Kryesore

Drejtësi engjëjsh apo djajsh?

               Publikuar në : 10:42 - 07/09/19 Klementin Mile

Klementin Mile

Ku gabon opinioni i përhapur gjerësisht në lidhje me Reformën në Drejtësi? Nga strukturat e saj në formim e sipër, si SPAK, BKH, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë etj, një pjesë e publikut shpiptar pret vendosjen e drejtësisë së munguar prej dekadash në këtë vend, ndërkohë që pjesa tjetër pret një pseudo-drejtësi, e cila, realisht, do të jetë veçse një armë vendimtare në duart e kryeministrit, që ky mund ta përdorë sipas dëshirës dhe nevojës kundër opozitës.

Përveç debatit për mundësinë apo pamundësinë e kapjes së drejtësisë së re nga qeveria, zhvillohet edhe debati për përbërjen e trupës së drejtësisë së re. A na e garanton vettingu cilësinë e duhur të burimeve njerëzore në strukturat që po krijon Reforma në Drejtësi? A do të kenë SPAK, BKH, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë njerëzit e duhur për t’u bërë prokurorë, gjykatës, inspektorë, këshilltarë dhe ndihmës ligjorë?

Pikërisht në këtë çështje ekspozohet edhe rreziku i lartë që mbart ky proces. Vettingu, si instrumenti i reformës për të ndarë “shapin nga sheqeri”, atë që duhet të vazhdojë në sistemin e drejtësisë prej atij që duhet të largohet, mbart një rrezik të madh. Si çdo instrument teknologjik dhe pavarësisht reklamimit me bujë të avantazheve të tij, as ai nuk është perfekt. Vettingu mund të lejojë kalimin e personave që nuk e meritojnë dhe të përjashtojë nga sistemi persona që do të duhej të ishin.

Le ta shohim më nga afër këtë funksionim jo perfekt të vettingut. Procesi i vettingut bazohet në tri elementë: vlerësimi i pasurisë, kontrolli i figurës, dhe vlerësimi i aftësive profesionale. Dy elementët e parë lidhen me çështjen nëse është i korruptuar personi në fjalë, ndërkohë që elementi i tretë tregon nëse është i aftë për të kryer detyrën. Pastërti dhe profesionalizëm, këto supozohet të garantojë mekanizmi i vettingut për drejtësinë e re.

Strukturat përgjegjëse për të kontrolluar të dhënat për gjyqtarët, prokurorët, inspektorët, këshilltarët dhe ndihmësit ligjorë janë institucione serioze dhe të mirëpajisura si ILDKPKI, Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit etj. Pra, janë këto institucione që marrin përsipër t’i japin vendit prokurorë dhe gjyqtarë të pastër dhe të aftë.

Deri tani kemi parë rreth gjysmën e funksionarëve të sistemit të drejtësisë së vjetër të rrëzohen prej vettingut, t’u refuzohet bileta për të hyrë në drejtësinë e re. Por, çka habit dhe duhet shpjeguar nuk është gjysma që u rrëzua në vetting, por gjysma që e kaloi. Rrëzimi në vetting i një numri të madh prokurorësh dhe gjyqtarësh ka qenë krejtësisht normal dhe i pritshëm, nisur nga vlerësimet negative të tyre në raportet monitoruese prej thuajse dy dekadash të misioneve ndërkombëtare në Shqipëri. Në të gjitha raportet, sistemi i drejtësisë, gjyqtarët dhe prokurorët, së bashku me administratën gjyqësore, kanë rezultuar nga sektorët më të korruptuar të vendit.

Në kushtet e korruptimit sistematik të drejtësisë për të paktën dy dekada, ajo që habit është zbulimi se paska patur elementë të pakorruptuar, të tillë që ia paskan dalë mbanë t’u rrinë larg tundimeve, të mënjanojnë joshjet dhe kërcënimet për të bërë padrejtësi, të neglizhojnë ofertat partiake për të qenë të anshëm dhe të heshtur, ofertat kriminale për të shtuar një apartament, vilë ose makinë më tepër në këmbim të pafajësisë së krimit, që u paskan rezistuar drekave, darkave dhe pushimeve luksoze dhe pompoze me njerëz të botës së krimit ose të paguara prej tyre.

Nëse gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve të drejtësisë së vjetër paskan qenë vërtet të pastër dhe të aftë, kjo do të thotë që raportet ndërkombëtare, të cilat e cilësonin si tërësisht të korruptuar dhe me mungesë të lartë profesionalizmi drejtësinë shqiptare ndër vite, paskan qenë të ekzagjeruara. Pra jemi në dilemën nëse kanë patur të drejtë raportet ndërkombëtare për depërtimin e gjithanshëm të korrupsionit në drejtësinë tonë, apo kemi patur gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët, siç po e dëshmon mekanizmi i vettingut, të paktën gjysma e tyre nuk kanë qenë as të korruptuar as të paaftë.

Ndërtimi i kësaj dileme i vendos ndërkombëtarët përballë vetvetes. Edhe raportet e djeshme edhe vettingu i sotëm janë produkt i tyre. Por këta dy mekanizma kanë sjellë rezultate të ndryshme. Po t’i besojmë raporteve të ndërkombëtarëve, thuajse asnjë gjyqtar ose prokuror i drejtësisë së vjetër nuk duhet ta kalonte vettingun. Po t’i besojmë vettingut, mbi 90 përqind e gjërave që thuhen në raportet e ndërkombëtarëve për drejtësinë shqiptare i bie të jenë të pavërteta.

Atëherë, a mos na e kanë patur me hile ndërkombëtarët? Apo na e kanë tani me hile? Rruga për të dalë nga kjo dilemë, në fakt, nuk është duke kërkuar mungesë koherence te ndërkombëtarët, amerikanët dhe europianët që, ashtu siç përgatitën për vite me radhë raporte monitoruese për drejtësinë shqiptare, ashtu ideuan edhe mekanizmin e vettingut për të kaluar në sitë prokurorët dhe gjykatësit e drejtësisë së re.

Çështja qëndron te një e panjohur e madhe që nuk mund të bëhet e njohur as nga vettingu. Çfarë përfaqëson gjysma e prokurorëve dhe gjykatësve që ia ka dalë ta kalojë vettingun? A mos janë këta idealistë të pandreqshëm, engjëj të drejtësisë së re që do të vënë para ligjit dhe forcës së tij “të paprekshmit” e deritanishëm dhe cilindo që meriton ndëshkim?

Apo, përkundrazi, janë njerëz të korruptuar po aq sa shokët e tyre të drejtësisë së vjetër, por, në dallim prej tyre, të aftë për ta fshehur korrupsionin, të kujdesshëm për t’i humbur gjurmët e pasurisë së pandershme dhe të zotë për t’i mbuluar lidhjet e papërshtatshme? Këtë nuk mund ta dimë, pasi përveç vettingut nuk kemi “makinë tjetër të së vërtetës”. Veçse rreziku është real që shumë prej atyre që e kanë kaluar vettingun të jenë dyfish më djallëzorë se ata që dështuan./Gazeta Liberale

 

 

(Visited 79 times, 1 visits today)

Etiketa: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *