Janë rreth 600 letra dashurie që shkrimtarja franceze Simone De Beauvoir ia dërgoi të dashurit të saj amerikan, poetit Nelson Algren. Letra që përshkrojnë oqeanin për të treguar ndjesitë e një gruaje që është pushtuar nga dashuria. Nelson Algren është poeti i parë që fitoi çmimin e njohur letrar “National Book Award”, për librin “Njeriu me krahë të artë”. Përpara se të takohej me De Beaovoir, ai ishte i martuar me Amanda Kontowicz, me të cilën u divorcua dy herë.
Historia me Simone do të linte gjurmë gjatë jetës së tij. Në vitin 1965, ai u takua me Betty Ann Jones, një pedagoge letërsie, me të cilën u divorcua dy vite më vonë. “Ai ishte një burrë fatal”, do të shprehej Simone, teksa për vite të tëra e ruajti këtë histori si diçka të bukur, që era ia sillte nga larg, në kafenetë e Parisit ku flitej për filizofi… E mbrëmjeve vonë kur ishte e trishtuar ajo hapte kutinë e letrave dhe lexonte jetën që një burrë i kishte dhënë dikur…
“Nelson dashuria ime, të shkrova sot me një letër blu të shndritshme, ashtu si shpresa që ndrit në zemrën time që diçka e mirë do të ndodhë me ne… Ti do të presësh për mua në shtëpi dhe unë do të vij bashkë me një shishe shumë të mirë uiski për të pirë, pak proshutë për ta shoqëruar, për të hequr lodhjen. Dua të më japësh shumë dashuri…aq sa nuk ndodhet në asnjë shishe uiski në Çikago…”.
Historia e dashurisë mes De Beauvoir dhe Algren do të bëhej publike vetëm pak kohë më parë, kur u publikuan disa foto nudo të shkrimtares, realizuar në vitin 1952 nga Art Shay ,mik i Nelson. Shay 30 vjeç në atë kohë, do ti realizonte disa foto De Bovuar teksa ishte duke u veshur në banjo.
Ja çfarë shkruan Shay për mënyrën sesi i realizoi këto foto : ” Miku im Nelson Algren ishte i mërzitur, pasi apartamenti që kishte marrë me qera për 10 dollarë në muaj nuk kishte banjo apo dush. Ai më kërkoi mua nëse kisha ndonjë vend ku mund të lahej madama. Ai më paralajmëroi me humor se ajo është “franceze” dhe nuk e mbyll derën e banjës…Unë i huazova banesën e një mikeshës sime…ku shkova bashkë me Nelson dhe Simonë. Si një fotograf i ri i Life Magazinë nuk mund të rrija indiferent ndaj një fotoje të tillë për De Beauvoir. Ndaj kur pash De Beauvoir kur doli nga banja me flokët e lagur para pasqyrës, bëra shpjet disa shkrepje. “Ju jeni një djalë i keq”, më tha ajo me humor, por pa mbyllur derën apo për të më kërkuar që ti merrte ato foto”.
Historia e tyre e dashurisë tashmë lexohet në librin “Dashuri trasantlantike, i cili së shpejti do të vijë edhe në gjuhën shqipe. Më poshtë Gazeta Shqip po boton një prej këtyre letrave të mrekullueshme që tregojnë çdo të thotë të jesh në dashuri.
E enjte, 8 Janar, 1948
Nelsoni im,
Ja ku ndodhem në Paris. Ishte një ditë mjaft poetike, siç ndodh ndonjëherë kur nuk e pret. Gjithçka dukej sikur ishte kundër meje: nga qielli binte diçka që nuk ishte as shi, as dëborë, një ujë i zi dhe i akullt; një grevë e shitësve mbylli të gjitha dyqanet, kafenetë dhe restorantet. Mund të kishte qenë tepër e trishtë, por fatmirësisht nuk qe e tillë. Së pari, gjeta letrën tënde të ëmbël dhe kjo më lumturoi. Fola me ty (në anglisht), gjithë ditën. Pastaj u kënaqa kur pashë sërish qytet. Qytetet më pëlqejnë. Ashtu i errët dhe i trishtë siç ishte, Parisi ishte qytet i vërtetë. Piva pak uiski (jo skoç, por burbo) nëpër bare, ku bisedova me miqtë.
Shkova te revista Kohë Moderne, ku gjeta letrat dhe disa gjëra që më bënë të lumtur: përkthimi në anglisht i librit Gjaku i të Tjerëve, pra, do të mund ta lexosh në maj. Kam shumë dëshirë që të bëj një lidhje midis jetës sime si bretkosë në Wabansia dhe jetës në punë. Do të doja që të lexoje librat e mi, sidomos këtë, që është novela e dytë që kam shkruar dhe që jam e bindur se do të të tregojë diçka për mua. Dua që ta njohim njëri-tjetrin gjithnjë e më mirë. Prandaj u lumturova vërtet kur e gjeta, edhe pse përkthimi kishte gabime të tmerrshme. Do të botohet në maj, edhe në Londër, edhe në Nju Jork, prandaj për të do të diskutojmë në Meksikë. Po, meksikën nuk e ndaj nga mendja. Një shoqja ime që u kthye prej andej, më tha se Kuba ishte e mahnitshme. Po sikur pas Nju Orleansit të shkojmë në Kubë e pastaj në Meksikë? Tani, më kujtohet sikur the që Karaibet nuk të tërheqin, se druheshe që ishin vetëm për turistë? Mua do të më interesonte shumë dhe në Meksikë shkojmë një herë tjetër. Por mos u ngut! Mendoje njëherë! Gjëja e rëndësishme është të udhëtojmë dy muaj rresht: se ku, nuk është aq e rëndësishme, apo jo?
Po i kthehem së martës, mbrëmjen kur isha vetëm dhe dola shëtitje në Champs-Elysées për të parë Vilet e Zemërimit. U mërzita kur dëgjova sërish zëra amerikanë dhe kur pashë vetëm rrugën që pata bërë me shoqen time nga Kalifornia në Arizona dhe në Nju Meksiko. Arrita t’i njihja vendet, sidomos urën në Kolorado. Disa plane në film m’u dukën mahnitëse: ato në fermën e keqe, kur policët vrasin ish-predikuesin. Kurrë nuk kisha parë një film kaq “të fortë”, në kuptimin e mirë të fjalës. E djeshmja kaloi me gjëra të vogla, shumë çikërrima dhe duke fjetur gjumë. Ndihem disi e lodhur – mbase në fshat punova shumë. Sot po lexoj libra për gratë. Më intereson, por Parisi po fillon të duket i trishtë, ashtu si është vërtet dhe po kështu po ndihem edhe unë. Derdha ca pika loti, sepse të doja dhe më mori malli shumë. Fola me ty për një kohë të gjatë natën. Të dua. Simone./ Nga libri “Dashuri Trasantantike” . Perkthyes Alda Bardhyli