Kryesore

Dritëhijet e një gruaje të hekurt Liri Belishova, e rrëfyer nga Shehu

               Publikuar në : 10:02 - 05/04/21 liberale

Nëse do të përpiqeshim ta përcaktonim si zhanër, do ta cilësoja një risi që rrek memoristikën, analizën, përsiatjen, eseistikë dhe njëkohësisht një ravgim që kapërcen nivelet individuale të vet autorit”, thotë studiuesja Diana Kastrati për librin “Liri Belishova dhe koha e saj”, të shkrimtarit dhe publicistit Bashkim Shehu.

Autori sjell dimensionet e figurës gati të papërkufizueshme të Liri Belishovës, njërës prej eksponenteve më të lartë që në fillesat e komunizmit në Shqipëri, që më pas u bë viktimë e tij për të disatën herë radhazi, për të arritur pastaj në një lloj katarsisi mbi ideologjinë e atij sistemi, tregues i personalitetit të pangjashëm që ajo mbartte.

Të shkruaje një biografi për Liri Belishovën kur mediat kanë folur, ajo vetë ka folur, nuk mendoj se do të kishte një interes në këtë drejtim. Unë kam kapur disa elementë më thelbësorë dhe domethënës në jetën e saj, për të dhënë kohën në të cilën ajo ka jetuar”, shpjegon autori mbi këtë libër të ri të tij, pjesë e Kolanës Scripta Manent të botimeve UETPess.

Bashkim Shehu e nis librin me shprehjen e Milan Kunderës, teksa përkufizon totalitarizmin, sistemin që i bën edhe mendjet inteligjente njerëzore, të vrasin dhe vriten nga një ideal.

“Totalitarizmi nuk është vetëm ferri, po është edhe ëndrra e parajsës: ëndrra e stërlashtë e një bote ku të gjithë jetojmë në harmoni, të bashkuar në një vullnet të vetëm dhe në një fe të vetme…”. Në këtë ëndërr dhe “fe” do të binin shumë individë, disa prej të cilëve nuk u zgjuan kurrë, e disa të tjerë pjesërisht, dhe ndoshta e vetmja që u zgjua plotësisht nga zhgënjimi i dhimbshëm tragjik, ishte Liri Belishova. Jetën e saj autori e ndan në dy periudha; në periudhën kur ka qenë komuniste dhe koha kur ka filluar të zhgënjehej nga ajo ideologji.

“Ndryshimin e saj është vështirë ta identifikosh, por mendoj se ka ndodhur në vitet 1980. Atëherë mendoj se ajo u zhgënjye plotësisht dhe u shkëput totalisht nga idologjia komuniste. Kur e kam takuar unë, ishte krejtësisht e kthjellët, nuk i kishte mbetur asgjë nga ajo ideologji. Mendoj se kishte diçka të përbashkët me idealet e jetës së saj, por të zhveshura nga ideologjia komuniste, nga formulimi, struktura e sistemit. Ajo pësoi një rënie të tmerrshme në 1957, pastaj u kthye prapë në pushtet dhe aty duhet të ketë qenë në një luftë me veten dhe këtë jam përpjekur të analizoj. Megjithëse e ka parë të padrejtë përjashtimin e saj në 1960-ën, në rënien e dytë që pësoi, prapë kishte besim në idealin komunist, të identifikuar me sistemin komunist. Me kohë u zhgënjye plotësisht nga komunizmi në tërësi”, tregon Shehu, i ftuar në një bashkëbisedim virtual nga Spanja me studentë të UET, në promovimin e “Liri Belishova dhe koha e saj – Idealizmi, humnerat e pushtetit, katarsis”.

Studiuesja Diana Kastrati, çmon mjeshtërinë e autorit, “i cili në gjithë këto vite, tashmë dekada, ka dhënë më të mirën ndoshta të letrave shqipe, të periudhës në të cilën po jetojmë. Kjo jo vetëm në nivel të krijimit, pra shkrimtar, në një formë që unë e kam quajtur shumë moderniste, gati-gati post-moderniste në trajtimet e tij, por edhe si eseist dhe mbi të gjitha për këtë formë të re që na ka servirur me këtë libër.

Kemi një sfond analize sa gjeopolitike, ideologjike, kulturore, sociale, të të gjitha vendeve që përbënin ish- bllokun komunist, duke mbajtur në fokus, brenda këtyre analizave, një dëshmitare që ishte bijë e asaj ideologjie, kultivuese e bindur në këtë shërbim që i bëri ideologjisë komuniste dhe sistemit që u vendos në Shqipëri dhe në të njëjtën kohë, viktimë. Kemi të bëjmë me një figurë frojdiane, brenda këtij konteksti gjeopolitik ndërkombëtare dhe pastaj shqiptar. Analiza që i bëhet figurës, ecurisë, rrugëtimit të Liri Belishovës, konvergon me këtë analizë të patëmetë të bërë nga autori. Një risi që vjen në formën më të mirë të mundshme; janë citime sa nga autorë, filozofë, studiues, të asaj periudhe dhe ideologjisë komuniste, me emra të shënuar dhe që kanë bërë epokë, e në raste më të pakta kemi edhe një intertekstualitet që anon nga profili tjetër i autorit, që është ai i letërsisë, duke prekur Dostojevskin, Ismail Kadarenë, etj. Të gjitha këto ngërthehen në një mozaik që rrjedh natyrshëm dhe vjen grishës për lexuesin”.

Duke pasur parasysh skenën e krijimtarisë së sotme, jo thjesht artistike, por në përgjithësi të lëvrimit të gjuhës shqipe, ndeshemi me një lartësi të një gjuhe shqipe që gati-gati prek përsosmërinë, pavarësisht se autori nuk jeton në Shqipëri, vlerëson Kastrati, ndërsa veçon si vlerë të shtuar të autorit Shehu, maturinë dhe pjekurinë intelektuale e krijuese të tij për të ruajtur në shkrim një distancim të plotë nga realiteti ku ai vetë ka qenë dëshmitar dhe në një masë edhe protagonist. /Gazeta Liberale

 


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back