Aktualitet

"Duam të jemi pjesë e Rusisë", shpërthejnë protestat në Moldavi, presidentja akuzon autoritetet ruse për grusht shteti

Shkruar nga Liberale

Zhvillimet e fundit në Moldavi po ndiqen nga të gjitha qeveritë evropiane dhe më gjerë, pasi presidentja Maia Sandu paralajmëroi se Rusia po planifikonte të dërgonte diversantë të trajnuar ushtarakë në vend, të maskuar si civilë, për të rrëzuar qeverinë e saj pro-perëndimore.

Ditën e diel qytetarët, të organizuar nga partia pro-ruse e Moldavisë Sor, u mblodhën në kryeqytetin Kishinau dhe protestuan para parlamentit kundër varfërisë kushteve të tmerrshme që ndodhen, sipas tyre.

Protesta ishte paqësore dhe më e vogël se demonstratat e mëparshme të mbajtura vjeshtën e kaluar. Megjithatë, ajo erdhi mes tensioneve të rritura politike në Moldavi, pas paralajmërimeve të reja për një kërcënim sigurie ndaj kombit prej 2.6 milionë banorësh, i cili kufizohet me Ukrainën dhe Rumaninë. Transnistria, një rajon i shkëputur i Moldavisë, është tashmë nën kontrollin rus.

Rusia ka thënë se akuza është një përpjekje e autoriteteve moldave për të shkëputur vëmendjen nga dështimet e tyre sociale dhe ekonomike.

Moldavia, e vendosur strategjikisht në kufirin me Ukrainën, dhe që strehon rajonin e saj separatist pro-rus, varet nga gazi rus.

Vitin e kaluar Moska përgjysmoi furnizimin me Moldavinë, duke ushtruar presion mbi qeverinë në Kishinau, pasi ajo kërkon të mbajë së bashku popullsinë e saj rumune dhe rusisht-folëse.

Protestat për rritjen e çmimit të gazit dhe energjisë elektrike nisën vjeshtën e kaluar.

Duke folur në një konferencë publike të hënën e kaluar, presidentja Sandu tha se Rusia tashmë kishte tentuar të destabilizonte situatën në Moldavi nëpërmjet krizës energjetike, e cila sipas saj "pritej të shkaktonte pakënaqësi të madhe në mesin e popullatës dhe të çonte në protesta të dhunshme".

Plani tani, tha ajo, përfshin "diversionistë me stërvitje ushtarake […] të cilët do të ndërmerrnin veprime të dhunshme, do të kryenin sulme mbi ndërtesat e institucioneve shtetërore apo edhe do të merrnin pengje".

57 personave nga kombet miqësore me Rusinë - duke përfshirë një grup tifozësh serbë të futbollit dhe disa boksierë nga Mali i Zi - iu refuzua hyrja në Moldavi në ditët e fundit, pas kontrolleve nga shërbimet e sigurisë. Dhe hapësira ajrore e Moldavisë u mbyll papritur për disa orë këtë javë.

“Është shumë e qartë se Rusia është një shtet agresor”, tha për BBC Rosian Vasiloi, kreu i policisë kufitare të Moldavisë. Ai tha se kërcënimi kishte ekzistuar që nga 24 shkurti, kur filloi lufta në Ukrainë, por ai theksoi se ishte "ndryshe tani; është një përzierje e kërcënimeve nga brenda dhe jashtë Moldavisë".

Për sa kohë që Ukraina vazhdon të luftojë dhe fiton luftën, ai beson se rreziqet për Moldavinë janë më të ulëta.

"Nëse Ukraina bie, Moldavia është e ardhmja," tha ai. "Por unë nuk kam frikë."

Që nga fillimi i luftës, qeveria e Presidentes Sandu është përpjekur të diversifikojë burimet e energjisë të vendit dhe ta largojë atë nga varësia nga gazi rus, por sulmet ndaj infrastrukturës së Ukrainës dhe kostoja e importit të energjisë elektrike nga Rumania nuk e kanë bërë aq të lehtë.

Ajo ka thënë se komploti i supozuar rus do të mbështetet në "forcat e brendshme" si partia opozitare Sor, dhe ka bërë thirrje që parlamenti të miratojë ligje më të ashpra sigurie.

Marina Tauber, sekretarja e përgjithshme e Sor, e cila drejtoi protestën e së dielës jashtë parlamentit, thotë se partia e saj nuk është kundër BE-së dhe dëshiron marrëdhënie të mira me të gjitha palët. Por ka nga ata në partinë e saj që pranojnë se do të mirëprisnin ndërhyrjen ruse.

Shumë njerëz në Kishinau i shohin lidhjet më të ngushta me Perëndimin si një mënyrë për të siguruar pavarësinë dhe demokracinë e Moldavisë në një kohë kritike. Partia e Presidentit Sandu ka një shumicë solide në parlament.

Por pamja nga turma jashtë parlamentit të dielën ishte e ndryshme dhe ekziston rreziku që presioni mund të zgjerojë ndarjet në shoqërinë e larmishme të Moldavisë.

Kur protestuesit u pyetën nga BBC, nëse besojnë se Rusia dëshiron të depërtojë në Moldavi, siç frikësohet presidentja e tyre.

"Po, le të vijnë!" bërtasin ata. "Ne duam që ata të vijnë këtu. Ne duam të jemi pjesë e Rusisë!"/Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH