Aktualitet

Duma: Në PD ka emocione të ndryshme, por jo grupime të ndryshme

Shkruar nga Liberale
Duma: Në PD ka emocione të ndryshme, por jo grupime të ndryshme

Nënkryetarja e PD-së Grida Duma, komentoi vendimin për largimin e Sali Berishës nga Grupi Parlamentar demokrat, duke e cilësuar një akt të madh moral lidershipi të Lulzim Bashës për të mos e futur partinë në përçarje.

Gjatë intervistës në “Abc News”, Duma u ndal edhe te aksioni i fundit i disa anëtarëve të FRPD-së për të mbajtur një referendum për çështjen “Berisha”, duke u shprehur se në PD ka emocione të ndryshme, por jo grupime të ndryshme.

“Deri më sot, në këtë zallamahi diskutimesh, nuk kam dëgjuar të analizohet mirë se çfarë ka ndodhur, si një akt vendimmarrës i PD. Nëse do të kërkohej që secili nga ne të jepte mendimet personale, do godisnim një akt lidershipi. Akti moral për të mos e futur PD-në në përçarje, është akt i madh i lidershipit. Vetë Basha tha që ‘është vendim shumë i vështirë, përgjegjësitë do t’i marr nga A-ja te ZH-ja vetë’. Mendoj që ajo që është bërë mirë është që kryetari i partisë e ka marrë mbi supe, dhe nuk e ka lënë të shkojë atje ku ndjesitë janë legjitime. Kam vlerësuar se indikatorët për çështjen që kanë çuar te ‘non grata ‘, që unë nuk i di se cilat janë, janë pjesë e ruajtjes së PD-së, që nuk hyn në diskutime të figurës së Sali Berishës”, tha Duma.

Nënkryetarja e selisë blu theksoi se: “Brenda PD-së mund të ketë emocione të ndryshme, por jo grupime të ndryshme. Vendimet e vështira të një organizate politike kuptohen më vonë, pse edhe si. Të gjykosh sot është jomaturi politike”.

Ndërsa e konsideroi vendimin e Lulzim Bashës si racional dhe jo emocional, Duma vë në dukje se akti nuk prek vlerat e të shkuarës historike dhe ka si mision ndërtimin e të ardhmes.

“Një vendim traumatik, racional, të cilin Lulzim Basha vetë deklaroi që emocionalisht nuk do ta ndërmerrte kurrë”, shton nënkryetarja demokrate.

Duma shprehet se PD-ja ka një mision që shkon përtej marrjes së pushtetit, që është misioni i udhëheqjes në rrugën europiane të Shqipërisë.

“PD ka të qartë një gjë që nuk duhet të jetë fituese për të marrë pushtetin, por për misionin për rrugën europiane të Shqipërisë. Demokratët janë në vitin e 9-të të sakrificës dhe unë kam mallëngjim për ata që nuk janë tërhequr. Mënyra për të arritur atë që duhet në të ardhmen është të kemi aleancën strategjike. Ju siguroj që PD, dhe ajo që Basha e bën të qartë është të bëjë transparencë dhe të mirë informojë për figurën historike të ish-kreut të PD”, tha Duma.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH