Globi

Duhet të shqetësohemi për çmimin e ushqimeve më shumë sesa për naftën

Shkruar nga Liberale

Rritjet dramatike të çmimeve energjetike pas pushtimit rus të Ukrainës kanë shpërqendruar investitorët nga ndikimi afatgjatë dhe më i rrezikshëm i inflacionit të ushqimit, ka paralajmëruar themeluesi i BlackRock, Larry Fink.

“E vetmja gjë për të cilën shqetësohem dhe për të cilën nuk flasim mjaftueshëm është ushqimi,” i tha ai Financial Times. - “Ky nuk është vetëm një shqetësim për inflacionin. Ka edhe shqetësime gjeopolitike që rrjedhin nga kjo.”

Çmimet e energjisë, benzinës dhe inputeve bujqësore të bazuara në naftë u rritën në fillim të këtij viti, kur vendet perëndimore vendosën sanksione ndaj Rusisë pas pushtimit. Kostot e drithërave dhe vajit ushqimor u goditën gjithashtu më rëndë, sepse Ukraina është një eksportues i madh i tyre.

Nafta ka filluar të bjerë sërish këtë javë në nivelet e para pushtimit (përjashtim bën vendi ynë pasi çmimet i nuk i përgjigjen rregullave të tregut, as atij vendas dhe as atij ndërkombëtar), ndërsa tregtarët po përgatiten për një rënie të mprehtë të konsumit.

Çmimet e konsumit në SHBA për qershorin tregojnë se vezët dhe mielli janë rritur afër 20 për qind, kurse margarina dhe gjalpi janë rritur me 34 për qind.

“Ne flasim shumë për çmimet e benzinës dhe naftës, sepse kjo është ajo që prek amerikanët, por çështja më e madhe është ushqimi,” tha Fink. “Ka pasur një shkatërrim të jashtëzakonshëm të tokës së punueshme në Ukrainë... Në nivel global kostoja e plehrave është rritur pothuajse 100 për qind dhe kjo kosto shtesë po redukton sasinë e plehrave të përdorura në bujqësi. Kjo po dëmton cilësinë e të korrave në mbarë botën.”

Larry Fink: 'Ky nuk është vetëm një shqetësim i inflacionit. Ka edhe shqetësime gjeopolitike që rezultojnë nga kjo'

Megjithëse çmimet e naftës kanë filluar të bien,  kompanitë e mallrave të konsumit vazhdojnë të shohin kosto të larta të inputeve. Çdo rënie në çmimet e plehrave ka të ngjarë të vijë shumë vonë për të rritur kostot e të korrave dhe ushqimeve të këtij viti.

Banka Botërore parashikoi pas pushtimit se çmimet globale të ushqimeve do të rriteshin 20 për qind këtë vit, duke tejkaluar shumë rritjen e çmimit të lëndëve të para.

Ndikimi është veçanërisht i zymtë në Afrikë, e cila zakonisht importon grurë nga Ukraina. Çmimet e plehrave atje janë rritur 300 për qind dhe kontinenti po përballet me një mungesë prej 2 milionë tonësh metrikë, sipas Bankës Afrikane të Zhvillimit. Ajo ka miratuar një program prej 1.5 miliardë dollarësh për të ndihmuar fermerët të plotësojnë boshllëkun, por paralajmëron se prodhimi total mund të bjerë me 20 për qind këtë vit.

Janet Yellen, sekretarja e Thesarit të SHBA-së, tha të premten se bota po përballet me “një moment jashtëzakonisht të vështirë për sigurinë globale të ushqimit”.

Bill Gates, filantropist dhe bashkëthemelues i Microsoft-it, shprehu shqetësime të ngjashme këtë javë, duke thënë se ulja e furnizimeve me grurë, vajra ushqimorë dhe ushqime të tjera të shkaktuara nga lufta në Ukrainë po “rriste çmimet e ushqimeve, gjë që do të rrisë kequshqyerjen dhe paqëndrueshmërinë në vendet me të ardhura të ulëta”. Ai vuri në dukje në një postim në blog se përmirësimi i produktivitetit bujqësor në Afrikë dhe vendet me të ardhura të pamjaftueshme kërkonte “shumë më shumë investime”.

Ndërsa disa prodhues të produkteve të konsumit dhe shitës me pakicë ushqimore thonë se shpresojnë se inflacioni i çmimeve të ushqimeve do të fillojë të lehtësohet, të tjerë po përgatiten për më të keqen.  /Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH