbullt, si syri i një kallamari, i mbuluar me një rrjetë damarësh të kuq…Ky është biri im,- tha duke e puthur në ballë. Dhe foshnja nuk qau  më…Fëmija kishte një shformim të rrallë të quajtur ciklopia, që bënte që fëmijët zakonisht lindnin të vdekur, ose vdisnin pak pasi lindnin. Por foshnja djalë kishte më shumë se dyzet ditë që kish lindur dhe nuk mund të vdiste më, për shkak të asaj që ai ishte…Natyrisht, gruaja këto gjëra nuk mundej t’i dinte. Ajo vetëm pyeste veten, a ka vallë të tjerë në botë si ai, a ka patur më parë që shpëtonin nga vdekja e të jetonin, të mbyllur në katër faqet e murit, derisa ndokush, rastësisht, t’i shihte, t’i kthente në personazhe legjendash të lashta, si ato përrallat që i tregonte gjyshja e saj ku, këto qenie përshkruheshin gjithmonë si të neveritshme, të këqija e të dëmshme. Fundja, çdo përrallë dhe gënjeshtër mbështetet tek një e vërtetë dhe çdo mit mbështetet tek njeriu. Dhe miti është njeriu që është i vjetër sa ai…     

                                    

Kështu, pra, në këtë fiksion romanor  shohim aspektin  tregimtar (fabulës së veprimit me karakteret dhe marrëdhëniet e personazheve të “ngjarjes” të  modeluar si reale) dhe aspektin tematik, me katër elementët etikë, (heroin,  mjedisin shoqëror të kohës së tij, autorin dhe lexuesin e kohës sonë) ku, aspekti më i rëndësishëm  apo theksi në interpretim, në veprën në  fjalë ,  është ai tematik, pra,  ideja e mendimit artistik që lexuesi nxjerr nga shkrimtari autorial. Ngaqë,  kalimi nga thekset tregimtare në ato tematike, sipas teoricienit të shquar kanadez,  Northrop Fraj, në veprën e tij, tashmë klasike,  “Anatomia e kritikës”, bën që vepra të ketë më shumë domethënie narrative, - pra,  kuptimin e mesazhit shoqëror, përmes modeleve të simboleve të saj, si  kuptim letrar; përmes korelacionit me epokën historike të mendimeve e fakteve,  si kuptim përshkrues; marrëdhënies si  formë e përfytyrueshmërisë apo imazheve, (me komentin e mundshëm narrativ), si domethënie formalizimi estetik e artistik.  Dhe, të  ketë  më  pak marrë dhënie fabulore –subjektore, (ngjarjesh jetësore dhe veprimesh intense, të shkaktuara nga marrëdhënie konfliktore personazhesh të subjektit fiksional).

Te “Ciklopi” i Brajan Sukaj-t, shpërfaqet si shenjim literatiteti, paqëndrueshmëria e veprës përmes “ikjes  së autorit në brendi”, (zhvillimit të  fabulës tregimtare,- nga kalvari i gruas së re lehonë në përpekjet për mbijetesën e fëmijës së vet, mes urrejtjes, izolimit, përçmimit e poshtërimit të banorëve të denatyruar të qytetit të vogël që jeton në frikën dhe terrin e ankthit të pasigurisë për jetën, nën pushtim, - tek protagonisti kryesor i romanit, Kadiu (gjykatësi)  që,  megjithëse mishërohet në faqet e fundit të tij, përmban të gjithë intensën e dramacitetit vetmohues  humanist. Por, në një kuptim më të gjerë e më të thellë, paqëndrueshmëria e veprës  letrare është  në të vërtetë shenja e karakterit të saj të mistershëm, i lidhur me një subjektivitet që, si nga ana e ndërtimit (konstruktimit), ashtu dhe nga ana e receptimit (kuptueshmërisë së mesazhit), shfaqet në një emocionalitet me ngjyresë të fortë egzistenciale.

Ritmi semantik i kuptimit të kësaj vepre në melos-in  rrëfimor,  (ritmin, lëvizjen, tingullin e fjalëve, përsëritjen e  frazave dhe imazheve, -si në muzikë)  të fiksionit,- përshkallëzohet përmes imazheve simbolike të përshkrimit narrativ, (një grua e përjashtuar nga grupi i vet shoqëror dhe e lënë në përbuzje, në vetmi, në uri, me foshnjen e vet të shformuar disaditëshe (që qan pa pushim),-“në detin e thellë  e të zi të boshllëkut”, ku “vetja i duket e humbur dhe e braktisur në  një  botë  të  huaj” dhe,  në anën tjetër, qyteti i çhumanizuar që nuk e pranon  të  jetë   këtë  fëmijë  të lindur me deformim anatomik dhe e do veçse të  vdekur,  - ngaqë fëmijë të tillë lindin pa jetë ose vdesin menjëherë. Sukaj buron, bunes “të parrjedhshmen që  rrjedh”, narrativën simbolike, -duke zbuluar e shpërfaqur atë  diçka të errët që  gjendet në  brendësinë  e  të gjithëve, në  një hulli mes thjeshtësisë  së  thatë  perëndimore moderne dhe qartësisë së përfytyrimit me afshin dhe shkëlqimin ekzotik të  Mesdheut,  nëpërmjet mirazhit të  brendshëm të  vetë fjalëve dhe esencës thelbësore të  formës dhe performimit të  stilit,- që kanë mitin e vet të  krijimit.

Modus-i, (fuqia konvencionale e veprimit mbi karakteret kryesorë të letërsisë fiksionale) i romanit që po kundrojmë, paraqitet si modus i epërsisë së heroit, (në rastin tonë, kadiut-gjykatës) ndaj njerëzve të tjerë dhe ndaj mjedisit të vet shoqëror, (me identitet të zbehur kombëtar) dhe gërshetohet me modus-in tjetër fiksional, atë  heroinës, gruas së fëmijës me anomalinë e ciklopisë, e cila nuk ka epërsi as ndaj njerëzve të tjerë dhe as ndaj mjedisit shoqëror të saj, duke qenë kështu, njëra prej nesh, dhe, ndaj së cilës, ne reagojmë në kuptim të njerëzisë së saj prej nëne, teksa kërkojmë prej autorit kanune të njëjta të besueshmërisë që i gjejmë në përvojën tonë jetësore. Në modus-in e dytë, me tendencë tragjizmi, të izolimit, përjashtimit, mallkimit dhe poshtërimit, nga grupi i vet shoqëror, të heroinës, gruas së fëmijës me shformim fizik, në përpjekjet e saj  për mbijetesën e foshnjes  së vet të sëmurë, pa ushqim e mjekim, shpërfaqet dhe patos-i i emocionit të fortë që është dhënë me ndjeshmëri të thekëshme nga shkrimtari ynë i ri. Përmes rrëfimit se si dikush, (gruaja sfiduese, në këtë rast) që e njohim si veten tonë, lufton të mos thyhet në konfliktin mes botës së brendshme të saj dhe asaj të jashtme, mes realitetit imagjinativ ideal human dhe realitetit që është krijuar nga barriera të moralitetit të vjetër qindravjeçar të pushtetit të pushtuesit otoman.

Por ndërthurja e linjës tregimtare (fabulës subjektore) të vuajtjeve, mundimeve, peripecive dhe protestës njerëzore të gruas së re ndaj mallkimit dhe përjashtimit nga grupi  shoqëror që i përket dhe qytetit bestyt, që është shfytyruar më përbindshëm në amoralitetin e vet, se sa foshnja e pafajshme me shformimin prej ciklopisë, (pra, e modusit të  dytë fiksional, ku heroi, heroina, që është në nivelin tonë dhe  të  mjedisit  të  vet shoqëror) dhe që zë pjesën më të madhe të veprës, - me linjën kryesore tematike, që shpërfaqet vetëm në fund të romanit,  të gjykatësit (kadiut) që i kundërvihet pushtetit të Portës së Lartë,  duke dhënë një vendim gjyqësor të pafajësisë të bazuar jo në Sheriatin, ligjin islamik të së drejtës të  pushtetit të pushtuesit turk, por në Kanunin, në të   drejtën zakonore shqiptare, si një sfidë dhe finale e madhërishme,  në emër të  humanizmit dhe të dinjitetit kombëtar, ndaj zgjedhës së pushtetit otoman, (linjë  që përbën modusin e parë fiksional, ku heroi qëndron mbi ne dhe mjedisin e tij shoqëror), - krijon  një shpërputhje dhe shpërpjesëtim të kompozimit narrativ  mes këtyre dy linjave, por jo në  atë  shkallë  që të  deformojë  konceptualitetin estetik të strukturës narrative të romancierit debutues e që nuk vihet re, për shkak të hijeshisë elegante të shkrimësisë simbolike-poetike të  kësaj proze, herë-herë, aty-këtu, edhe me ndonjë reminishencë dhe referencë stilistike kadarejane të lehtë, që autori i ri e admiron me të drejtë.

Një vepër moderniteti, siç është romani në fjalë,  me personazhe pa emra dhe pa identitete të  plotë   karakteriale, pa kohë të përcaktuar, pavarësisht se jepen shenjime të tërthorta të  shekullit të 18-të, pa vend, (territor, topos) konkret të subjektit, megjithëse shkrumbimi dhe rrënimi i qytetit të vogël, (në  këtë  narrativë,- për shkak të tronditjes të pushtetit të huaj nga vendim-marrja gjyqësore, mbi bazën e së drejtës  kanunore zakonore shqiptare dhe jo të asaj fetare të pushtuesit), të kujtojnë djegien e Voskopojës, (me flakët  mbi akademinë dhe shtypshkronjën e saj të famshme,-simbole të qëndresës identitare kulturore kombëtare),- modernitet i një realizmi, herë-herë, fantastik, që lejon perceptimin përmbajtësor të veprës në kufij të një miti e legjende, - me klithmën e një gruaje për humanizëm, nga njëra anë  dhe mjegullën, terrin ku lëvizin banorët si hije fantazmash e lugetërish, me lopata në duar për të hequr borën e baltën e përmbytjes e për të mbledhur eshtrat e të vdekurve që i ka nxjerrë nga varret vërshimi Gurrës, në  anën tjetër, (banorë  pa fytyra, pa identitete, pa fuqinë e gjallë të ëndrrave dhe përpjekjeve për një jetë tjetër, -humane e dinjitoze, gjersa vjen ploja e armikut shekullor që i djeg të gjallë e i ther duke  i fshirë nga faqja e dheut).

Vepra letrare në fjalë paraqitet si arritje artistike edhe në ndarjen e dialogut, (dialog që flet me zërin e karaktereve të ravijëzuar të dy protagonistëve: gruas dhe kadiut dhe jo me atë të autorit), - nga narrativja, (përshkrimet e autorit të mjedisit shoqëror, të degradimit  dhe tjetërsimit të  tij, prej pushtimit me shekuj). Duke e ndarë romanin në këtë mënyrë, në dy gjuhë të ndryshme dhe duke e përshtatur stilin me subjektin dhe me dy karakteret e tij të  brendshëm,-  të gruas protagoniste dhe kadiut që e gjykon,  si dhe  me narrativën në tërësi, - me simbolet e përshkrimit: terri, mjegulla, ankthi, makthi, bora, përmbytja, masakra, gjaku, përbindshi, tmerri, eshtrat, kafkat, balta, hiri, flakët, etj., në një dekor estetik letrariteti, që është përshtatshmëria e stilit në përmbajtje dhe zëri etik i autorit të ri, (zëri i tij i modifikuar në zërin e një karakteri apo në tonin vokal që kërkon subjekti dhe narracioni i fiksionit).

Në planin e moralitetit, forcat e pakta të së mires: gruaja protagoniste, mamia, mjeku, djali i panjohur dymbëdhjetë-vjeçar dhe kadiu, ngrihen kundër së keqes njerëzore, shoqërore e kombëtare, të përfaqësuar nga  shumica e banorëve të  qytetit, (të  deformuar identitetë risht e të bjerrë, nën pushtimin e gjatë, nga vlerat morale kombëtare), gruaja e kadiut, xhandarët turq, këta vrasës gjakftohtë  mizorë.  Forcat e pakta të së  mirës që  janë dhe forcat shoqërore të progresit, ngrihen kundër ciklopit të tmerrit të jetës nën pushtetin e pushtuesit të përjetshëm.

Romani modelohet përmes shtresës së formësimit gjuhësor-zanor, shtresës së bashkësisë së kuptimeve, shtresës së objektivitetit të figurshëm si dhe përmes pamjeve të modelimit narrativ, (me skema dyshe kundërvënëse: gruaja-qyteti, kadiu- pushteti i huaj, qyteti-pushtuesi).

Vetmohimi intelektual dhe atdhetar i gjykatësit, (kadiut), mishërohet si shprehje idealiteti i ndershmërisë profesionale dhe dinjitetit kombëtar, (duke dhënë një vendim pafajësie bazuar mbi kanunin shqiptar dhe jo vendim dënimi me prerjen e dorës, për gruan që ka vjedhur kininën në barnatore, (në pamundësi për ta blerë),  për të shpëtuar foshnjën e saj me ethe nga vdekja, dënim që kërkohej sipas Sheriatit, ligjit islamik të së drejtës të Perandorisë Otomane, si dhe duke u vetëshpallur tradhtar i saj). Dhe, ashtu siç  kishte dënuar me vdekje, (prerje koke, ngulje në hu, varje), bazuar në Sheriat, tradhtarët e Perandorisë, si zyrtar i saj  juridik, dënon  dhe veten me varje, si një sfidë kundër moralit barbar të pushtuesit, në emër të së drejtës së jetës së një foshnjeje ndryshe.

Gruaja (e kadiut)  po e shihte të shoqin pa thënë gjë, teksa e dëgjonte.-Imagjinata e njeriut nuk njeh kufij. Asgjë nuk del nga hiçi. Ka ndodhur diçka në realitet dhe pastaj imagjinata ka bërë punën e vet, duke endur gojëdhëna apo mite që pasqyrojnë të vërteta të përshtatura në kohë të ndryshme. Fëmijë që lindin me një sy ka patur gjithmonë dhe do të ketë në të ardhmen. Derisa njeriu të jetë. –Po, por ndryshimi është se ky fëmijë është gjallë, -tha gruaja,- ai do të rritet. Si do të bëhet puna pastaj. Të banosh në një qytet me një…ciklop. –Mjaft, - tha kadiu. Mos ndill gjëma. Ju gratë vetëm këtë dini të bëni… Ajo e pa në sy bashkëshortin e vet. –Dënoje atë grua, -tha ajo, - të lutem. Një vendim dënimi do të zbuste gjërat,- vijoi ajo më tej. Nuk mund të rrezikosh jetën e një qyteti për një dorë që do të pritet. Ah, e dija që do ta falje atë grua. - Nuk mund të dënoj një të pafajshëm, -tha ai. –Duhet të shohësh të mirën e gjindjes para asaj gruaje.-iu kthye ajo. – E mira e përgjithshme ndërtohet mbi bazën e asaj individuale,-tha ai dhe filloi të ecte në dhomë, si një bishë në kafaz…

Duke e vendosur subjektin, (fabulën e kolizionit të veprimit), në një kohë të errët të pushtimit të  hershëm, Sukaj ka krijuar një tekstualitet modern, me sharmin e një miti me mesazhe të përjetshme. Ai dekonstrukton mitiken antike duke na shfaqur, pas pamjeve të  frikshme, të përbindshme e monstruoze të së keqes, të  përfytyrimit mitologjik për ciklopin,-  thelbin e bukur të  qenies humane, ndryshe  e tjetër.

Përmes zhvendosjes, (displacementit), autori, edhe pse në fillimet e artit të tij të letërsisë, ka përshtatur me fuqi shprehësie,- mitin dhe metaforat simbolike të një bote të largët,  për të mishëruar idenë e mendimit artistik,- të fuqisë universale të ligjeve të pashkruara humane që ngrihen përmbi ato të çdo pushteti, sado shtypës e  çnjerëzor,-  me kanonet e moralitetit dhe të besueshmërisë së kohës sonë.  Për ta pranuar tjetrin, të  ndryshëm nga  ne,  në  botën e sotme globale, të  respektimit të  tij, për atë  që  ai është , për identitetin e tij shpirtëror, kulturor, fizik, për atdheun e tij, gjuhën, racën, ngjyrën,  kombin, shtetin, besimin, fenë  që  i përket; për parapëlqimet e tij politike, erotike, morale, artistike, sportive; për humanitetin, anën e tij njerëzore.

…Ajo nuk flinte dhe djali i saj po ashtu. E shihte në errësirë. Ndonjëherë i dukej si një qenie jashtëtokësore, një krijesë që nuk mund t’i përkiste kësaj bote, por një tjetre. Një botë me sirena, kuaj me brirë në ballë dhe baziliskë të mëdhenj. Dhe vetëm në një botë të tillë, ku gjithçka është e mundur, djali i saj, kur të rritej, do të ishte i lirë të dilte e të bënte ç’të donte, pa u parë me sy të llahtarisur sikur të ishte një bishë e egër. Por jo në këtë botë, jo në këtë botë. Këtu do të qëndronte i burgosur brenda katër faqeve të murit dhe brenda vetes, deri kur t’i vinte ora, ose kur orën ta kërkonte vetë, i lodhur nga ajo e pakuptimtë jetë…

…Fëmija yt është një mrekulli e gjallë,-tha mjeku….

…Në rrugët e qytetit, e vetmja gjë e gjelbër që kishte mbetur, ishte myshku…Dhe ca gjurmë të freskëta që drejtoheshin nga dalja e qytetit. Gruaja me ciklopin kishin nisur rrugën. Një djalë dymbëdhjetëvjecar po i ndiqte…

Shkrimtari, në vetvete dhe në natyrën e tij sociale,  zotëron një energji ndërtuese dhe një entuziazëm të pushtuar nga moraliteti i lartë. Brajan Sukaj, prozatori ynë i ri i talentuar, krijon me romanin “Ciklopi”, të bukurën e tij artistike, bukuri që, siç  dihet, ka karakter hyjnor dhe që,  ngjall tek ne,  pjesën hyjnore  që zbulohet nga jeta jonë e ndjenjës dhe pasioneve./Gazeta Liberale

*Doktor i Shkencave të  Gjuhësisë 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH